E Shtunë, 31 Tetor 2026

“20 Shkurti, shpallet me ligj Dita e Nderimit të Viktimave të Komunizmit”

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e radhës të qeverisë, se "data 20 shkurt do të shpallet Dita e Nderimit të Viktimave të sistemit komunist, ndërkohë që do të krijohet edhe një muze në kujtim të viktimave të këtij sistemi". Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin që i propozon Parlamentit ngritjen e obeliskut në nderim të viktimave të sistemit komunist. Kryeministri Berisha udhëzoi ministrin e Kulturës të hapë konkursin ndërkombëtar për përzgjedhjen e arkitektëve më të njohur evropianë e botërorë për ngritjen e obeliskut, që, siç theksoi Kryeministri, do të vendoset para piramidës së ish-diktatorit. “Ministria e Kulturës do të hapë një konkurs ndërkombëtar për ngritjen e një obelisku për mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë, burra, gra, fëmijë, intelektualë, punëtorë, fshatarë, të rinj, të moshuar, të cilët u martirizuan për këto liri që ne kemi e gëzojmë sot. Ata nuk qenë qytetarët që u konformuan, por që qëndruan dhe në mënyrën e tyre dëshmuan rezistencën ndaj regjimit. Ndaj një obelisk madhështor do të ngrihet për t i nderuar ata dhe duhet të jetë vepër e arkitektëve më të njohur të Evropës e botës. Parlamenti do të vendosë me ligj ngritjen e muzeut të krimeve dhe dhunës komuniste. Ky muze është i domosdoshëm, për ata qindra e mijëra martirë të besimit tek Zoti, të besimit tek fjala e lirë, të lirive, të cilët janë pa varre e të shpërndarë nuk dihet se ku. Një muze ku të gdhenden emrat e tyre dhe të ndërtohet me mençuri për t u bërë një element i rëndësishëm i historisë muzeale të vendit, për të ndihmuar shoqërinë shqiptare të memorizojë në interesin e saj më të mirë, dramën e madhe që përjetoi. Muzeu kombëtar duhet të organizojë më 20 shkurt të këtij viti ekspozitën më të madhe të organizuar ndonjëherë për dhunën komuniste në Shqipëri. Për këtë duhet të nisë menjëherë puna dhe të përqendrohet i tërë potenciali për organizimin e një ekspozite, e para e madhe e këtij lloji, në mjediset e gjera të Muzeut Kombëtar. “Data 20 shkurt, - u shpreh Kryeministri, - do të shpallet me ligj Dita e Nderimit të Viktimave të Sistemit Komunist. Ka pasur propozime të ndryshme për datën dhe një nga propozimet që ka ardhur nga shoqata e organizata të ndryshme është edhe data 20 shkurt. Kjo është data e ngadhënjimit të atyre që patën kurajën të përmbysin realisht bustet e gjalla e të vdekura të diktaturës”. Berisha e konsideroi 20 shkurtin edhe si ditën që e bëri Shqipërinë me opozitën e vërtetë. “Dua t ju rrëfej një ndjenjën time personale, që në fakt nuk ishte vetëm imja, por e të gjithë shqiptarëve. Nga dita e themelimit të Partisë Demokratike deri në ditën e rrëzimit të diktaturës, - u shpreh Kryeministri, - në vetëdijen tonë të thellë nuk mund të konsideroheshim një opozitë e vërtetë, sepse diktatori mbretëronte me kultin e tij çdo ditë, tek kalonim në shesh, duke na thënë “jam këtu, i gjithëfuqishëm, ndërsa ju mendoni se jeni, por në fakt ju nuk jeni realë, jeni fictive”. Dhe e vërteta është se 20 Shkurti, kjo ditë e madhe që u përgatit nga një grevë e pashembullt në historinë e një vendi e po atyre që themeluan PD-në, studentëve dhe pedagogëve, kulmoi me përmbysjen e bustit të diktatorit. Të gjithë ata që nuk e arritën atë ditë, nga viti 44 deri më 20 shkurt të vitit 91, në atë moment kanë ndier një lehtësim të madh shpirtëror. Kjo ka qenë shpërblimi imediat dhe i merituar për ta. 20 Shkurti ka edhe një moment të rëndësishëm masiviteti. 20 Shkurti ka një moment tjetër gjithashtu, jehonën botërore. Bota priste pikërisht këtë. Ata na ndihmuan, por sërish diktatori në qendër të sheshit “Skënderbej” ishte një provë jashtëzakonisht e rëndësishme e opozitës shqiptare, të cilën duhet ta kapërcente me sukses”.
Ky lajm është publikuar: 08/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›