E Shtunë, 31 Tetor 2026

KUJDES! TENSION I LARTE!

• Inida Gjata ZHAKUTë gjithë ne, kemi familje, njerëz të dashur, miq, të     cilëve jo vetëm nuk ua përfytyrojmë dot fundin, por     shpeshherë i veshim me një tis përjetësie, duke shpresuar se do të jemi ne e të dashurit tanë të parët e njerëzimit që do të zbulojnë pavdekësinë. E di, fare mirë madje, se sa e rëndë është humbja e njerëzve të shtrenjtë, madje e di fare mirë çdo të thotë t’i humbasësh, sepse një “aksidenti” i shkrepet të ndodhë. Ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të thella familjarëve të viktimave të liqenit të Farkës. Por ama, të shpallësh ditë zie kombëtare mbytjen e 16 anëtarëve të shoqërisë shqiptare, për të cilët, besomëni, ndjej dhembje të papërshkrueshme, është njëlloj si të martirizosh mungesën e përgjegjshmërisë dhe vullnetin e pandreqshëm të shqiptarëve për të mos u kushtuar vëmendje rregullave, teknike apo ligjore qofshin. Dje në mëngjes, të gjitha mediat shqiptare gëlonin me lajme të zeza, e të gjithë mediabërësit nxinin nga kostumet e zinj, e mbase qëllimisht apo mbase edhe prej mungesës së vëmendjes, nuk ngurronin të mos i mbulonin me make up qeskat e syve, pasi ish në nder të personalitetit të tyre intelektual të shprehnin jo vetëm ngushëllimin, për të cilin nuk dyshoj as një grimë se ka qenë thellësisht i sinqertë, por edhe solidarizimin në ditën e zisë kombëtare shpallur me urgjencë të madhe për hir të axhendës shumë të ngjeshur me takime shumë të rëndësishme prej Kryeministrit, mbështetur prej Presidentit, amplifikuar prej Kryetares së Parlamentit, përkrahur prej Kryetarit të opozitës, e bërë publike nga gazetarët. Ditë zie kombëtare, 6 Marsi 2008?!!!!! Rasti më i fundit i zisë kombëtare më solli ndër mend fatkeqësinë e ndodhur në një familje para pak kohësh, pasi prej pakujdesisë ish harruar ndezur furnela dhe kish marrë zjarr e tërë shtëpia, duke marrë me vete nënën e dy vajzat. Ditë zie kombëtare, atëherë edhe ajo ditë! Ç’faj kishin vajzat e vogla?! Ç’faj kish nëna që kish harruar ndezur furnelën?! Por, çfarë më shqetësoi më shumë nga të gjitha në këtë rast, me gjithë dhimbjen që më shkaktoi humbja e njerëzve, ishte dangallëku i të gjithë atyre që drejtojnë këtë farë Shteti, që në vend të dalin e t’u flasin shqiptarëve rreth rëndësisë së respektimit të rregullave teknike e ligjore, u bashkohen pa asnjë argument një dhimbjeje, e cila jo vetëm nuk duhet martirizuar, por duhet evidentuar si një ndër problemet më të mëdha të kësaj shoqërie. Prisja nga media krejt tjetër reagim. Por, në fakt, të gjithë mbajtën zi për një zi që në mënyrë krejt të pajustifikueshme është kombëtar. Fajtor shpallën pronarin e lokalit natyrisht, i cili padiskutim do të ngulte këmbë që të gjithë të hipnin në të njëjtën varkë njëkohësisht, pasi ai, ashtu si një pjesë e madhe e “bosave” shqiptarë, vesin e të punuarit “tarallapallapa”, apo e të bërit punët sa me kalu radhën, apo e të bërit prepotentin në mes të klientëve, apo e të abuzuarit me ligjin e rregullat, e ka shndërruar në kulturë jete e në mënyrë jetese! Ishte kaq e dukshme, që më shumë se 6-7 persona s’mund të hipnin…! Ç’është kjo lehtësi për ta nxirë kalendarin e Shqipërisë me ditë të zeza?! Po meqë duhet patjetër, le t’u vijmë në ndihmë kryetarëve e t’i drejtojmë pak sytë drejt minatorëve të Bulqizës, të cilët vdesin përditë nga kushtet e tmerrshme të punës të lëna në harresë nga qeveria jonë e ditëve të zeza! Vdekjet e tyre, pse nuk konsiderohen të denja për ditë zie kombëtare! Unë votoj për to!Punëtorët e Metalurgjikut, në kushte mjerane, digjen e piqen e kancerohen nëpër kushte skandaloze! Votoj që të shpallim një ditë zie dhe për to!E shumë e shumë raste të tjera……. Kujtoj policë të vrarë, kujtoj punëtorë të vrarë, kujtoj mjerim të gjallë që popullon shoqërinë tonë. Çdo ditë e kalendarit mund të nxihej.Në rast se kryetarëve, ditët e zeza do t’u vinin në ndihmë për ditë të bardha, me kënaqësi do t’ua mbushja një listë të tërë me alternativa. Shqipëria është kaq vend frymëzues për makthe e tmerre, sa do të na duhej viti me njëmijë ditë! Por unë besoj, se dita e zisë i shërben një kombi për të kujtuar të rënë për hir të një ideali! Apo për hir të një fatkeqësie natyrore! Apo për hir të një motivi shumë më të lartë se sa “PAPËRGJEGJSHMËRIA”. Kësisoj, me shpalljen më të fundit, të gjithë, GAZETARËT e “GOVERNANTËT”, si dhe e gjithë shoqëria që në fund të fundit bën Ç’BËJNË ATA, përloten përpara monumentit ngritur parimit më tipik shqiptar: “Nuk bie rrufeja në hale!”.Askush nuk do të mendojë pas asaj që ndodhi se rregullat e ligjet duhen respektuar, sepse ka një arsye pse janë vendosur, pasi askush nuk ua vuri në dukje! Ka një arsye ai që shkruan: vër rripin e sigurimit! Ka një arsye ai që shkruan: Kjo varkë nuk mban më shumë se 7 vetë! Etj…. Është i mençur FRËNGU burra! Shumë më i mençur se shqiptari!Besomëni, ndjej keqardhje të thellë e të sinqertë për çdo njeri që humb jetën, kushdo qoftë, mjafton të jetë njeri! Por, një shoqëri e shëndetshme duhet më parë e mbi të gjitha të jetë e ndërgjegjshme e të kuptojë se nuk mund të vazhdohet të konsiderohet vetja HALE, ndërsa rreziku më i madh RRUFEJA!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›