E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon Edi Rama, Qeveria “Berisha” vendos të ndërtojë vetë Unazën e Madhe të Tiranës

Si pasojë e paaftësisë për të siguruar kredinë dhe për shkak të performancës së mjerueshme fiskale të Bashkisë së Tiranës, për të ndërtuar unazën e madhe, qeveria “Berisha” vendosi t’i japë vetë përgjigje kësaj çështjeje, duke dhënë garanci të plotë për fondet, të cilat llogariten 300 milionë euro

TIRANE - Shefi i ekzekutivit Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, se qeveria do t’i ofrojë Bashkisë së Tiranës fondet për shpronësimet për ndërtimin e unazës së madhe të Tiranës dhe në rast se Bashkia dështon në sigurimin e kredisë, për shkak të performancës së saj të mjerueshme fiskale, qeveria do të marrë përsipër ndërtimin e saj.
“Unaza e Madhe e Tiranës është një domosdoshmëri për qytetin. Bashkisë do t’i ofrohet mundësia për shpronësimin. Shanset e bashkisë për t’u bërë e zgjedhshme për kredi janë minimale, pasi performanca e saj fiskale është e mjerueshme, megjithëse informohem se ka një Departament për mbledhjen e taksave prej 300 punonjësish, aq sa edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Shqipëri. Sipas kësaj performance, llogaritet që ajo të mund ta shlyejë një kredi minimalisht në 125 vjet. Nuk ka institucion bankar dhe institucion financiar që të mund të ofrojë kredi me një afat mbi një shekullor. Ndonëse ne e bëmë ligjin e kredimarrjes së pushtetit vendor, shanset për t’iu akorduar kredia direkt është i pashpresë. Megjithatë, konform premtimit të dhënë për shpronësimin, duhet të bëjmë menjëherë disponibël fondin e shpronësimit. Sikundër, në rast se bashkia, e cila, sipas vlerësimeve të deritanishme, nuk është e përshtatshme për t’u kredituar, pasi nuk jep garanci për faktin e përmendur më sipër, atëherë do ta ndërtojë qeveria. Ministria e Punëve Publike do të marrë përsipër detyrimin sa më të shpejtë për këtë dhe fillimin e punës”, nënvizoi Berisha.
Duke e konsideruar unazën e madhe të Tiranës tepër të rëndësishmes për kryeqytetin, Kryeministri Berisha theksoi se projekti për ndërtimin e saj, me vlerë rreth 300 milion euro, nuk mund të shtyhet më.
“Ligji, u kalua dhe nuk ka asnjë vështirësi tjetër përveç mirëfunksionimit fiskal të bashkisë, e cila nuk ka një performacë të tillë fiskale, edhe pse mban 300 punonjës për mbledhjes së taksave. Bashkia, në rast se do të përdorte praktikat e vjetra të shitjes së të dhjetave, të taksave, absolutisht do të mblidhte më shumë. Kryetari i bashkisë ka maninë t’i shtojë taksat. Sidoqoftë unaza e madhe është jashtëzakonisht e ngutshme. Do të zhvilloni negociatat me bashkinë dhe në qoftë se ajo i del për zot dhe e ka financimin, ne jemi angazhuar ta marrim përsipër shpronësimin, në të kundërt, nëse nuk e ka financimin, unaza do të ndërtohet me buxhetin e qeverisë. Projekti është i madh dhe fillohet me segmentet më emergjente për të vazhduar më tej. Ky projekt shkon më së paku në 300 milion euro”, u shpreh kryeministri.
 

Kryebashkiaku, karshillëk qesharak iniciativës së qeverisë, përballë premtimit të vet, të pambajtur ndaj qytetarëve

I paaftë për ta ndërtuar Unazën e Madhe, Edi Rama refuzon ndihmën e qeverisë

TIRANE - Edhe pse e paaftë për të mbajtur premtimin e tij elektoral për ndërtimin e Unazës së Madhe të kryeqytetit, kryetari i Bashkisë Edi Rama, ka reaguar dje ndaj deklaratës së kryeministri Sali Berisha se qeveria qendrore do të ndërtojë këtë vepër në rast se vetë njësia më e madhe bashkiake dështon në sigurimin e kredisë, për shkak të performancës së saj të mjerueshme fiskale.
Përmes nënkryetarit të Bashkisë Eduart Shalsi, Rama ka pretenduar dje se pengesë për ndërtimin e Unazës së Madhe është bërë garantimi i fondeve të shpronësimeve nga qeveria që në prillin e shkuar. Shalsi e konsideroi vendimin e qeverisë për të ndërtuar Unazën e madhe thjesht një premtim sepse këtë projekt do ta realizojë bashkia. “Në vitin 2011-të qytetarët e Tiranës do të kenë këtë segment të Unazës së madhe të realizuar nga Bashkia e Tiranës”, deklaroi Shalsi. Për nënkryetarin e Bashkisë, puna më e madhe për ndërtimin e Unazës së Madhe është bërë vetëm nga Bashkia.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›