Hastings: Zgjedhjet përmirësim të dukshëm
Ligjvënësi amerikan Alcee Hastings, bashkëkryetar i Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, të njohur edhe si Komisioni i Helsinkit, ishte në Shqipëri me grupin e vëzhguesve të zgjedhjeve. Ditën e djeshme ai bëri një deklaratë lidhur me zgjedhjet e së dielës, duke veçuar si vlerësim paraprak faktin se në shumë aspekte këto zgjedhje ishin një përmirësim i dukshëm nga ato të viteve të mëparshme.
Pavarësisht se sipas tij, numërimi sipas rregullave i votave do të përcaktojë suksesin e zgjedhjeve. Votimet u zhvilluan me qetësi dhe në mënyrë të rregullt. Procedurat e reja në kodin elektoral synonin korrigjimin e disa të metave që ishin vënë re në zgjedhjet e mëparshme dhe e çuan përpara procesin në mënyrë të konsiderueshme, por pati edhe disa probleme teknike, si mungesa e bojës në disa qendra votimi, votimi familjar dhe mungesa e disa materialeve të tjera, shtoi ai. Por, një tjetër problem i hasur gjatë ditës së votimeve, sipas ligjvënësit amerikan ka qenë fakti se në të paktën dy burgje nuk kishte fletë të mjaftueshme votimi për të gjithë personat që donin të votonin. Kongresmeni Hastings, ish President i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, ka vëzhguar disa herë zgjedhje dhe ka udhëhequr disa misione në emër të komunitetit ndërkombëtar. Sipas tij, zgjedhjet e 28 qershorit në përgjithësi kanë qenë një tregues pozitiv për Shqipërinë, si një anëtare e re e NATO-s.