E Diel, 1 Nëntor 2026

Kamëz, Rama: Berisha si Fatos Nano: Flet me veten se i ka ardhur fundi

TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama në mitingun përmbyllës në Kamëz, premtoi se brenda mandatit të parë të qeverisjes, do të legalizojë të gjithë banesat në zonat informale të vendit. 

“Sa herë ka fushatë elektorale, dy tre muaj përpara këta të integremit këta thonë o burra legalizime. U bënë çerek shekulli, ku i keni legalizimet, keni vetëm ca Shaban tapi në dorë që nuk i duhen dreqit. Unë kam ardhur këtu t’iu them se është koha për ta mbyllur njëherë e mirë këtë plagë dhimbjesh dhe vuajtjes, për shkak të mungesës së legalizimeve. Ju zotohem solemnisht se qeveria e ‘Rilindjes’ dhe unë personalisht do angazhohemi me mish e shpirt që brenda mandati të parë, shtëpitë në zonat informale të jene kthyer ne pasuri të patundshme për të gjitha familjet që jetojnë në to”, premtoi Rama. 

Rama ironizoi edhe deklaratat e kryeministrit Berisha në takimet elektorale të PD, duke e paralizuar se ish-lideri e së majtës Fatos Nano. 

“E keni dëgjuar që thotë unë jam Sali Berisha a thua kemi harruar. Si Fatos Nano...Unë jam Fatos Bano dhe prapa më vjen historia. Kështu janë këta flasin me vete kur i vjen fundit. Unë jam ai që e bëri Tiranën dhe do e bëjë dhe Kamzën si Tirana. Kush e do Kamzën si Tirana të votojë PS. Shikoni sa iu do Saliu dhe tek linja e urbanit ju ka ndarë vende-vende, se dhe me linjën e urbanëve bëjnë pazare me xhepat e shpuar tuaj. Me ‘Rilindjen’ Kamza dhe Tirana do jenë pjesë të njëjtit transport urban”, ironizoi Rama. 

Kryesocialisti Rama akuzoi kryeministrin Berisha se për çerek shekulli ka përhapur frymën e ndasisë veri-jug në vend, ndërkohë që hodhi poshtë akuzat e demokratëve, të cilën e fajësojnë se ka etiketuar veriorët si shpellar.

“Po bëhet çerek shekulli që Saliu vijon t’iu mbajë peng, t’iu përdore si mish për topat e fushatave të tij elektorale, vijon t’iu trajtojë si një turme, që mund ta çojë ku të dojë duke ardhur dhe duke e mbjelle sa herë që vjen, farën e përçarjes, në Kamëz, Bathore, Paskuqan dhe zonat informate dhe lumenjtë e mllefit ndaj opozitës. Duke rrotulluar sa herë që vjen thikën e vjetër dhe te ndryshkur të një ndasie të trashëguar, që u shpik nga armiqtë e Shqipërisë, ndasia veri jug. Çerek shekulli që ky burrë është bërë kalorësi i kësaj ndasie. Ka çerek shekulli që përpiqet t’iu mbajë të ndarë nga kryeqyteti, t’iu mbajë të ndarë nga rruga e zhvillimit, se ju duhet që të jeni të papunë dhe të inatosur t’iu përdore sa herë ka fushata. Unë ja them këtu në shesh të burrave, nëse Saliu dhe gjithë arkivat e televizioneve dhe radiove te tij nxjerrin njëherë të vetme ku unë me figure apo me zë të kem përdorur këtë term për ju unë tërhiqem nga politika dhe iki nga Shqipëria. E dini sepse në Shqipëri ka vetëm një shpellar dhe ai quhet Sali Berisha. Ai e ka kthyer Shqipërinë në shpellën e Ali Babës dhe 40 hajdutëve. Edhe Enver Hoxha të ngjallej nuk ju kthen nga ka ardhur”, u shpreh Rama. 

"Shikoni si e shkrusjnë fjalën integrim, integrem, sepse në mendjen e tyre ngatërrojnë grimin me grepin dhe duan t’iu mbaj në tek grepi i tyre, këta janë këta, këta injorantë që mbajnë peng Shqipërinë. Që i frynë zjarrit të ndasisë dhe ndasisë së shqiptarëve. Këta janë injorantët e mbuluan Shqipërinë me gënjeshtra dhe shpifje”, komentoi Rama një mbishkrim në një poster elektoral të PD-së. 

Rama në përfundim të fjalës së tij ,i bëri thirrje të rinjve prindërit e të cilëve janë demokratë që të marrin fatin e tyre në dorë. “Ka ardhur koha që ta marrë çuni babën për dore dhe ti tregojë si të votojë”, tha Rama.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›