E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: Në 2013 PR me grupin e saj parlamentar

Partia Republikane synon të marrë shtatë deputetë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, për të qenë e aftë të formojë një grup të sajin parlamentar. Kjo ishte deklarata që bëri dje kryetari i PR-së, njëkohësisht ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, gjatë mbajtjes së Asamblesë Rajonale të Qarkut të Korçës. Në këtë mbledhje, Mediu theksoi se objektivi afatshkurtër i PR-së, ishte përfaqësimi i saj në të gjitha nivelet e pushtetit vendor në zgjedhjet vendore të vitit 2011 dhe objektivi afatmesëm, marrja e mandateve të mjaftueshme për të krijuar grup parlamentar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Po kështu, kreu i PR-së u ndal në fjalën e tij te momentet e rëndësishme të integrimit që po përjeton vendi ynë. Sipas tij, puna e qeverisë, reformat e arritura, forcimi i institucioneve dhe shtetit ligjor, janë tregues se Shqipëria tashmë ka hyrë në një rrugë pa kthim mbrapa për sa i përket realizimit të ëndrrës së saj europiane. Në këtë kuadër, kreu i PR-së ftoi opozitën të japë kontributin e saj në Parlament, të marrë pjesë në debatet kundra qeverisë dhe gjithashtu të votojë së bashku me të, reformat që sjellin edhe një anëtarësim më të shpejtë në BE.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›