E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raundi i tretë i votimit për presidentin, sërish pa kandidat

Kuvendi ka nisur seancën plenare ku do të votohet për raundin e tretë të votimit për zgjedhjen e presidentit. Edhe ky raund rrezikon të dështojë ashtu si edhe dy raundet e mëparshme pasi në Kuvend nuk ka as sot, një emër për të votuar për kreun e ri të shtetit.
 

Seanca ishte planifikuar të ndiqet edhe nga ambasadori i BE-së, Ettore Sequi dhe ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu, por ky i fundit rreth orës 10: 41 u largua nga Kuvendi.
 

Komisioni i Ligjeve: Raundi i tretë pa asnjë kandidat
Raundi i tretë i votimit për kreun e ri të shtetit do të jetë sërish pa kandidat. Kjo është konfirmuar në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, i cili i ka dorëzuar raportin parlamentit për raundin e tretë për votimin e presidentit.

Komisioni i Ligjeve ka konfirmuar se nuk ka ende asnjë kandidat zyrtar për garën presidenciale. Për pasojë, votimi i tretë do të quhet i ezauruar, “votim i kryer pa asnjë kandidat”.

Me anë të një raporti që ia ka paraqitur Kuvendit sot, ky komision deklaron se asnjë deputet nuk ka hedhur firmën në mbështetje të ndonjë kandidati konkret për President. Në mbledhje kanë munguar deputetët e opozitës.
 

Dy raundet e para të votimit për presidentin e ri të vendit u mbyllën pa kandidatë. I vetmi kandidat për President mbetet gjyqtari, Xhezair Zaganjori, i propozuar nga maxhoranca, por që opozita nuk ka dhënë konsesusin pasi e cilëson si kandidaturë të njëanshme.

Ndërkohë që opozita deklaron se nuk do të propozojë asnjë kandidat për zgjedhjen e kreut të shtetit, por kërkon që mazhoranca të sjellë kandidatura konsensuale.
 

Procedurat
Në Kushtetutë është vendosur që procesi i votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të bëhet në pesë raunde nëse zgjedhja nuk arrihet në raundin e parë dhe kandidatët të marrin 84 vota të deputetëve të pranishëm. Votimi për zgjedhjen e kreut të shtetit do të kryhet brenda shtatë ditëve, derisa kandidatët që do të jenë në garë të sigurojnë një mbështetje maksimale.
 

Çdo votim do të kryhet në mënyrë të fshehtë dhe pa debat. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten edhe kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të nenit 86 të Kushtetutës.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›