Deshton protesta e te rinjve maqedonas

Ka dështuar protesta e të rinjve maqedonas para Qeverisë së Maqedonisë e paralajmëruar si kundërpërgjigje për protestën e një dite më parë të organizuar nga shqiptarët.
Apelit për protestë i janë përgjigjur vetëm më pak se 100 të rinj maqedonas. Edhe pse numri i tyre ka qenë i vogël, nuk kanë munguar thirrjet raciste kundër shqiptarëve si “Vdekje për shqiptarët”, “Shqiptarët e mallkuar”, por ka pasur edhe thirrje “Stop terrorizmit islamik”, “Qeveria shqiptare”, “Policia shqiptare” e kështu me radhë.
Një pjesë e protestuesve kanë fshehur fytyrat dhe i kanë kërcënuar kameramanët dhe fotoreporterët që kanë dashur t’i xhirojnë ose fotografojnë. Para Qeverisë ka pasur forca të mëdha policore, por intervenimi i tyre nuk ka qenë i nevojshëm, sepse protestuesit janë shpërndarë të qetë.
Situata e krijuar pas aksionit policor “Monstra” është analizuar edhe nga këshilli i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik.
Duke shprehur respekt ndaj të drejtës për të protestuar, BDI ka dënuar sjelljen e grupeve të cilat gjatë protestës kanë sulmuar disa objekte dhe janë përplasur me policinë, por edhe sulmet ndaj disa gazetarëve.