Duro: “Partizani nuk e ka frikë Dinamon”
Me një humbje me katër gola të pësuar nga Tirana dhe me katër lojtarë të pezulluar, ku spikat portieri Kotorri, Dinamo e vendit të tretë me 29 pikë do të përballet në “Qemal Stafa” me Partizanin e frymëzuar nga fitorja ndaj Bylisit.
Edhe pse nuk ka atmosferën e “finales” së 17 majit të kaluar, kur Dinamo fitoi titullin e 17-të kampion, ndeshja me të “kuqtë” është një test besimi për kampionët në fuqi.
Derbi i dytë radhazi i kryeqytetit ka një lojtar “vip” në fushë, mesfushorin sulmues të Dinamos, Elis Bakajn. Ish-lojtari i krijuar në “laboratorin” e Partizanit do të luajë për herë të parë kundër skuadrës që i dha famën e një prej lojtarëve më të talentuar shqiptarë të pesë viteve të fundit.
Blutë do të jenë pa katër lojtarë titullarë, Kotorrin, Brahjan, Poçin e Nikoliçin, por për trajnerin Zlatko Daliç rikthehet kapiteni Arian Pisha, mungesa e të cilit u ndie shumë në humbjen 2-4 me Tiranën të shtunën e kaluar.
Kroati ka ideuar një formacion tërësisht me detyra ofensive, ku dy sulmuesve të mirëfilltë, Sefa e Plaku, i bashkëngjiten argjentinasi Çeko e Elis Bakaj. Dinamo, në mungesë të Kotorrit, njëri prej portierëve më të mirë të kampionatit, do të ketë në portë 19-vjeçarin Sulejman Hoxha.
Derbi ka aromë të veçantë edhe për tri blerjet dimërore të Partizanit, Engert Bakallin, Gentian Gjondedën e Rezart Mahon, të cilët do të përballen për herë të parë kundër ish-të kaluarës së tyre, pasi më parë mbrojtësi veteran i Partizanit, Luan Pinari, ka luajtur kundër Dinamos.
Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, pas fitores së merituar me Bylisin në Ballsh, nuk ka dashur të tregohet euforik. “Ndaj skuadrave të forta, Partizani ka luajtur shumë mirë. Këtu kam parasysh ndeshjet me Vllazninë, Tiranën, Besën e Elbasanit, ku kemi qenë superiorë në lojë, duke marrë ndoshta më pak se sa meritonim. Prandaj, Partizani nuk duhet ta ketë frikë Dinamon”, - tha ish-ndihmësi i Oto Bariçit për mediat.
Në ndeshjen e fazës së parë, Partizani humbi me Dinamon me rezultatin 2-0, me gola të Artion Poçit dhe Sebino Plakut.
Dy skuadrat, që sezonin e kaluar e përfunduan si kampionë (Dinamo) e nënkampionë (Partizani) i ndan një diferencë prej 13 pikësh në favor të Dinamos (29 pikë Dinamo, 16 pikë Partizani), por Partizani vjen pas fitores me Bylisin dhe Dinamo pas humbjes së hidhur me Tiranën.
Taullahu, “xhaketa” e derbit
Derbi i kryeqytetit Partizani-Dinamo (të mërkurën, 14:00) i është besuar Artan Taullahut. Takimi tjetër intrigues i javës së 19-të, ai midis Vllaznisë kryesuese dhe Besës, do të gjykohet nga Lorenc Jemini, që së fundi i kishte drejtuar shkodranët në “Loro Boriçi” në humbjen me Dinamon (0-1). Sfida e nxehtë Apolonia-Bylis do të jetë nën “bilbilin” e gjyqtarit të ri Remzi Sadiku. Flamurtari-Teuta ka si “xhaketë të zezë” tiranasin Kridens Meta, ndërsa sfida përmbyllëse e kësaj jave, Tirana-Shkumbini, është e tëra e Aranit Lulajt. Lushnja-Elbasani ka si të “parë” laçianin Sokol Çekaj.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA XIX
04.02.2009
Apolonia-Bylis (Sadiku)
Lushnja-Elbasani(Çekaj)
Vllaznia-Besa (Jemini)
Partizani-Dinamo (Taullau)
Flamurtari-Teuta (Meta)
05.02.2009
Tirana-Shkumbini (Lulaj)
RENDITJA
1.Vllaznia 34
2.Tirana 33
3.Dinamo 29
4.Besa 29
5.Shkumbini 27
6.Teuta 24
7.Elbasani 23
8.Flamurtari 23
9.Apolonia 21
10.Bylis 17
11.Partizani 16
12.Lushnja 14
Han, skaner për Sukajn e Memellin
