E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështon sistemi elektronik, KQZ: Verifikimi i votuesve te Tiranës në mënyrë manuale

TIRANË- Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve pas debateve dhe dështimit procesit të verifikimit të kartave të identitetit, që do të zbatohet në qarkun e Tiranës për zgjedhjet e 23 qershorit vendosi që verifikimi i votuesve të bëhet në mënyrë manuale.

Projekti iu nënshtrua një testimi paraprak më 8 qershor, nga ku u konstatuan problematika të ndryshme, pas të cilave administrata propozon që ai të mos zbatohet. Gjatë këtij testimi, pajisjet e ofruara nga kompania spanjolle, INDRA, fituese e tenderit për zbatimin e projektit, ndërsa arrinin të identifikonin nëse dokumenti është origjinal apo jo, nuk mund të përcaktonin në kohë reale nëse një zgjedhës ka votuar në më shumë se një qendër votimi. 

KQZ debate për verifikimin elektronik të kartave të identitetit 
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve po diskutoi pasditen e sotme për shqyrtimin e propozimit të administratës së KQZ-së lidhur me projektin pilot të verifikimit të kartave të identitetit, që do të zbatohet në qarkun e Tiranës për zgjedhjet e 23 qershorit.
Përfaqësuesi i PS në KQZ Genc Gjoncaj: “KQZ nuk miratoi metodologjinë e tekstit. Procesi është sabotuar qëllimisht nga KQZ. KQZ përgjegjëse për mbarëvajtjen e projektit dhe për shpërdorimin e fondeve”.

Përfaqësuesi ligjor i PD në KQZ, Njazi Kosovrasti: “Nuk mund të shkojmë në zgjedhje në këto kushte. Sistemi i verifikimit të kartave ka probleme. Kompania tha se problemet mund të tejkaloheshin . Problemet, KQZ nuk i ka paraqitur zyrtarisht. Aparatura thotë se karta s’fotografohet dot. Mosfotografimi i kartës, s’do të thotë se është fals. U realizuan 2 prova për verifikimin elektronik . Provat u rezultuan me probleme, nuk është sabotim .”

Zgjedhjet, dështon edhe në Tiranë procesi i verifikimit elektronik të kartave
Ka dështuar edhe në Tiranë verifikimi i kartave të identitetit nëpërmjet projektit teknologjik të verifikimit dhe regjistrimit elektronik të zgjedhësve.

Mësohet se testi i realizuar më 8 qershor për kartat konstatoi probleme. Sipas administratës së KQZ, testi rezultoi me probleme dhe pa integritet. KQZ konstatoi më tej se janë vërejtur mangësi në elementët e sigurisë. Po ashtu, probleme paraqet edhe ana operacionale dhe funksionale e sistemit.

Nisur nga kjo, administrata e KQZ propozoi që të mos realizohet projekti pilot. Pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mblidhet sot pasdite për propozimin e administratës. 

Ndërkaq, kompania spanjolle ‘INDRA’ nuk ka rënë dakord me konkluzionet. Një ditë më parë KQZ vendosi të mos aplikojë dhe projektin tjetër të teknologjisë së re, numërimin elektronik të votave në qarkun e Fierit, pasi firma spanjolle e kishte ndërtuar modelin e fletës së votimit me 42 subjekte, ndërkohë që fleta realisht përmban 66 subjekte.

TESTI
Në simulimin e parë, në dy qendra votimi në hollin e Pallatit të Kongreseve votuan rreth 44 zgjedhës ndërsa 5 prej tyre nuk ju njoh nga sistemi karta e identitetit, por ata gjithsesi votuan manualisht. Problematika e votuesve që votojnë dy herë ishte sepse ata zbuloheshin vetëm pas 48 orësh, ndërsa përgjigjia për këtë problematikë, sipas përfaqësueve të KQZ-së ishte se nëse një person voton dy herë sistemi dixhital e identifikon dhe menjëherë ai person shkon për ndjekje penale, ku minimalisht denohet me 5 vite, ndërsa vota e hedhur dy herë do të numërohet dhe do të quhet.

Sipas përfaqësueve të KQZ-së, përsa u përket kartave të falsifikuara sistemi nuk i njeh dhe nuk do të pranohen të votojnë. Në testimin e dytë të sistemit ishin eskpertët e partive politike të cilët, së bashku me ekspertët e kompanisë spanjolle testuan deri në detaje programin. Ata shtruan shumë pyetje, ku një ndër kryesoret ishte korruptimi i të dhënave në kompjuterat qe ndodhen në qendrat e votimit në gjithë Tiranën.

Sistemi i ri elektronik parashikon që çdo qendër të ketë një ekran të madh, një kompjuter tip, laptop si dhe dy makineri të cilat shërbejnë për identifikimin online të votuesve, ndërsa dy mjetet që pranohen për të votuar karta dhe pasaporta. Ndërsa sistemi, çdo 5 minuta dërgon të dhëna nga qendrat e votimit në serverin qendror që ndodhet në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, ku prej andej printohen edhe raportet përkatëse. 

LAJMI VIJON.....

(m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera Zgjedhjet, nis nesër shpërndarja e materialeve zgjedhore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›