PRVJETORI I NJ SHKOLLE DHE NJ KREMTIM I MUNGUAR MESJETAR...
Përvjetorët e shkollave, bibliotekave, spitaleve a institucioneve të tjera publike nuk është se përbëjnë lajm, në kuptimin gazetaresk të fjalës, por ka ndonjë specifikë që e bën të veçantë ndonjë prej këtyre kremtimeve. Dhe në rastin e gjimnazit të Rrëshenit, që kremton 50-vjetorin e tij këtë të enjte, ka diçka të tillë, si fakti që kremtimi nuk do të bëhet vetëm përmes ceremonive të rastit në Rrëshen, por dhe... përtej kufijve të vendit, ku jetojnë një pjesë e ish-maturantëve e ish-mësuesve të tij. Sapo ka mbërritur një e-mail nga Kanadaja, ku njëra nga ish-mësueset e gjuhëve të huaja të viteve ‘80 në këtë shkollë gjen mënyrën për t’u bërë pjesë e festës. Kurse një grup ish-nxënësish, po në kontinentin amerikan, kanë vendosur ta festojnë dhe ata në fundjavë përvjetorin gjysmëshekullor të gjimnazit të tyre, në një nga restorantet e Detroitit. Një “telegram” dërguar gjimnazit ka mbërritur dhe nga Roma, ku sërish janë një grup ish-nxënësish që duan të urojnë shkollën që prej 1960-s ka “diplomuar” rreth 6 mijë maturantë në arsimin e përgjithshëm e për disa vite dhe në atë profesional. E megjithatë, a është i mjaftueshëm ky konfigurim festiv për ta bërë publik, përtej kontekstit lokal, këtë kremtim? Mundet që jo, pasi festimi përtej detit do të ishte pjesë e intimitetit që brezat shkollarë kanë përjetësisht me shkollën ku kanë mësuar.
Por ndoshta një kremtim i tillë nis e merr një tjetër kuptim nga i zakonshmi, po të mendojmë se gjimnazi i Rrëshenit është vazhdim i një shkolle shqipe që në vitin 1900 qe hapur në këtë vend nga rilindësi i shquar Prend Doçi, e që këtë vit, dhe pse ishte 110-vjetori i saj, u harrua, më e pakta të vihej një pllakë me mbishkrim në themelet e saj. Po ashtu nuk ka ende një datë përkujtimore për ato pesëdhjetë shkollat e famshme të Ndrecë Ndue Gjokës, që këtë vit shënonin 65-vjetorin e hapjes. Për çdo vit përkujtohet themeluesi i tyre, por jo së bashku me ndonjërën nga shkollat e tij, si bie fjala atë të Shpalit (ish-qendra e Nënprefekturës së Mirditës), e para shkollë e rihapur pas Luftës. Por sidomos për një fakt kulturor, arsimor shumë më të hershëm, kremtimi i përvjetorit të një gjimnazi si ky, meriton vëmendje nga strukturat shtetërore, pasi tërthorazi kremtohet dhe shkolla e Velës, një nga shkollat e para shqipe të shekullit të 17-të, krahas asaj të Kurbinit, Pllanës etj. E mira do të ishte që “ditëlindja” e saj të kremtohej drejtpërsëdrejti, pasi i bën nder arsimit shqip në rrafsh historik, çka deri tani nuk ka ndodhur. Do të ishte Ministria e Arsimit dhe Shkencës, që duhej ta ndërmerrte një hap të tillë, pasi këto vatra diturie në mesjetë nuk janë thjesht “shkolla fetare”, por shkolla në themele të arsimit tonë kombëtar. Fatmirësisht, thuajse njëkohësisht me librat e parë në gjuhën shqipe, kemi dhe shkollat e para shqipe. Shkolla e Velës gjendet e hapur në vitin 1660 dhe sipas studiuesve aty “nxënësve u mësohej gjuha shqipe”. Me rëndësi të veçantë është fakti se Kuvendi i Arbrit (1703) nxjerr një Urdhëresë të posaçme për këtë shkollë dhe atë të Kurbinit, si dy ndër shkollat kryesore të kohës. Por nuk është rasti për t’u zgjatur më tej në këto radhë me anën historike të këtyre institucioneve të para të diturisë në vendin tonë. Ama është koha për një reflektim serioz dhe pa paragjykim ndaj tyre. Askush nuk mohon ato themele të mirënjohura të arsimit të epokës së Rilindjes, që kanë hyrë në kulturën e përkujtimit tradicional, por është po kaq e fisme dhe parimore kërkesa për të nxjerrë në dritë dhe të tjera themele shkollimi ndër shqiptarë, që deri tash kanë qenë të mbuluara nga pluhuri i harresës.
Gjithsesi, mësues e nxënës të gjimnazit jubilar merren me përgatitjen e festës së tyre, duke qenë tjetërkush që duhet të kujdeset për punët e historisë, qofshin ato dhe arsimore. Vërtet festat janë si dasmat, shërbejnë për ta shkundur disi “shtëpinë”, duke ia ndryshuar asaj pamjen. Edhe shkollës në fjalë i është ndryshuar dekori këto ditë, me stenda dhe afishe të reja, por puna është se për atë që të gjithë e quajnë “Universiteti i Mirditës” nuk duhet menduar vetëm një herë në vit, apo në pesë vjet, sa herë vijnë përvjetorët. Ky sigurisht që nuk është një problem vetëm për gjimnazin e mirditorëve, por thuajse për të gjitha institucionet shtetërore, jo vetëm në Mirditë, po dhe në Lezhë, Tiranë, Elbasan e të tjerë, që dallojnë këtu e tej nga ato private, që përgjithësisht janë luksoze. Nuk është fjala që dhe shkollat, bibliotekat, pallatet e kulturës, pallatet e sportit, kinematë, muzetë të jenë me doemos “luksoze”, por dhe të lihen me fasada të ronitura gjithë “harta-harta” dhe pa xhama (e tualete) nuk është normale.
Po të mos e ngarkojmë më shumë këtë shkrim me qortime. Fundja, ata që do ta kremtojnë festën e gjimnazit të tyre jashtë Shqipërisë, atje ku rrojnë prej vitesh në emigracion, do t’i gëzohen për së largu fotografisë së tij, që nuk ka të sharë. Ashtu si ata që e kanë për detyrë të kujdesen për kalendarin historik të arsimit, do të ishte e udhës që “punët” e kujtesës t’i zinin nga fillesat, sado të mjegullta të ngjajnë. Në rastin konkret, nga ato shkollat e para dioqezane të Mesjetës. Një pesëdhjetëvjetor shkolle sot është vërtet i rëndësishëm për një qytet, rreth apo rajon, por përkujtimi i disa datave nismëtare të arsimit kombëtar, tre-katër shekuj më parë, përbën detyrim qeveritar, është si të thuash qeveria, institucionet arsimore e shkencore në varësi të saj, ato që kanë tagrin dhe përgjegjësinë për përkujtimin e tyre.