Berisha: Qeveria ime, ndër më transparentet në botë
Kryeministri Sali Berisha, pasi është kthyer nga Mali i Zi, ka mbledhur qeverinë, ku ka mbajtur një fjalim të gjatë për vizitën që ka bërë në vendin fqinj. Berisha pohoi se ka pasur një pritje të ngrohtë, ndërsa ka thënë se Shqipëria do të mbështesë fuqishëm anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Berisha u shpreh gjithashtu se qeveria shqiptare do të mbështesë fuqishëm edhe Ulqinin, në mënyrë që të zhvillohet akoma më shumë si një qendër turistike.
Gjatë fjalës së tij, ai është ndalur edhe tek transparenca e shpenzimeve, duke thënë se qeveria shqiptare është ndër më transparentet në botë.
Ministria e Financave ka arritur që në sistemin e thesarit të paraqesë online shpenzimet e një dite më parë. Qeveria shqiptare është ndër të paktat që bën një transparencë të tillë shpenzimesh. Ajo që kërkoj unë me vendosmëri është që kush të dojë të shkojë në faqen e secilës ministri dhe agjenci për të parë shpenzimet, tha gjatë fjalës së tij Berisha.
Ai nuk ka thënë asnjë fjalë për zhvillimet e fundit, teksa kreu i Gardës së Republikës akuzohet për vrasjet e 21 janarit, ndërsa shefi i IT-së së Kryeministrisë akuzohet se ka fshirë filmimet e 21 janarit.