E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qen i vjetër, huqe të vjetra

Nga Besar Likmeta, Transitions Online

Javën e kaluar, Sali Berisha, kryeministri shqiptar, tha se vendi i tij do të aplikojë për t’u bërë kandidat zyrtar për në Bashkimin Evropian gjatë muajve të parë të vitit.

Njoftimi nuk ishte dhe aq i papritur, kjo për faktin se tashmë Shqipëria ka nënshkruar disa marrëveshje me bllokun, që janë preludi i anëtarësimit. Por, për ata që po vëzhgojnë nga afër vendin, lajmërimi erdhi në një kohë pak të çuditshme.

Kjo për shkak se Shqipëria po kërkon anëtarësim në një klub që kërkon reforma të gjera demokratike, në një kohë kur gjërat duket se po shkojnë mbrapa, siç tregohet dhe nga sulmi i fundit mbi një gazetë kritike.

Gazeta “TemA” ka bërë disa hetime vitin e kaluar në lidhje me korrupsionin qeveritar dhe ka sulmuar zyrtarët e qeverisë. Ajo u dëbua nga policia prej zyrave të saj më 9 janar, pavarësisht se gjykata bllokoi dëbimin.

Berisha ka hedhur poshtë akuzat për shkelje dhe presion dhe ka akuzuar publikuesin e gazetës si kukull të liderit të opozitës, Edi Rama.

Situata precipitoi më 16 dhjetor, kur ministri i Ekonomisë prishi një kontratë 20-vjeçare me të përditshmen për ambiente brenda një godine në pronësi të shtetit, duke bërë që gazeta të ngrejë padi në gjykatën e Tiranës.

Më 6 janar, gjykata urdhëroi ministrinë që të ndalojë procesin e dëbimit, por dy ditë më vonë, policia rrethoi zyrat e gazetës “TemA” dhe bllokoi gazetarët që të hyjnë brenda ambienteve të tyre.

A po sheh Evropa?

Organizatat lokale që merren me procesin e integrimit në BE, thonë se kjo ngjarje vjen në kohën më të keqe të mundshme, pasi liria e medias është një nga kolonat e integrimit në BE, si dhe një tregues i rëndësishëm i demokratizimit, zbatimit të ligjit, transparencës dhe besueshmërisë.

“Këto janë procese që janë nën vëzhgim të vazhdueshëm nga BE, për shkak se ato përbëjnë bazën e kritereve politike për procesin e integrimit, dhe çdo pengesë në lirinë e medias reflektohet në pozicionin e bllokut përkundrejt Shqipërisë”, - thotë Gjergji Vurmo, drejtor i programit për BE në Institutin për Demokraci dhe Mendim, një think-tank në Tiranë.

“Është shumë e rëndësishme të theksohet se Shqipëria nuk mund t’i lejojë vetes këtë kthim mbrapa, veçanërisht në këto moment, në një vit elektoral dhe me anëtarësimin në NATO në prag, si dhe me vendin gati për të aplikuar për statusin e kandidatit”, - thotë Vurmo.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian, publikuar në nëntor, vlerësohen reformat e vendit drejt demokracisë dhe zbatimit të ligjit, por thuhet se angazhimi i klasës politike për lirinë e medias vazhdon të jetë i dobët.

“Ndërhyrja e interesave të biznesit, politikës dhe medias vazhdon të prekë zhvillimin e një medieje të pavarur në Shqipëri”, - vëren raporti.

Të tjerë vëzhgues të pavarur rrëzojnë flamurin e kuq pas çështjes “TemA”.

“U impresionova nga angazhimi juaj i qartë dhe i mirartikuluar për të luftuar korrupsionin, por, siç dhe e dini, media e lirë dhe e pavarur është një nga kushtet bazë për të luftuar korrupsionin në mënyrë efektive”, - shkruante Miklos Marschall, drejtor për Evropën dhe Azinë Qendrore në Transparency International, në një letër të hapur drejtuar më 21 janar kryeministrit Berisha.

“Nëse gazetarët ndjehen të kërcënuar, kur kryejnë detyrën e tyre, një nga shtyllat kryesore të qeverisjes së mirë dhe sistemit të përgjegjshmërisë do të dobësohet”, - shkruante Marschall në letër, e cila u publikua në website-n e organizatës dhe në të cilën i bëhej thirrje qeverisë të kthente mbrapsht vendimin për dëbimin e “TemA”-s.

Miku kthehet në armik

Mero Baze, botuesi 42-vjeçar i “TemA”-s, e hapi gazetën në vitin 199, pasi kishte punuar si korrespondent i Zërit të Amerikës në mesin e viteve ’90.

