E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deshton edhe elektronika e Tiranes

“Përdorimi manual i identifikimit elektronik të zgjedhësve në Tiranë, me katër vota ‘pro’ marrim vendimin për anulimin e kontratës për teknologjinë e Tiranës”.

Në këto pak sekonda u miratua dështimi zyrtar edhe i teknologjisë së Tiranës, dështim me kosto mbi 2.6 milionë euro. Sipas raportit të KQZ, kjo erdhi pasi testimi i projektit nuk përmbushte qëllimin e tij, për siguri dhe garanci në identifikimin e dokumentave të votimit. Kjo, pasi 11% nga kartat e testuara nuk arritën të lexohen nga aparatura, theksohet në raportin e KQZ. Por, vendimi për ta dështuar projektin teknologjik të Tiranës, për opozitën, është sabotim i qëllimshëm, që po shitet si dështim me nder i kompanisë. Përfaqësuesi ligjor i PS në KQZ, Genc Gjoncaj, renditi të gjitha shkeljet e afateve kohore me mbi tre muaj, që iu bënë projektit, duke i shtuar kësaj edhe faktin se KQZ nuk nxorri, në kundërshtim me kodin zgjedhor, asnjë akt për përdorimin e teknologjisë në Tiranë. “Sot mund të themi se projekti u sabotua qëllimisht. KQZ e dështoi projektin e orkestruar nga qeveria, përgjegjësia për dëmin është penal material dhe administrativ”, tha Gjoncaj. “Është e vërtetë që harxhuan paratë dhe na vjen keq, por s’mund të rrezikonim procesin. Mbështes vendimin e KQZ-së”, tha Kosovrasti. “Kushdo që do ishte sot në karriget tona do ta merrte këtë vendim”, tha Lleshi. Dështimi i projektit të Tiranës vjen, pasi KQZ i ka paguar kompanisë INDRA 90% të faturës financare, rreth 2.4 milionë euro. Sipas kontratës, kjo pagesë është bërë deri në fazën e përfundimit të testit, dhe 10 përqindëshi i mbetur do të paguhej ditën e zgjedhjeve, pavarësisht se në debatin e mbledhjes së KQZ-së, aspekti financiar ishte më pak i përmenduri. “Sa është vlera? Më vonë, se nuk e kemi gati”. Pas Fierit, projekti i zbatimit të teknologjisë për Tiranën është dështimi i dytë zyrtar  i miratuar në KQZ, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve, dështime që, përvec se vendosin palët në pozicione edhe më të thella mosbesimi ndaj procesit, u paguan nga paratë e shqiptarëve, të dyja së bashku në vlerën e rreth 3.4 milionë euro, dëm për të cilin nuk ka një emër përgjegjës. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›