Dështon edhe raundi i tetë i bisedimeve Prishtinë-Beograd
Bisedimet në Bruksel me ndërmjetësimin e Ashton zgjatën më shumë se 12 orë
Pa një marrëveshje ka përfunduar takimi i raundit të tetë të bisedimeve ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi, homologut te tij serb, Ivica Daçic me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë së BE-së, baroneshës Catherine Ashton.
Pas takimit kryeministri Thaçi tha se Serbia sërish ka hezituar dhe dëshiron të përfitojë kohë.
Kryeministri serb, Ivica Daçiç tha se “ka edhe pak kohë për të gjetur një zgjidhje dhe të mblidhen përshtypjet nga këto bisedime të gjata”. Ai tha se për shkak të situatës zëvendëskryeministri serb Aleksandër Vuçiç kishte ofruar dorëheqjen e tij, por kjo ishte refuzuar.
Por për shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton ky është takimi i fundit.
“Kjo është hera e fundit që takohemi formalisht. Një numër propozimesh janë hedhur në tryezë. Hendeku mes palëve është shumë i ngushtë, por i thellë. Ata do të shkojnë për këshillime në kryeqytetet e tyre dhe do më njoftojnë gjatë disa ditëve të ardhshme për vendimet e tyre”.
Sidoqoftë, gjatë ditëve të vazhdim do të bëhet më e qartë nëse do të ketë takim të ri dhe kur mund të ndodhë, meqë koha është e shkurtër. Më 16 prill, Ashton do të raportojë para ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian për rezultatet e bisedimeve nga të cilat varet edhe procesi i integrimeve evropiane të të dyja vendeve.