E pozicionuar pranë së djathtës, gazeta mbështeti Berishën, që në atë kohë ishte në opozitë dhe sulmoi fuqishëm qeverinë socialiste të asaj kohe për lidhje me krimin e organizuar, akuza që u mohuan nga socialistët, të cilët e akuzuan botuesin për fyerje dhe ngritën padi ndaj tij. Berisha u rikthye në pushtet në vitin 2005, pas tetë vitesh opozite të rrëmujshme, duke premtuar se do e luftonte korrupsionin e kudogjendur. Por kritikët thonë se korrupsioni në vend vetëm sa është përkeqësuar.

Marrëdhëniet mes Bazes dhe Berishës u prishën pas vitit 2007, kur “TemA” nisi të publikonte komente kritike dhe nisi një seri hetimesh për korrupsionin dhe nepotizmin e qeverisë.

“Ndodhi, kur pashë që familja e kryeministrit ishte kthyer në qeverisjen reale të vendit”, - komenton Baze ndryshimin e qëndrimit ndaj kryeministrit shqiptar.

Berisha ka mohuar akuzat. Në përgjigje të kësaj, ai ka thënë se Baze përpiqet të përdorë mbështetjen e tij për qeverinë për të fituar favore për palë të treta në tenderë publikë.

Investigimet e “TemA”-s, të cilat shpesh varen nga lidhjet e Bazes me rrethin e afërt të kryeministrit, u kthyen në një shqetësim për qeverinë.

Për komentatorin Gjergj Erebara, përplasja mes “TemA”-s dhe qeverisë është një vështrim mbi atë se si operon shtypi lokal.

“Natyrisht, media vendase merr shumë shpërblime financiare nga flirtimet me pushtetit, dhe “TemA” nuk është një përjashtim, por pavarësisht të kaluarës, gjatë vitit të fundit ajo ka qenë praktikisht e vetmja gazetë e pavarur në vend”, - thotë Erebara.

“Kur historia të hedhë vështrimin gjatë kësaj periudhe, mbulimi i saj do të shërbejë më shumë se çdo burim mediatik për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur.”

Kthim në të kaluarën

Pas dëbimit, Baze nxori një deklaratë, ku theksonte se aksioni i policisë, si dhe shpërthimi që shkatërroi makinën e tij në vigjilje të Vitit të Ri, ishin përpjekje të qeverisë për ta bërë atë të heshtte.

Policia thotë se shpërthimi erdhi për shkak të një qarku të shkurtër. Për sa i përket pjesës së saj, Ministria e Ekonomisë e hodhi poshtë një motiv politik për nxjerrjen e redaksisë jashtë ambienteve përmes një deklarate që theksonte se ajo nuk e kishte marrë ndonjëherë vendimin e gjykatës.

Sipas ministrisë, kompleksi i ndërtesave ku janë të vendosura dhe zyrat e “TemA”-s do të jenë qendra për një kompani që ka fituar një kontratë për prodhimin e kartave të reja të identitetit dhe pasaportave biometrike, duke bërë që gazeta të lëvizte prej andej për arsye sigurie.

Organizatat ndërkombëtare dhe ato lokale janë skeptike, veçanërisht duke marrë në konsideratë historinë e Shqipërisë me shtypjen e medias.

Reporterët pa Kufij i kërkuan qeverisë të marrë mbrapsht urdhrin për dëbimin.

“I bëjmë thirrje ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, të marrë parasysh vendimet e gjyqësorit dhe të lejojë gazetarët e “TemA”-s që të hyjnë në zyrat e tyre”, - thuhet në një deklaratë të kësaj organizate. “Ne gjithashtu i bëjmë thirrje qeverisë që të ndalojë së përdoruri aparatin shtetëror për të frikësuar shtypin.”

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me qendër në Nju-Jork, reagoi pas sulmit të qeverisë mbi ambientet e “TemA”-s.

“Policia duhet të lejojë menjëherë gazetarët e “TemA”-s që të hyjnë në zyrat e tyre dhe të bëjnë punën”, - tha Koordinatorja e Programit të KMG për Evropën dhe Azinë Qendrore.

“Në vend që të frikësojnë gazetarët, autoritetet duhet të hetojnë për shpërthimin e makinës së botuesit Mero Baze. Metoda të tilla dhune ndaj një medieje kritike nuk përputhen me rrugën demokratike që ka zgjedhur Shqipëria.”

Edhe pse Shqipëria ka më shumë se 20 të përditshme, katër transmetues kombëtarë, disa dhjetëra stacione televizive dhe qindra gazeta lokale dhe revista në një vend me 3 milionë banorë, vlerësimet e Freedom House dhe Reporterëve pa Kufij e rendisin atë në fund të tabelës së lirisë së shtypit për Ballkanin.

