Destinacionet turistike për 2012, Lonely Planet lë jashtë Shqipërinë
Revista prestigjioze, e cila pas një studimi të përvitshëm këshillon turistët nëpër botë për vendet që duhen vizituar, e la Shqipërinë jashtë 10 destinacioneve të 2012-ës, ndërkohë që në vitin 2011 vendi ynë kryesonte listën
Shqipëria harrohet këtë vit nga revista prestigjioze “Lonely Planet” në renditjen e saj të 10 vendeve më të mira turistike për t’u vizituar në 2012-ën. Revista prestigjioze, e cila pas një studimi të përvitshëm këshillon turistët nëpër botë për vendet që duhen vizituar, ndryshe nga një vit më parë, kur e rendiste Shqipërinë në vendin e parë në top-listën e 10 vendeve më të mira për t’u vizituar në 2011-ën, për vitin e ardhshëm e ka shmangur vendin tonë nga kjo listë. Trazirat e 21 Janarit, klima politike, kriza ekonomiko-financiare në vendet fqinje që shkakton një efekt të transferuar psikologjik, kanë ndikuar në shmangien nga lista e “Lonely Planet” të Shqipërisë për t’u vizituar si vend turistik në 2012-ën. Në vendin e parë të top-listës së “Lonely Planet” për vitin 2012 renditet Uganda. Ky vend cilësohet nga hartuesit e top-listës si një vend surprizë për aventura sportive dhe jetë të egër për turizëm. “Pavarësisht se i dalë nga një luftë e shëmtuar civile, vendi paraqet një qëndrueshmëri në rritje. Mbi të gjitha, është një burim i lumit Nil– një vend mitik. Uganda këtë vit feston edhe 50-vjetorin e Pavarësisë”, - citon ‘Lonely Planet”. I dyti në listën e 10 vendeve më të mira për t’u vizituar në 2012-ën është Myanmar (Burma). ‘Ne dëshirojmë që njerëzit të vijnë në Burma.’ Kjo është shprehja që citohet në prezantimin e këtij vendi nga Liga Kombëtare për Demokraci, partia opozitare që ka detyruar të huajt të qëndrojnë larg që prej 1996-ës. Kjo ndryshoi që prej 2010-ës, kur kjo forcë rishikoi bojkotin për të nxitur udhëtimet e pavarura. Kështu, Myanmar është bërë destinacioni më i nxehtë për udhëtarët e pavarur. Në vendin e tretë për t’u vizituar për 2012-ën, ‘Lonely Planet” ka renditur Ukrainën; në vend të katërt Jordaninë, si një nga vendet më të hapura, mikpritëse në Lindjen e Mesme. Danimarka renditet në vendin e pestë për cilësinë e jetës. Njerëzit janë interesantë, të lumtur dhe simpatikë. Vendi është interesant edhe për përshkrimin e kilometrave të tërë me biçikletë. Bhutan ndjek listën e 10 më të mirëve në vendin e gjashtë. Vendi, i cili ka besim budist, shquhet për relievin e bukur malor dhe është i hapur ndaj biznesit. Kuba, për 2012-ën renditet në vend të shtatë për ndryshimin e sistemit dhe për instalimin e pronës private. Lonely Planet ka renditur Caledoniën e Re në vend të tetë të 10 vendeve më të mira turistike për të pushuar në 2012-ën, për ushqimin dhe peizazhin e mrekullueshëm të qytetit të rivierës franceze. Tajvani renditet në vend të nëntë për klimën, bukuritë natyrore dhe kulturore. Zvicra është në vendin e fundit të top-listës për 2012-ën. Lonely Planet e cilëson atë si një vend me ekonomi në rritje, stabilitet ekonomik dhe që shquhet për çokollatat e mrekullueshme. Nga vendi i parë në 10-shen e më të mirëve, këshilluar për turizmin e 2011-ës, Shqipëria nuk është më në renditjen e ‘Lonely Planet’ për 2012-ën. Për vitin e ardhshëm, vendi nuk i ruan karakteristikat për të cilat u përzgjodh një vit më parë nga kjo revistë prestigjioze si vendi me thyerjen e klishesë, i pasigurt, por një vend mikpritës, me natyrë të mrekullueshme, kuzhinë tradicionale, kulturë të gjerë dhe jetë nate.
Nga vendi i parë në 10 më të mirët e këshilluar për turizmin e 2011-ës, Shqipëria nuk është më në renditjen e ‘Lonely Planet’ për 2012-ën. Për vitin e ardhshëm, vendi nuk i ruan karakteristikat për të cilat u përzgjodh një vit më parë nga kjo revistë prestigjioze
Top Lista e 2012
Uganda
Myanmar
Ukraina
Jordania
Danimarka
Bhutan
Kuba
Caledonia e Re
Tajvan
Zvicra
Top-lista e 2011-ës
Shqipëria
Brazili
Cape Verde
Panama
Bullgari
Vanuatu
Italia
Tanzania
Siria
Japonia