Dështon aleanca Basha- Olldashi, klanet e PD përplasen tek hipotekat
Nëse pas zgjedhjeve për kryesinë në Këshillin Kombëtar të PD u duk sikur kishte një aleancë mes Sokol Olldashit dhe Lulëzim Bashës, tani nuk mund të fshihet fakti se mes tyre ka një konflikt të heshtur.
Të dy dolën të parët në votimet që u bënë, ndërkohë që shumë u habitën për shkak se Olldashi e Basha shihen si dy rivalë për të pasuar Berishën në postin e lënë vakant kur të largohet.
Por siç raporton Shqiptarja.com, Basha është përplasur me Olldashin në lidhje me një ligj për hipotekimin e pallateve, të cilat janë braktisur nga investitori. Pallatet e pakolauduara do merren përsipër nga Bashkia e Tiranës. Kështu thotë Ministria e Punëve Publike e Sokol Olldashit. Por Bashkia është kundër këtij propozimi. Dhe ajo që është cinike në këtë mes është se Bashkia nuk e ka thënë vetë diçka të tillë, por e tha dje në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, kryetari Jemin Gjana, që ngriu shqyrtimin e ligjit pasi Bashkia i ishte ankuar në mënyrë informale. Dmth Basha nuk ka marrë as guximin që të dalë përpara Olldashit, por i qenka ankuar Gjanës në ndonjë kafene.