Deti me dallgë paralizon portin
• DURRES - Moti i keq i shoqëruar nga një erë me shpejtësi 20 metra në sekondë ka paralizuar dje punën në Portin e Durrësit, duke rrezikuar edhe lundrimin e anijeve me tonazh nën 5 mijë tonë.E ndodhur në det të hapur, anija me tonazh të vogël "Santa Maria" ka kërkuar ankorim emergjence, gjë të cilën Kapitaneria e ka miratuar pa hezitim. Në orën 10:30 anija e mallrave ka gjetur shpëtim në njërën nga kalatat e portit. Që në orët e para të mëngjesit Kapitaneria e portit ka njoftuar anijet me flamuj të huaj dhe ato shqiptare, si edhe peshkarexhat për një stuhi të fortë, e cila do të godiste 60 minuta më pas gjirin e Durrësit. Probleme në lundrim kanë pasur edhe tragetet e linjës Bari-Durrës, të cilat janë ankoruar me dy orë vonesë. Sipas autoriteteve portale, paraditen e së premtes deti ka arritur forcën 7 ballë. o.u.