E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Rama t’i kthehet reformës

• Vazhdojnë replikat mes PS-së dhe LSI-së në lidhje me qëndrimin e ndryshëm të këtyre dy partive për reformën zgjedhore.Aristir LumeziLëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar dje ndaj deklaratave të deputetit Taulant Balla. Kryetari i KDK-së së LSI-së, Edmond Haxhinasto tha dje se, i konsideroi irracionale dhe intrigante deklaratat e përfaqësuesve socialistë që kërkojnë "heqjen dorë të Ilir Metës nga ambicia për kryeministër". "Artikulimet politike intrigante e irracionale të disa liderëve të PS-së nuk përbëjnë asnjë shqetësim për një alternativë të shëndetshme si LSI-ja dhe "E majta për integrim", që me identitetin e tyre të spikatur të majtë vënë në krizë zotin Edi Rama", tha Haxhinasto. Në përgjigje të deklaratave të PS-së, Haxhinasto kërkoi që kjo parti të rikthehet në komisionin e reformës zgjedhore. LSI-ja i kërkoi dje kreut socialist të rikthehet në tryezën e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën, duke bërë publike marrëveshjen PD-PS për reformën. "Nisur nga deklarimet e papërgjegjshme të disa përfaqësuesve me identitet të dyzuar në lidershipin e PS-së, LSI-ja i bën thirrje sërish haptas dhe publikisht zotit Rama dhe të tijve, që të kthehen në institucionet kushtetuese të këtij shteti dhe në komisionin e reformës zgjedhore", u shpreh kryetari i KDK-së së LSI-së. Haxhinasto akuzoi Edi Ramën se për të më e rëndësishme është aleanca me Berishën se sa integrimi i vendit. "I bëjmë thirrje zotit Rama të nxjerrë në tavolinë, marrëveshjen PS-PD që të gjithë shqiptarët të kuptojnë njëherë e mirë se për të, aleanca e fshehtë me PD, është shumë më e rëndësishme se fitorja e së majtës dhe integrimi në NATO". Duke folur për deklaratat e socialistëve në emër të integrimit të vendit, Haxhinasto shtoi se, vullneti i PS-së më 18 shkurt ishte bojkoti i zgjedhjeve. "I kujtojmë se është LSI-ja që më 18 shkurt sakrifikuan nga vetja për të futur zotin Rama në zgjedhje e për të eliminuar bojkotimin e tyre nga PS-ja, që do të ishte atentati më i madh ndaj të majtës, ndaj vendit dhe aspiratës së integrimit në NATO", theksoi Haxhinasto.Kryetari i KDK-së së LSI-së akuzoi Edi Ramën se po i shërben Berishës në kurriz të së majtës. "Sigurisht që NATO njeh dhe negocion me shtetin ligjor, që respekton institucionet dhe votën e lirë të popullit dhe jo politikën okulte dhe komplotiste të tipit PS-PD jashtë institucioneve. Duke sjellë në skenën politike retorikën e tij të tipit 'as i majtë e as i djathtë', zoti Rama vazhdon t'i shërbejë Berishës duke rrënuar identitetin e të majtës në Shqipëri", vijoi Haxhinasto. Marrëdhëniet brenda të majtës janë ashpërsuar kohët e fundit që pas shpalljes së sistemit proporcional rajonal nga PS-ja për reformën zgjedhore, gjë për të cilën partitë e vogla nuk janë dakord për shkak të eliminimit të tyre."E majta kërkon drejtues të majtë"Deputeti socialist Petro Koçi ka kërkuar dje që e majta të drejtohet nga drejtues të mirëfilltë të majtë, pasi problemi brenda saj ka ardhur për shkak të drejtimit nga të djathtët. "Tani që PSSH është mbërthyer nga autoritarizmi provincial dhe lidershipin e saj e përcakton jo me socialisti i thjeshtë, por oligarkia, ka ardhur momenti që e majta shqiptare të ribëhet, të rithemelohet. E majta kërkon drejtues mirëfilli të majtë. Të djathtët në drejtimin e së majtës përbëjnë problemin themelor politik dhe organizativ tek spektri aktual i opozitës. Orientimi kundër autoritarizmit dhe përvijimi i një politike në favor të shtresave të gjera përbejnë drejtime kryesore të ribërjes së të majtës në Shqipëri", tha Koçi. Sipas tij, zhvillimet e fundit në raportet PS-LSI nuk duhen parë më shume si 'përçarje dhe humbje uniteti', por si shanse që e majta të gjejë vetveten".Taulant Balla"Duke e parë Ilir Metën si një mik dhe një aleat të vjetër, ne e shohim me shumë keqardhje rikthimin në batakun e vjetër të politikës së zhgënjimit dhe dëshirojmë me gjithë zemër që Meta dhe LSI-ja të rikthehen në shtëpinë e përbashkët, të cilën e kemi hapur për çdo shqiptar që do të shkruajë me ne historinë e re të këtij vendi", tha Balla. Deputeti socialist u shpreh se, "nuk mund ta lemë Shqipërinë peng të Sali Berishës, vetëm për një karrige kryeministrore".Valentina Leskaj"Duke shprehur angazhimin tonë serioz në procesin e reformës zgjedhore ne njëherësh shprehim keqardhjen që disa parti të vogla, nuk konsiderojnë interesin e madh të vendit për t'u ndarë nga një sistem politik i kalbur, duke adoptuar sistem zgjedhor, që i jep fund partitokracisë dhe krijon një sistem me frymëmarrje të re e sa më përfaqësues. Ne mendojmë se reforma zgjedhore duhet të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, duhet të garantojë forcimin e shtetit ligjor", u shpreh Leskaj.KoalicioniPas deklarimit se shkëputet nga koalicioni aktual me PS-në, Lëvizja Socialiste për Integrim shpalli krijimin e koalicionit të ri të majtë, "E majta për integrim". Një vendim i tillë u mor në mbledhjen e kryesisë së kësaj partie dhe u ratifikua dhe në KDK e saj, e më pas ky koalicion u regjistrua në Gjykatën e Tiranës si subjekt politik. Koalicioni më i ri brenda të majtës, është përshëndetur nga parti të majta dhe të qendrës, por dhe nga mjaft personalitet politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›