E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deshton raundi i pare i votimit per presidentin

Konsumohet raundi i parë i votimit për presidentin. Mazhoranca dhe opozita nuk kanë arritur asnjë konsensus për kandidaturën e paraqitur nga mazhoranca, Xhezai Zaganjori, që sipas tyre plotësonte kriteret për të qenë një president konsesnual. Pas bisedimeve të sotme mes kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi dhe homologut të tij socialist Gramoz Ruçi, ky i fundit e cilësoi qëndrimin e mazhorancës të njëanshëm, ndërsa Patozi është shprehur pas takimit se Partia Socialiste po mban një qëndrim bllokues. Sipas tij ekzistojnë të gjitha mundësitë që në raundin e dytë të zgjidhet një president konsensual.

Patozi: Dështon raundi i parë i votimit për presidentin
“Platforma e Ramës është për të bllokuar reformat dhe presidentin.Tre ditë më parë u ulëm në tryezë na u kërkua që procesi të futej në rrugë pa krye duke kërkuar ultimatume. Sot erdhëm me propozim real dhe të formalizuar tashmë nga aleatët qeverisës, i cila i plotësonte kushtet për të qenë president konsensual, kurse Rama refuzoi kandidaturën”- u shpreh Patozi pas takimit, ndërsa shtoi se takimi i sotëm i la shije të hidhur dhe se mazhoranca do konsumojë të gjitha përpjekjet e saj, që opozita t’i thërrasë arsyes.
Kreu i grupit kuvendor demokrat u shpreh gjithashtu i bindur se pas dështimit të raundit të parë të votimit të presidentit janë të gjitha mundësitë që në raundin e dytë të zgjidhet një president konsensual.

Ruçi: Nuk pranojmë kandidat nga mazhoranca
Nga ana e tij kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi deklaroi se kandidati i PD-së dhe LSI-së është zgjedhur në mënyrë të njëanshme dhe se nuk mund të pranohet nga opozita.
“Propozimi i një kandidati në mënyrë të njëanshme nuk është një zgjidhje. Ky është qëndrim i njëanshëm i mazhorancës, në vend të kërkonin dialog e konsensus, ata zhvilluan monolog. Të presim çdo të ndodhë, në Kuvend”, theksoi Ruçi.

Ndërkaq komisioni i Ligjeve ka dalë me një deklaratë për mediat ku ka saktësuar se pranë këtij komsioni nuk është depozituar asnjë kandidat dhe nëse nuk ka kandidat votimi quhet i kryer.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›