E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon votimi për buxhetin e Tiranës, kaos pas votimit

Nga L.Progni

Dështon për herë të dytë miratimi i buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Pas një votimi të parë, me votat që numëroi kryebashkiaku, Edi Rama, buxheti ishte miratuar, por më pas erdhën kundërshtimet e këshilltarëve të PD dhe LSI.

Dhe pse Sokol Dervishi, kryetari i Këshillit Bashkiak, kërkoi rivotim, kjo gjë nuk ndodhi, për shkak të rrëmujës së madhe të krijuar.

Pas më shumë se 10 minuta debatesh, Dervishi vendosi shpalljen e votimit të pavlefshëm dhe shtyrjen e tij për një datë tjetër, që do të vendoset më vonë.

E gjithë seanca është shoqëruar me debate.

Fillimisht këshilltarja e LSI, Monika Kryemadhi, në fjalën e saj ka akuzuar bashkinë për abuzim me fondet që janë hedhur për infrastrukturën dhe me fondet që janë në shërbim të administratës bashkiake.

“Janë bëre shpenzime kolosale nga administrata e Bashkisë së Tiranës. Duhet të ulen shpenzimet operative. Nga ana tjetër, kemi fonde të hedhura dëm. Bulevardeve “Dëshmorët e Kombit” dhe “Zogu i Parë” iu lëvizin pllakat”, - ka pohuar Kryemadhi.

Por kryetari i bashkisë, Edi Rama, ka hedhur poshtë akuzat duke publikuar planet e investimeve dhe shpenzimeve që kërkon administrata e tij.

“Detajimi i fondit të komunitetit nuk është në përmbajtje të dokumentit të buxhetit. Shpenzimet për administratën kërkojnë vetëm 8% të buxhetit. Nga ana tjetër, kemi bërë investime të shumta për Tiranën. Qyteti ka gjithnjë e më shumë sinjalistikë, ndërkohë që në buxhetin e 2009 parashikohet ndërtimi i mbi 30 kënde lojërash”, - ka pohuar Rama.

“Çdo buxhet ka të mirat dhe të këqijat e tij. Çdokush mund të gjejë arsye për t’u vendosur kundër. Por ajo që mua më rezulton nga gjithë këto pretendime të shprehura publikisht është një qasje që vjen ose si rezultat i mos leximit të buxhetit, ose nga moskuptimi i buxhetit. Nuk është e vërtetë që miliarda lekë kanë shkuar në drejtim të paditur”, - tha Rama.

Pak orë përpara seancës, këshilltarët e LSI kanë kërkuar nga kreu i bashkisë detajim të projektbuxhetit. Zonja Monika Kryemadhi ka zgjedhur sheshin “Skënderbej” për të dhënë qëndrimin për buxhetin dhe për t’iu kundërpërgjigjur akuzave të bashkisë.

“Ky oborr prej 10 vitesh nuk është rikonstruktuar asnjëherë nga fillimi deri në fund. I kërkojmë bashkisë të marrë parasysh kërkesat e këshilltarëve, pasi paratë e qytetarëve të Tiranës, nuk mund të shpërdorohen”, - u shpreh Kryemadhi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›