E Diel, 1 Nëntor 2026

Ringjallja e Bogdanit

Erjon Bogdani është ringjallur, që kur u rikthye te Siena. Pas një gjysmë sezoni anonim me Cesenan, sulmuesi shqiptar shpërtheu tek ish skuadra e tij duke realizuar tri gola nga po aq paraqitje. 34 vjeçari ndihet i lumtur që po e ndihmon Sienën me gola dhe beson që ky ekip do të mbijetojë këtë vit në Serie A.

Erjon Bogdani e kaloi pjesën e parë të sezonit te Cesena kryesisht në bankën rezervë. Me arritjen e Adrian Mutus në fillim të sezonit dhe Vincenzo Iaquintas në janar, hapësirat e sulmuesit shqiptar po ngushtoheshin dita-ditës.

Prandaj, përfaqësuesi shqiptar e mori vendimin që të largohej nga Cesena për t’u rikthyer në Sienë, ku kishte luajtur edhe më parë. Dhe, ‘Bogu’ as që e kishte menduar se do të kishte një nismë aq të mbarë të eksperiencës së dytë tek ekipi bardh e zi.

Ai ka realizuar tri gola në tri ndeshjet e para, duke e ndihmuar ekipin e tij të ri (vjetër) që t’i ikën sadopak zonës së ekipeve të rrezikuara për të rënë nga Serie A. 34 vjeçari ndihet i lumtur që po e ndihmon Sienën me gola.

“Jam mjaft i kënaqur me golat e mi dhe me fitoren e sotme. Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që ma dhanë besimin. Unë këtu po e shijoj një ëndërr”, theksoi fillimisht sulmuesi shqiptar pas ndeshjes.

Aktualisht Siena gjendet në pozitën e 15-të me 32 pikë të tubuara, 7 më shumë se Lecce, e cila është e 18-ta, vend ky që çon në Serie B. Mirëpo, ky fakt nuk e relakson ish futbollistin e Chievos e Livornos.

“Nuk kemi shpëtuar ende. Kur t’i bëjmë 40 pikë, mund ta themi këtë. Jemi një skuadër që nuk duhet të dorëzohet asnjëherë. Duhet të luajmë siç dimë dhe të ushtrojmë fort për t’i grumbulluar pikët që na nevojiten për mbijetesë”, përfundoi sulmuesi shqiptar.

Bogdani u inkuadrua në lojë në minutën e 72-të në vend të Destros. Ai e humbi një penallti në minutën e 75-të, por ia doli ta shënonte golin e qetësisë së Sienës në minutën e 81-të të takimit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›