E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR, Mediu: Duka refuzoi ofertën e PS për të përfaqësuar Shijakun

SHIJAK- Partia Republikane ka zhvilluar sot një takim elektoral në Shijak, ku ka përfaqësuar para tyre kandidatin për deputet Agron Dukën.

Në fjalën e tij, kreu i PR-së Mediu u shpreh se Shijaku do të përfaqësohet denjësisht në Kuvendin e ardhshëm, nga djali i tij Agron Duka që ka punuar dhe do vazhdojë të punojë për vendin e tij.

“Shijaku do të ketë në Kuvend zërin e tij të vërtetë, Gon Duka nuk është përfaqësues vetëm i PR, por i gjithë Shijakut. Familja Duka është e nderuar në Shijak, po ashtu edhe Goni ka punuar cdo ditë, cdo javë e muaj për të ndërtuar mirëqenie për familjen e për të punuar me gjithë Shijakun për më shumë mirëqenie”, tha ai.

Mediu shtoi se, “Partia Socialiste i kërkoi Dukës që të bëhej deputet në Berat, por Duka ka pasur dhe ka një synim, të përfaqësojë ata me të cilët ka punuar, banorët e Shijakut. Për Gon Dukën politika është dytësore, njerëzit e thjeshtë për të i japin vlerë politikës”, shtoi ai.
Mediu tha më tej se, PR është partia që kërkon të punojë nëpërmjet rrugës së ndershme. Ai u fokusua edhe tek problemi i pronave, duke thënë se, “Cështja e pronës duhet të marrë zgjidhje sa më parë”.

“Zgjidhni njeriun që është afër jush”, tha Mediu përpara qytetarëve të Shijakut.

DUKA: DO PUNOJ PËR SHIJAKUN SA TË KEM FRYMË
Kandidati për deputet i PR, Agron Duka u shpreh para qytetarëve të tij se do mund t’i përfaqësojë ata me dinjitet në Kuvend, nëse i japin votën Partisë Republikane.

“Unë jam këtu për të përmbushur një betim për zonën time, që ti shërbej me përkushtim. Si shijakas moralin tim dhe tuajin e kam të shenjtë, unë i përkas kësaj zone dhe do të punoj për të sa të kem frymë, prandaj më votoni”, tha Duka.

Duke ftuar shijakasit të votojnë të sigurt Partinë Republikane dhe numrin 45, Duka theksoi se, “Gjatë gjithë karrierës sime të shenjtë mbeteni vetëm ju, ndjej për detyrë t’ju shërbej”.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›