E Diel, 1 Nëntor 2026

Zaganjori, konsulenti juridik i Ministrisë së Jashtme për marrëveshjen e shitjes së detit

Share

Duke dhuruar detin me nje buzeqeshje

Kandidati i mazhorancës për postin e presidentit, Xhezair Zaganjori, ka qenë konsulent juridik i Ministrisë së Jashtme për marrëveshjen e përcaktimit të kufijve detarë me Greqinë. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Jashtëm i asaj kohe, Lulzim Basha, me homologen e tij greke, Dora Bakojanis.

Ishte Gazeta Shqiptare që raportonte atëherë se Drejtoresha e Marrëdhënieve Juridike në Ministrinë e Jashtme, Ledia Hysi, kishte kërkuar nga Zaganjori që të ofronte ekspertizë për grupin që do të shkonte në bisedime me palën greke për përcaktimin e kufijve. Kërkesa është pranuar nga ana e tij, edhe pse në shkelje të hapur të ligjit për konfliktin e interesit që sanksionon se qenia anëtar i Gjykatës Kushtetuese nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore, politike apo private.

Konsulenca ligjore që Zaganjori i ka ofruar grupit negociator nuk ka lënë gjurmë në dokumentet zyrtare që shteti shqiptar ka protokolluar për këtë çështje, pasi anëtari i Gjykatës Kushtetuese ka qenë konsulent i jashtëm dhe jo pjesë e grupit

negociator që bisedoi e nënshkroi me palën greke marrëveshjen e

kufirit detar.

I pyetur nga Gazeta Shqiptare, Zaganjori tha se në mënyrë absolute nuk kam qenë në dijeni të përmbajtjes së marrëveshjes dhe miratimit të saj deri ditën që në media u publikua një fakt i tillë. Me marrëveshjen jam njohur në detaje ditën kur është paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesa ankimore.

Nënshkrimi i saj shkaktoi një tërmet në opinionin publik. Por ishte Gjykata Kushtetuese që vendosi kundër kësaj marrëveshje. Ajo që të bën përshtypje është se Kushtetuesja, ku bën pjesë Zaganjori, votoi në mënyrë unanime kundër marrëveshjes. Pra vetë Zaganjori votoi kundër një marrëveshje, për të cilën kishte ndihmuar juridikisht. Trysnia e madhe mesa duket e ka çuar në këtë vendim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›