E Shtunë, 31 Tetor 2026

Talasemikët në rrezik, mungojnë dhuruesit e gjakut

Autori i Lajmit: red.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka mungesa të theksuara të rezervave të gjakut, duke vënë në rrezik të sëmurët me talasemi, si personat që kanë më shumë nevojë. Lajmin e bëjnë me dije burime konfidenciale pranë QSUT-së. Në çdo periudhë vihet re një mungesë e theksuar e rezervave të gjakut nëpër spitale. Ata që e vuajnë më shumë këtë gjë janë të sëmurët talasemikë dhe hemofilikët. Janë rreth 400 pacientë talasemikë që duhet të kryejnë transfuzion gjaku çdo muaj, jeta e tyre vihet ne rrezik në rast të mbarimit të ampulave rezervë apo rasteve emergjente. Të sëmurët talasemikë, në shumicën e rasteve e sigurojnë gjakun nga të afërmit e tyre dhe në raste të tjera atyre iu duhet të paguajnë. Kjo është e vetmja mënyrë deri tani, pasi dhuruesit vullnetarë pa pagesë janë në një numër shumë të pakët. Pacientët me sëmundje kronike marrin dy herë më pak gjak sesa i nevojitet në ato raste kur rezervat shkojnë drejt fundit, sepse sasia aktuale në spitale dhe në bankat e gjakut sa vjen edhe pakësohet. Me gjithë fushatat e bëra nga shoqata të ndryshme qytetarët ende nuk janë sensibilizuar. Nëse dhurohet gjak vullnetarisht, të sëmurëve nuk i u duhet të paguajnë, në të kundërt flakonet kushtojnë. Një rrugë, nga e cila sigurohet një sasi e madhe e gjakut janë edhe operacionet me planifikim. Ndërhyrjet kirurgjikale me planifikim sigurojnë një sasi të konsiderueshme për bankat e gjakut ne spitalet e vendit. Përpara një operacioni të afërmëve apo familjarëve i u duhet të sigurojnë një sasi prej 400 gramëshe, ky është një rregull i cili i vjen në ndihmë pacientit pas operacionit, por edhe në rastet kur dhuruesi dhe pacienti nuk kanë grup të njëjtë, ndiqet e njëjta procedurë, sepse kjo sasi çohet në bankën e gjakut në të cilën mund të merret sasia tjetër që nevojitet për operacionin. Kjo gjë ka shkaktuar pakënaqësira tek të afërmit e atyre që i nënshtrohen ndërhyrjeve, të cilët shpesh herë kanë refuzuar ta respektojnë një rregull të tillë. Infermierët në urgjencën kirurgjikale në Qendrën spitalore universitare “NënëTereza” thonë se hasen me probleme të tilla me njerëzit që nuk e kuptojnë këtë lloj rregulli. Nëse raste të tilla do të përsëriten atëherë do të ketë mungesa të theksura për gjak, sepse një pjesë e konsiserueshme e gjakut sigurohet me anë të kësaj rruge. Ata që do e vuajnë këtë gjë më tepër janë të sëmurët talasemikë dhe hemofilikë, të cilët janë nevojtarët me te mëdhenj të gjakut. Nevojat minimale vjetore për ata që marrin gjak arrijnë në 40 mijë njësi gjaku, ndërkohë që numri i njësive që mblidhen në mënyrë vullnetare nuk plotëson as gjysmën e nevojave. Pavarësisht fushatave te Kryqit te Kuq, apo apelit te bërë më parë, qytetarët nuk jane solidarizuar për këtë problem dhe madje tashmë refuzojnë të japin gjak edhe kur bëhet fjalë për të afërmit e tyre, pasi mendojnë se kjo gjë bëhet për qëllime përfitimi nga ana e spitaleve. Vetë spitalet nuk arrijnë të mbulojnë nevojat për gjak nëse do të mungojë dhurimi vullnetar dhe kërkesa për import gjaku nuk do të ishte një zgjidhje. Kërkesat e shoqatës së të sëmurëve me talasemi janë të vazhdueshme, veçanërisht kur gjendja përkeqësohet. Shumë fëmijë kanë nevojë për transfuzion gjaku në të kundërt do të kenë probleme serioze nëse nuk trajtohen dot për problemet e tyre shëndetësore. Bashkë me fëmijët talasemikë edhe pacientët me semundjen e hemofilisë kane pjese të trajtimit të tyre tranfuzionin e gjakut. Për ta është e nevojsme që herë pas herë tu bëhet apel njerëzve me qëllim që të dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë. Për njerëzit është shumë e rëndësishme që të mirëkuptohet mesazhi që burimi i vetem i dhurimit të gjakut është njeriu, shqiptarët duhet të solidarizohen në lidhje me dhurimin vullnetar sepse Shqipëria radhitet si një ndër vendet me përqindje më të vogël për sa i përket dhurimit vullnetar.
Marsela Xibraku
Ky lajm është publikuar: 08/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›