Meta-Prifti, kur bashkohen armiqtë
I gjithë arsyetimi juridik që shpalli të pafajshëm Ilir Metën. Të gjitha hapat e një procesi që paralajmëronte fundin e shpallur dhe paralajmëron njëkohësisht, edhe pafajësinë e Dritan Priftit, ende nën hetim për videon me ish-zëvendësin e tij. Ku bashkohen dy armiqtë e mëdhenj, Meta dhe Prifti dhe shpërthimi i video politikës. Mbi 170 orë xhirime dhe 200 personazhe nga më të njohurit në jetën politike e mediatike shqiptare janë gati për tu transmetuar.
Nga Lorenc Vangjeli, Revista Java
Në duelin Meta-Prifti, janë dy procese në një. I pari penal dhe me një përfundim të firmosur nga pesë gjykatës të lartë dhe i dyti, politik dhe moral, që do të jepet nga disa milionë shqiptarë në kutitë e votimit në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Por për të mbërritur tek të dy vendimet, ka pasur stacione të ndërmjetme: në rastin e parë disa vendime rresht të Gjykatës së Lartë, të cilat shkallë-shkallë, patën destinacion pafajësinë e Ilir Metës, në rastin e dytë, ishin zgjedhjet lokale të 8 majit, në të cilat partia e Metës pati rritje në elektorat. Por kjo është vetëm pamja e dukshme e një historie shumë më të komplikuar sesa shfaqet në ekranet e televizioneve, një histori ku politika, jurisprudenca dhe deri edhe dobësitë njerëzore, kapriçiot e fatit e fataliteti, fatet personale dhe shumë më tepër se kaq, ndërthurren në mënyrë të pabesueshme.
Revista Java, ka konsultuar ekspertë të jurisprudencës, të cilët afrojnë një pamje krejt të ndryshme nga leximi i thjeshtë dhe skematik i rezultatit përfundimtar të Gjykatës së Lartë, që firmosi pafajësinë e zotit Meta me shifrat pesë me zero. Ajo jep një rindërtim të hap mbas hapshëm të të gjithë veprimeve të prokurorisë dhe të vendimeve të ndërmjetme të Gjykatës së Lartë. Një lojë e hollë, me shumë lëvizje që kushtëzonin njëra-tjetrën, ku e njëjta armë kalonte nga duart e akuzës në ato të mbrojtjes dhe anasjelltas dhe çfarë vriste njëherë, shëronte herën tjetër.
Videoja, si pikënisje
Ishte shenja e parë, që në vështrim të parë, faktoi fajësinë e zotit Meta. Në sy të opinionit publik, por jo përpara drejtësisë, e cila e ka të shenjtë parimin e prezumimit të pafajësisë. Dhe pikërisht videoja u shndërrua në armën më të fortë të të dy palëve, edhe të akuzës, edhe të mbrojtjes së zotit Meta. Fati i saj, u përcaktua nga veprimet dhe mosveprimet e palëve. Sepse vetë videoja në vetvete dhe ekspertimi i saj, nuk është provë, por është vetëm një mjet procedurial drejt provës, siç do të vërente vetë Gjykata gjatë ecurisë së hetimit gjyqësor të procesit.