Gjatë drejtimit si presidenti i parë i Shqipërisë postkomuniste, nga viti 1992 deri në vitin 1997, Berisha u akuzua se kishte urdhëruar djegien e një gazete dhe se kishte dërguar agjentë të shërbimeve sekrete për të dhunuar gazetarët, akuza që ai i ka hedhur poshtë.

Disa gazetarë u burgosën për shpifje, me gjyqe që shumë i kanë parë si të motivuara politikisht. Në vitin 1997, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve e shpalli Berishën në listën e armiqve të shtypit.

Pavarësisht premtimeve për një fillim të ri pas rikthimit në pushtet, konfliktet e Berishës me medien kanë precipituar sërish. Gjatë tre viteve të fundit ai i ka quajtur reporterët anëtarë të krimit të organizuar, mafiozë dhe kukulla të opozitës.

Për Erebarën, mllefi i kryeministrit ndaj gazetarëve të kujton marrëdhëniet e tij me mediet në fillim të viteve 1990.

“Gjatë asaj kohe gazetarët akuzoheshin nga Berisha se ishin spiunë të shërbimeve sekrete të komunizmit, akuza që ai i bënte rregullisht dhe kur ishte në opozitë”, - thotë ai.

“Për shkak se shumica e gazetarëve në vend ishin jo më shumë se gjimnazistë në kohën e komunizmit, akuzat ndaj tyre riformuloheshin si spiunë për opozitën ose gazetarë të paguar nga mafia”, - thotë Erebara.

Ben Andoni, zv/kryeredaktor i revistës së përjavshme “MAPO”, thekson se autoritetet e tatimeve dhe të tjera trupa të qeverisë janë bërë agresivë me mediet.

“Berisha ka reaguar ndaj mbulimit të korrupsionit në rritje duke vendosur taksa nga autoritetet e taksave dhe duke u vënë nga pas institucionet që kontrollojnë mediet, dhe si rezultat shumë prej tyre kanë ulur tonet”, - thotë ai.

Në vitin 2007, qeveria vendosi një gjobë prej 13 milionë eurosh për “Top Media”-n, grupin më të madh mediatik në vend, gjoba nuk u vol kurrë dhe nuk është e qartë, nëse qëndron ende. Që prej asaj kohe, televizioni qendror i këtij grupi ka qenë më pak kritik ndaj qeverisë.

Në vitin 2008, Këshilli Kombëtar i Radio Televizioneve vendosi një gjobë prej 8000 eurosh për televizionin informativ News 24 që transmetoi një spot që hidhte një vështrim satirik mbi një reklamë të kryeministrit, ku ky i fundit kërkonte denoncimin e korrupsionit.

Këshilli tha se gjoba ishte vënë, për shkak se stacioni kishte transmetuar një reklamë nga një parti politike G99, një praktikë që nuk lejohet përtej 45-ditëshit të fushatës elektorale.

Megjithatë, gjatë kësaj kohe G99 ishte e regjistruar si organizatë jofitimprurëse. Edhe pasi statusi i grupit u bë publik, Këshilli nuk e tërhoqi gjobën.

Andoni thotë se qeveria për përdor dhe metodat e joshjes në përpjekje për të kontrolluar mbulimin e medias.

“Presioni politik tregohet dhe përmes sistemit të përfitimeve për pronarët e medias, por, nëse ata nuk adoptohen, zyrtarët e taksave të trokasin në derë”, - thotë ai.

Përfitimet për mediet bashkëpunuese përfshijnë fushatat të gjata me fonde publike që paraqesin arritjet e qeverisë në luftën ndaj korrupsionit dhe ndërtimin e shkollave dhe infrastrukturës.

“Është çmenduri, mund të ndërrosh kanalin katër herë dhe nuk mbaron së pari të njëjtën reklamë”, - thotë për reklamat shtetërore Sandra Bogdani, zëvendëskryeredaktore tek e përditshmja “Korrieri”.

Një raport i datës 9 janar për “censurën e butë”, nga Qendra Kombëtare për Legjitimitetin e Demokracisë dhe Asistencën e Medias Ndërkombëtare me qendër në Shtetet e Bashkuara, thekson se mediet shqiptare janë financiarisht të paqëndrueshme dhe reklamat e qeverisë janë të rezervuara për mediet që iu bëjnë fresk.

Raporti thotë se gazetarët praktikojnë autocensurën për të mbështetur interesat ekonomike dhe politike të punëdhënësve të tyre.

“Shumë gazetarë aplikojnë autocensurën që të mos humbasin punën e tyre”, - thotë Andoni. “Është ekstremisht e lehtë të jesh gazetar mediokër në këtë vend, dhe në të njëjtën kohë shumë e vështirë të jesh një profesionist”, - shton ai.

Nëse Shqipëria është serioze në lidhje me anëtarësimin në klubin e qeverisjes së mirë të Brukselit, sigurisht duhet të ndryshojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›