Doganat kërkojnë ndryshim të planit, ekonomia është në rënie
Rënia e importeve për shkak të rënies së konsumit dhe të fuqisë blerëse të popullatës ka bërë që administrate doganore në vend të kërkojë uljen e planit të të ardhurave të saj për vitin e tashëm. Të dhëna zyrtare bëjnë me dije se në ministrinë e financave janë përballur me këtë kërkesë të administratës së doganave për ulje të planit. Ministria e Financave e ka hedhur poshtë atë dhe i ka kërkuar administratës së doganave që të punojë për të realizuar këtë plan, pavarësisht rënies së importeve dhe pavarësisht se ato mund të vijnë duke e thelluar rënien. Mundësia që të rritej plani për tatimet dhe të ulej ai për doganat është parë si e paarsyeshme. Konsumi në vend ka pësuar rënie sa i takon volumit të mallrave, pavarësisht se çmimet e rritura kanë bërë që në vlerë monetare ai të ishte më i lartë vitin që kaloi. Në fakt, muaj pas muaji sasia e mallrave të importuara në vend ka pësuar rënie dhe kjo është arsyeja që Drejtoria e Përgjithshme e sheh me frikë planin e vitit 2009. Qeveria shqiptare ka parashikuar një plan të ardhurash për vitin 2009 më të madh sesa ai që ishte në vitin 2008 dhe qeveria nuk ka marrë parasysh faktin që rritja ekonomike gjatë këtij viti do të zbresë në 4%. Qeveria mendon se rritja ekonomike e vendit gjatë vitit që shkoi ishte në kufijtë e 10% dhe nuk pritet që ajo këtë vit të zbresë. Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se rritja ekonomike këtë vit do të ishte shumë e mirë, nëse do të kapte 4%, pasi kriza ekonomike botërore do të bjerë edhe mbi Shqipërinë. Të dhënat e para nga këto efekte janë bërë të prekshme dhe kanë të bëjnë me rënien e shitjeve, rënien e konsumit, rënien e eksporteve, rënien e të ardhurave nga emigrantët etj. Që të gjithë këta tregues janë parë me realizëm nga Ministria e Financave, e cila, megjithëse nën presion, nuk ka mundur të pohojë rritje ekonomike më shumë 7%. Fondi Monetar Ndërkombëtar tha në fund të shtatorit të vitit që kaloi se potenciali taksapagues i ekonomisë dhe i biznesit në Shqipëri është duke rënë e kësisoj duhet të bëheshin planifikime më të kujdesshme të të ardhurave në buxhet. Tashmë, me këtë situatë janë përballur Tatimet, të cilat gjatë gjithë muajve të fundit të vitit që kaloi patën mosrealizime të ardhurash. Administrata e doganave mundi t’i realizojë planet, megjithëse kahja rënëse ishte e dukshme.