Manekinët e gjallë në vitrina po çmendin italianët
Modelet meshkuj dhe femra kanë hutuar qytetarët e Milanos në Itali me pozimin e tyre nëpër vitrinat e dyqaneve, duke promovuar kostume banjo për sezonin e verës.
Ky lloj promovimi me manekinë të gjallë është etiketuar si “trupa njerëzor në formë malli” nga sindikalistët italianë dhe është quajtur si denigruese nga sindikata Filcamc CGIL.
“Ta bëjmë të qartë se ne nuk jemi kundër shitjes, kundër ekonomisë së tregut, ose kundër myshterinjve”, njoftoi sindikata nëpërmjet një komunikate për media. “Por ne dëshirojmë të mbrojmë nderin e punëtorëve dhe inteligjencën e myshterinjve”.
Mirëpo, modelet e rinj nuk u mërziten fort dhe pasi kryen punën e tyre duke pozuar në vitrinat e dyqaneve ata u kthyen prapë me pankarta të shkruara “Edhe modelimi është punë”.