Dështojnë negociatat për Bregun e Fildishtë
Një delegacion i udhëheqësve afrikanë është kthyer në Nigeri dhe po i raporton presidentit, Goodluck Jonathan, mbi atë që duket se është dështim i misionit të tyre në Bregun e Fildishtë për të bindur Laurent Gbagbo të largohet nga pallati presidencial.
Laurent Gbagbo vazhdon të mos tregojë shenja se do të largohet nga posti i presidentit. Përkundrazi, ai me forcë thotë se është zgjedhur si president në rrugë të drejtë.
Por pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar nuk është dakord dhe e akuzon atë se ka mashtruar, duke anuluar më shumë se gjysmë milioni votash në veri të vendit .
Presidenti legjitim, sipas OKB-së, Alassane Ouattara, thotë se koha për bisedime tani ka mbaruar.
Gbagbos mund t’i ofrohet strehim në Shtetet e Bashkuara, në këmbim të largimit të tij për t’i dhënë fund krizës politike në vend.
Autoritetet amerikane kanë njoftuar se Washingtoni mund të ndihmojë Gbagbon që “të largohet me dinjitet”, por sipas tyre kjo mundësi dalëngadalë po shuhet.
Njoftimet vijnë vetëm disa orë pas dështimit të misionit të udhëheqësve afrikanë në Bregun e Fildishtë.
Liderët Boni Yayi nga Benini, Pedro Pires nga Kepi i Gjelbër dhe Ernest Bai Koroma, nga Sierra Leone, janë të gatshëm të ofrojnë amnisti, nëse Gbagbo tërhiqet.