Rama: Projekti i qeverisë për ullinjtë synon grabitjen e tokave
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se projekti i qeverisë për mbjelljen e ullinjve është një projekt që fsheh interesa të dyshimta korruptive që synojnë grabitje pronash në zonat më të mira në vend. Ai solli një shembull fillimisht, ndërsa në sfond kishte disa nga kodrat që rrethojnë Tiranën, të mbjella dikur me ullinj që tashmë janë betonuar. “Fillimi i kësaj skeme është VKM Nr. 547, datë 22.8.2007, me anë të të cilit Këshilli i Ministrave ka autorizuar zbatimin e koncesioneve në sektorin e bujqësisë dhe të ushqimit. Në bazë të ligjit për koncesionet, bazuar në studime, kjo Ministri duhej të identifikonte, paraqiste për miratim dhe shpallte koncesionet e mundshme në këtë sektor (neni 9/1). Ajo duhej të identifikonte, gjithashtu, listën e aseteve që, në raste të veçanta, mund të ofroheshin me koncesione me çmimin simbolik 1 Euro, ta paraqiste për miratim në Këshillin e Ministrave (neni 4/3) dhe ta bënte publike këtë listë për të tërhequr investitorët e interesuar vendas e të huaj.
Por ndërkohë, Këshilli i Ministrave, më 21 janar 2009, vendos të realizojë studimin për ullirin, në mënyrë që, në bazë të tij, të shpallë edhe interesin për dhënie me koncesion, e nga ana tjetër, një vit më parë, më 16 janar 2008, del se me vendimin Nr. 51, Këshilli i Ministrave ka filluar procedurën për dhënien me koncesion të një toke shtetërore me sipërfaqe 1000 ha, në Synej, Luz i Vogël, Kryevidh dhe Gosë të Kavajës, për kultivimin e ullirit, me çmimin 1 Euro, pa e pritur fare studimin e deklaruar.
Atëherë, përse Këshilli i Ministrave e ka autorizuar fillimin e kësaj procedure pa bërë ende studimin?
Përse Këshilli i Ministrave e ka konsideruar këtë si një rast të veçantë për t' u dhënë me koncesion me çmimin 1 Euro?
Në të njëjtin VKM, Këshilli i Ministrave miraton një bonus prej 9% të pikëve për një kompani të quajtur AGROTAL, për një propozim të pa kërkuar të paraqitur prej saj. Kjo do të thotë se për dhënien me koncesion me çmimin qesharak 1 Euro, Kryeministri dhe Ministri i Bujqësisë, jo vetëm nuk kanë studim dhe miratim specifik në listën e aseteve që mund të ofrohen me këtë çmim, por ata nuk kanë shpallur një procedurë konkurrimi, për të tërhequr oferta nga investitorë vendas e të huaj, siç thotë njoftimi, përkundrazi kanë përdorur një procedurë përjashtuese”, - tha Rama.
Kryetari i PS tha se e njëjta gjë po ndodh dhe këto ditë. “Dhe kjo skemë vazhdon, me mbledhjen e Këshillit të Ministrave të para pak ditëve, datës 21 janar 2009, ku kryeministri deklaron se “Këshilli i Ministrave miratoi sot dhënien me koncesion të sipërfaqes 1 mijë hektarë për mbjelljen e ullirit, si hap i parë i projektit të madh.”
Gjë që në fakt sapo filloi të financohej për t'u studiuar dhe nga ana tjetër nuk thotë as ai dhe as vendimi zyrtar, se ku janë këto toka dhe kujt i jepen, madje, teksti i këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, megjithëse figuron në rendin e ditës së mbledhjes të publikuar në faqen e internetit të Këshillit të Ministrave, në ndryshim nga vendimet e tjera, mungon në këtë faqe. Mos vallë 1000 hektarët janë dhënë me çmimin 1 Euro? Mos vallë këto i janë dhënë pikërisht kompanisë AGROTAL apo një versioni të saj?”, - tha Rama.