E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria shqiptare do të paraqesë kërkesën për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri priti në një takim ambasadoren e Republikës së Çekisë në Tiranë, Marketa Fialkova, me rastin e marrjes së Presidencës së radhës të BE-së nga Republika Çeke për periudhën 1 janar-30 qershor 2009. Berisha e falënderoi ambasadoren Fialkova edhe për rëndësinë që Presidenca çeke e BE-së i ka kushtuar Kosovës në përparësitë e punës së saj për periudhën në vijim. Ambasadorja e Republikës Çeke në Tiranë e informoi Kryeministrin se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, Presidenca çeke e BE-së do t i kushtojë një vëmendje të veçantë dhe do të mbështesë hapat e mëtejshëm për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e konsideruar zgjerimin e mëtejshëm të BE-së në përputhje me axhendën e Selanikut si një ndër prioritetet kryesore të Presidencës. Më tej, ambasadorja e Çekisë në Tiranë vlerësoi reformat dhe arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, në veçanti gjatë vitit 2008, të cilat u reflektuan edhe në Progres-Raportin e fundit të Komisionit Evropian. “Presidenca çeke përkrah zgjerimin e mëtejshëm të BE-së dhe do të mbështesë Shqipërinë në hapat e saj të mëtejshëm në procesin e integrimit evropian, – u shpreh ambasadorja Fialkova. Me tej, Fialkova i dorëzoi kryeministrit Berisha programin e punës me përparësitë dhe fushat ku do të fokusohet vëmendja e Presidencës çeke të BE-së në muajt në vijim. Berisha i shprehu ambasadores Fialkova mirënjohjen për mbështetjen që qeveria e Republikës Çeke, si Presidenca e radhës e BE-së, po i jep Shqipërisë, duke theksuar se integrimi evropian është dhe mbetet projekt madhor kombëtar dhe një ndër prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare. Kryeministri theksoi se vazhdimësia dhe thellimi i reformave, garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme që plotësojnë tërësisht standardet ndërkombëtare, si edhe aplikimi nga ana e Shqipërisë për statusin e kandidatit për anëtar të BE-së, janë dhe mbeten përparësi kryesore të qeverisë shqiptare për periudhën në vijim. Berisha njoftoi ambasadoren Fialkova se, së shpejti, qeveria shqiptare do të paraqesë kërkesën e saj për statusin e kandidatit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Ky lajm është publikuar: 08/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›