E Diel, 1 Nëntor 2026

Hajduti dorëzohet në polici: Kam vjedhur një motor

Kamzë

Një gangrenë e policisë kanë qenë gjithmonë vjedhjet dhe puna për zbulimin e autorëve të saj. Por ndodhin edhe raste kur autorët paraqiten në polici dhe deklarojnë se kanë kryer një vjedhje dhe duan të shkojnë në burg për shkeljen që kanë bërë. Kështu ka ndodhur me një rast në Kamzë ditën e djeshme, kur Bledar Memaçi është paraqitur në Komisariatin Nr. 5, duke deklaruar se kishte vjedhur një motor. Ai ka shkuar në komisariat dhe ka shpjeguar se kishte vjedhur një motor në zonën e Komisariatit Nr. 4. Menjëherë, policia është habitur me këtë deklaratë, por i riu ka shpjeguar gjithë historinë pse e kishte kryer këtë veprim. Sipas të dhënave, teksa ai lëvizte me motorin e vjedhur, një tjetër person i kishte dalë përpara dhe pretendonte se ishte motori i tij. Madje, personi tjetër e kishte kërcënuar se do të kishte punë me të, nëse nuk i kthente motorin. Në këto kushte, i riu është paraqitur në polici, duke deklaruar se motorin nuk ia kishte vjedhur kërcënuesit, por një tjetër personi. Madje, ai ka shtuar se babai i tij i kishte folur rëndë dhe i kishte kërkuar të dorëzohej në polici. Në këto kushte, shërbimet e Komisariatit Nr. 5 ua kanë dorëzuar kolegëve të Komisariatit Nr. 4, të cilët kanë kryer veprimet procedurale në ngarkim të tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›