Java e 19-të e Kategorisë Superiore është e tëra nën skanerin e stafit të Kombëtares A të Shqipërisë. Kur duhen vetëm 7 ditë nga ndeshja e rëndësishme me Maltën, trajneri Ari Han dhe ndihmësit e tij holandezë mbërritën dje në Shqipëri në orët e vona të mbrëmjes. Në axhendën e Ari Hanit është ndeshja Vllaznia-Besa (në vëzhgim do të jetë sulmuesi Xhevahir Sukaj), ndërkohë që në atë të ndihmësit të tij, Vim Surbier, do të jetë Lushnja-Elbasani (në skaner forma e Endri Vrapit dhe Nevil Dedes). E enjtja ofron sfidën Tirana-Shkumbini dhe i vëzhguari special i Ari Hanit do të jetë Migen Memelli, golashënuesi më i mirë aktual i kampionatit shqiptar, që me 20 golat e tij në 18 ndeshje të aktivizuara në të dy kompeticionet (12 në kampionat e 8 në Kupën e Shqipërisë) duket se i pëlqen jo pak ish-trajnerit që ka drejtuar në Kinë e Kamerun. Te Tirana luajnë edhe mbrojtësi Andi Lila dhe mesfushori Ansi Agolli. Sulmi i Shqipërisë A nuk ka ngrohur shumë në katër ndeshjet e para zyrtare, ku reparti i avancuar ka realizuar vetëm një nga tre golat e shënuar nga përfaqësuesja jonë, pikërisht në fitoren 3-0 kundër Maltës. Shqipëria nuk e ka gjetur golin në dy ndeshjet e fundit zyrtare, ato kundër Hungarisë e Portugalisë, dhe objektivi i madh, fitorja, pa dyshim që duhet të mbërrijë përmes të paktën një goli të shënuar. Ndërsa Migen Memelli, i grumbulluar vetëm në zborin e Antalias, nuk ka pasur më parë një ftesë nga Han, Xhevahir Sukaj, asokohe me Hacettepe në Turqi, ishte pjesë e skuadrës që udhëtoi në barazimin 1-1 kundër Azerbajxhanit. Gjithsesi, lista përfundimtare e Kombëtares për ndeshjen e pestë zyrtare të Shqipërisë, sipas fshf.org, do të publikohet nga trajneri Ari Han vetëm ditën e premte. Në dyshim të fortë për shkak dëmtimesh janë kapiteni Altin Lala e zëvendëskapiteni Lorik Cana, ndërkohë që u është rikthyer stërvitjeve me ekipin e tij qipriot, një nga pikat më të forta të kuqezinjve, portieri Arian Beqaj (vetëm 2 gola të pësuar në katër ndeshje). Shiritin e kapitenit në ndeshjen e fundit të Kombëtares shqiptare, në miqësoren kundër Azerbajxhanit (1-1) e mbajti Ervin Skela, i cili shënoi në atë takim golin e dhjetë të tij me fanellën kuqezi, duke qenë edhe golashënuesi më i mirë i grupit aktual të kuqezinjve.
Ahmed Januzi, kuqeziu i dhjetë nga Kosova
Ahmed Januzi i ka të gjitha “kartat” në rregull për të luajtur zyrtariasht me Kombëtaren U-21 dhe atë A të Shqipërisë. Sulmuesi i talentuar 20-vjeçar kosovar – luan në Ukrainë me Vorskla Poltavan - pas shpalljes së dekretit të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për marrjen e nënshtetësisë shqiptare, tashmë u pajis edhe me pasaportën e Republikës së Shqipërisë. Lajmi i gëzuar u dha nga faqja zyrtare e Federatës Shqiptare të Futbollit, fshf.org, që ka botuar edhe një foto ekskluzive të Januzit duke treguar pasaportën. Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare, kosovarët Debatik Curri e Armend Dallku, dhanë kredenciale të forta për cilësinë e Januzit, me të cilin luajnë bashkarisht te Vorskla Poltava, ndërkohë që trajneri i Shqipërisë U-21, Artan Bushati, mbeti i mrekulluar nga performanca e Januzit në miqësoren e fituar 3-0 ndaj Maqedonisë në Ohër, të zhvilluar disa kohë më parë. Januzi bëhet kështu kosovari i dhjetë pas Lorik Canës, Arian Beqajt, Armend Dallkut, Debatik Currit, Besart Berishës, (luajnë aktualisht), si dhe Besnik Hasit, Mehmet Dragushës, Blerim Rrustemit, Bekim Kastratit (të cilët nuk janë më pjesë e kuqezinjve).
4 Shkurt 2009