Deti rrezikon te shnderrohet ne nje varreze mbeturinash
Bregdeti i Vlorës tashmë po kthehet në një kantier ndërtimi i një koshi hedhurinash të mbeturinave inerte. Një ndërtim i ri që po realizohet në zonën e Ujit të Ftohtë të Vlorës, ndërtuesit për të shfrytëzuar hapësirën po avancojnë në det duke hedhur dhera dhe gurë për të ngritur më vonë plintat e betonit. Kjo firmë ka dalë nga rruga rreth 20 m dhe është futur në brendësi të detit për ta shfrytëzuar për ndërtim. Banorët e qytetit janë shokuar ditët e para, kur në një lulishte, pak metra katrorë filloi të hapej një gropë e thellë. Nuk ka kaluar shumë kohë që nga fillimi i punimeve për ndërtimin e godinës disakatëshe dhe pasojat e këtij ndërtimi u panë dje kur në një hapësirë prej dhjetëra metra katrorë në det filloi të mbushej me inerte, si dhe me gurë, duke ia shtuar hapësirën ndërtimit. Kreu i Agjencisë Rajonale të Mjedisit të Vlorës, Geron Gumbardhi, është shprehur se nuk është i pari ndërtim që po prish bukurinë e bregdetit të Vlorës, shumë hapësira detare janë tashmë nën kërcënimin e ndërtimeve pa kriter. “Ne si drejtori rajonale kemi marrë masat tona për bllokimin e aktivitetit, si dhe për parandalimin e zënies së këtij bregdeti nga ndërtimet. Po aplikojmë me masa administrative deri në gjoba që shkojnë 10 milionë lekë, por siç duket ndërtimet vazhdojnë. Ky është një shkatërrim që i bëhet bregdetit të Vlorës që dita-ditës po i humbet bukuria dhe po kthehet tashmë në kantier ndërtimi”, sqaroi Gumbardhi. Sipas tij, agjencia rajonale e mjedisit ka bërë dhe një bllokim tjetër po në zonën e Ujit të Ftohtë, ku dhe këtu është dhënë leje ndërtimi në bregdet. Për kreun e mjedisit, këto leje që jepen janë abuzive dhe po shkatërrojnë qytetin e Vlorës nga dita në ditë, duke prishur përfundimisht vijën bregdetare, si dhe zonën e Ujit të Ftohtë të Vlorës, që është një nga zonat më të frekuentuara e me vlera të mëdha turistike, mjedisore.