Prokuroria, kishte kërkuar ekspertimin e videos nga dy ekspertë të huaj, amerikani Glen Bard dhe britaniku Adrian Filips. Me idenë e mbarë për të patur jo vetëm asistencën më të mirë të mundshme teknike, por dhe për të dëshmuar paanësinë e saj në një proces inkadeshent për shkak të ngarkesës së jashtëzakonshme politike që kishte vetë procesi. Por diçka, të paktën duke nisur nga bindja e shumicës së anëtarëve të trupit gjykues, nuk kishte shkuar siç duhej. Në datën 11 korrik, me vendim të ndërmjetëm, Gjykata e Lartë, pranoi kërkesën e zotit Meta për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të akteve të ekspertimit nga dy shtetasit e huaj, Bard dhe Filips. Sepse sipas mbrojtjes dhe pranimit të gjykatës së kërkesës së mbrojtjes, këto akte janë kryer në kundërshtim me kërkesat e Kodit të Procedurës Penale, por dhe të Konventës Evropiane për Ndihmë Juridike në Fushën Penale. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për thelbin e ekspertimit, por për formën e tij dhe mënyrën sesi u sigurua ky ekspertim. Prokuroria, sipas pretendimit të mbrojtjes, nuk ka respektuar kërkesat e Kodit të Procedurës Penale, në nenet 179 dhe 183 për të dy ekspertët dhe për ekspertin britanik, gjithashtu edhe detyrimit që rrjedhin nga Konventa Evropiane. Në këtë mënyrë, gjykata vendos se prokuroria ka ngarkuar detyra për ta dhe ka vjelë opinionin e tyre në rrugë jo zyrtare duke i përjashtuar dy ekspertët nga çdo përgjegjësi, në rast se ata do të bënin akt të rremë ekspertimi. Ekspertët duhet të bënin betimin dhe do të pranonin përgjegjësitë e tyre në rast të mospërmbushjes së rregullt të detyrës, dy veprime që do të shërbenin si garanci për pastërtinë e punës së tyre. Prokuroria, sipas mbrojtjes dhe bindjes së shumicës së trupit gjykues, duhet të kishte përdorur një hallkë të dytë në komunikimin e saj me ekspertët: Ministrinë shqiptare të Drejtësisë. Edhe në momentin përjashtimor që njeh ligji, rastet e ngutshme, së paku, prokuroria duhet të vinte në dijeni Ministrinë e Drejtësisë për këtë segment të punës së saj hetimore. Çdo anashkalim i kësaj ministrie, do të sillte pavlefshmëri proceduriale të videos, siç edhe ndodhi, siç edhe vendosën tre gjykatës, Gani Dizdari, Guxim Zenelaj dhe Arjana Fullani. Relatori i çështjes, gjykatësi Adrian Dvorani dhe gjykatësja Majlinda Andrea, megjithatënë kanë pasur një mendim të ndryshëm. Të mbetur në pakicë, ata kundërshtojnë kolegët e tyre duke përdorur të njëjtat armë, por me një interpretim të ndryshëm juridik të neneve. Në proces rezultoi se Dvorani e Andrea pretenduan vlefshmërinë e ekspertizës sa kohë që veprimet për caktimin e ekspertëve dhe vlefshmërinë e aktit të ekspertimit, ishin kryer në përmbushje të kritereve dhe kushteve pë profesonalizmin e ekspertëve. Dhe për më shumë, shtetësia jo shqiptare e Bard dhe Filips, nuk afronte asnjë problem përballë ligjit shqiptar. Prokuroria, sipas këtij gjykimi në pakicë, ka vepruar drejt sa kohë i ka njoftuar ekspertët për arsyet subjektive që mund ti përjashtonin ata nga kjo detyrë dhe i ka paralajmëruar ata për përgjegjësi penale në rast të mos kryerjes së rregullt të detyrës dhe duke ju kërkuar të betohen. Për më shumë, prokuroria nuk ka kërkuar letërporosi, thjesht dhe vetëm se nuk ka qenë e nevojshme për një çështje të zhvilluar në truall dhe terren tërësisht shqiptar. Dhe po kështu, prokuroria nuk i është drejtuar ndonjë autoriteti juridik të huaj që të kryejë veprime për llogari të hetimit të saj në Tiranë. Ky votim i parë, tre me dy i gjykatësve të trupës gjykuese, për videon, ishte dhe paralajmërimi i parë se po shkohej drejt pafajësisë së zotit Meta. Ai i hapi rrugë dy vendimeve të tjerë për caktimin e ekspertëve shqiptarë, ekspertiza e të cilëve, ishte e ndryshme nga çfarë solli në Tiranë Bard dhe Filips.
Rënia e videos dhe videoja tjetër
Kësaj rradhe hyri në lojë fataliteti. Në momentin e parë të ekspertimit të laptop-it të zotit Prifti nga eksperti amerikan, në Tiranë, mbërrin dhe një video e dytë. Kësaj rradhe, ishte vetë zoti Prifti duke biseduar me zëvendësministrin e tij Beqiri në ambientet e banesës së ish-ministrit të ekonomisë. Edhe përtej hermetizimit të Prorkurorisë, shpejt u mësua dhe përmbajtja e kësaj videoje: pamjet tregojnë zotin Prifti duke montuar së paku dy kamera sekrete në të djathtë të karriges ku pritej të ulej zoti Beqiri, njëra e montuar në një valixhe të zezë dhe tjetra në një stilograf të montuar sërish në valixhe. Videoja e re, sipas prokurorisë, përmbante dyshime të arsyeshme për kryerjen e një vepre të mundshme penale nga dy të filmuarit. Dhe një çështje e tillë nisi, për shkak se edhe në audio, edhe në video, da
