“Policët shqiptarë na rrahën se kërkuam bukë”
• Një grup emigra-ntësh ilegalë të riatdhesuar nga policia greke denoncojnë dhunë të ushtruar ndaj tyre nga policia shqiptare.DEVOLL/ JORGJETA GJANÇI Ngjarja sipas tyre ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në mjediset e policisë kufitare të rrethit të Devollit. Në pikën e kalimit të kufirit në Kapshticë gjatë natës ishin kthyer forcërisht një grup refugjatësh ilegalë, të cilët ishin kapur nga policia greke në zonën kufitare me vendin tonë. Punonjës të policisë kufitare shqiptare i kishin mbledhur në një dhomë të mjediseve pranë zyrave të tyre dhe pritej që të kryenin procedurat e zakonshme. Disa prej emigrantëve, që kishin bërë rrugë të gjatë e të vështirë për të hyrë në thellësi të tokës greke janë ankuar se janë mbajtur 2 ditë e 2 net nga policia helene pa bukë. Sapo kanë hyrë në tokën shqiptare kanë kërkuar të blinin bukë. Ata nuk janë lejuar me premtimin se do të kryheshin procedurat dhe do të liheshin të lirë. Por fillimi i procedurave nuk ka filluar menjëherë. Uria i ka shtyrë të trokisnin në derën e sallës ku i kishte grumbulluar policia kufitare dhe kanë kërkuar bukë. Sipas tyre, ky veprim i ka revoltuar punonjësit e shërbimit të policisë kufitare shqiptare. Ata kanë akuzuar dy policë se kanë hapur derën e sallës dhe kanë goditur me grushte refugjatët që kishin trokitur te dera. Grupi i refugjatëve ilegalë që ishte në sallë, numri i të cilëve arrinte rreth 30 vetë, është gjendur para një situate të papritur. Njëri prej tyre, me inicialet E.K. u shpreh: se ka kohë që nuk janë parë skena dhune në mjediset e policisë greke e jo më në ato të policisë shqiptare. Ndërsa 16-vjeçari Eduart Çarshia, emigrant nga Prrenjasi, duke qenë më i guximshëm e ka deklaruar faktin e mësipërm për mediat e ndodhura rastësisht në këtë pikë doganore. Ai ka pohuar se të keqtrajtuarit patën edhe shenja të kuqe e hematoma dhe u lanë të fundit për të kryer proceduar nga policia kufitare. Të kontaktuar për këtë ngjarje punonjës të policisë kufitare të pikës doganore të Kapshticës e kanë mohuar faktin se është ushtruar dhunë mbi refugjatët. Një polic që nuk ka pranuar të identifikohet ka pranuar se ka pasur një grindje mes dy policëve e refugjatëve, por përjashton ushtrimin e dhunës. Ndërsa drejtuesit e policisë kufitare kanë preferuar të heshtin për këtë ngjarje.