E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhamia e re e Tiranes mes Lindjes Perendimit tradicionales e modernes

Prezantohet projektideja e kultit të ri të kryeqytetit

Xhamia e re në Tiranë do të jetë një hapësirë shpirtërore për besimtarët, një vend për kultivimin dhe shpërndarjen e dijes, një vend i përbashkët jo vetëm i kultit, por dhe i ambicies së Tiranës për t’u përfaqësuar si një qytet me një histori unikale, bashkëjetese, dialogu dhe mirëkuptimi mes besimeve të ndryshme. Nisur nga kërkesat e Komunitetit Mysliman, por edhe nga kërkesa e kohës, Bashkia e Tiranës organizoi një konsultë publike në praninë e përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman në Shqipëri, dhe grupeve të interesit. Kryebashkiaku Edi Rama ka bërë një paraqitje të përmbledhur të konceptimit dhe realizimit të ndërtimit të kësaj xhamie, një projektide që do të çojë në realizimin e shpejtë të një programi sa më të plotë, për t’ua vënë në dispozicion arkitektëve që do shprehin interes në konkursin ndërkombëtar për xhaminë e re.

Sipas ekspertëve, të cilët kanë përgatitur projektidenë, dhe prezantimit të kreut të bashkisë, xhamia po ndërtohet në shekullin XXI dhe duhet të reflektojë zhvillimin e kohës të cilës i përket. Projekti i xhamisë së re do të jetë rezultat i një konkursi ndërkombëtar, të organizuar në bashkëpunim nga Bashkia e Tiranës dhe Komunitetit Mysliman, duke reflektuar të gjithë nevojat e komunitetit të besimtarëve myslimanë.

“Në bashkëpunim me komunitetin, duke dëgjuar me shumë vëmendje kërkesat e përsëritura dhe të arsyeshme të komunitetit, për domosdoshmërinë e një territori, e një hapësire që do të mund të kryejë të gjitha shërbimet e nevojshme, zhvilluam një analizë dhe një vështrim konkret, duke marrë çdo të dhënë të nevojshme për një xhami të re të Tiranës dhe duke u përpjekur të gjejmë rrugën, se si të adaptojmë këtë kërkesë komplekse me një plan, i cili është në fillesën e vet”, tha kryetari i bashkisë, Edi Rama. Sipas tij, xhamia e re do të ketë një sipërfaqe totale ndërtimi prej 17 135 metrash katrorë, brenda një trualli prej 2930 metrash katrorë dhe arrin t’u shërbejë mbi 2500 besimtarëve, shifër kjo jashtëzakonisht e plotë, në përputhje me kërkesën e bërë nga komuniteti dhe me nevojat e konstatuara në jetën e përditshme.

“Janë 9 nivele, 4 nëntokësorë dhe 5 mbitokësorë, të cilat janë të parapara në gjithë këtë hapësirë dhe praktikisht, ne për të plotësuar edhe programin e xhamisë së re, në funksion të konkursit ndërkombëtar që duam të çelim për të zgjedhur idenë më të mirë”, sqaroi Rama. Sipas tij, ekspertët e bashkisë janë bazuar në programet e një numri të konsiderueshëm xhamish, në të katër anët e botës, që i kanë analizuar dhe studiuar në mënyrën se si ndërtojnë aktivitetin e tyre. Sipas vizionit të ekspertëve të bashkisë, bazuar dhe në eksperiencën e shumë vendeve të tjera, qoftë në Perëndim apo Lindje, aktualisht ekzistojnë të gjitha mundësitë që Komunitetit Mysliman t’i jepet një xhami e shkëlqyer. “Një xhami, e cila të jetë një tjetër shëmbëlltyrë e një shekulli të ri e ndërkohë të mund të bëjmë një kohezion të plotë mes kohërave, nga xhamia e Et’hem Beut në njërin krah, ku i gjithë pasqyrimi i tradicionales gjen shprehjen e vet më të bukur dhe në xhaminë e re të Tiranës në krahun tjetër, ku gjithë pasqyrimi i bashkëkohores duhet të gjejë shprehjen e vet më të bukur, sigurisht duke ruajtur të gjitha tiparet e domosdoshme të fizionomisë së një godine të kultit islam, por duke mos harruar asnjëherë se si çdo godinë kulti”, deklaroi kreu i bashkisë.

Aktualisht Tirana ka disa xhami të vogla dhe një xhami qendrore, ajo e Et’hem Beut, e cila është një monument kulture që u ka rezistuar edhe kohërave më të vështira për besimin në Shqipëri. Këtë monument duhet të vazhdojmë ta ruajmë dhe ta përdorim simbolikisht. Ndërkohë që për Komunitetin Mysliman të Tiranës duhet të ndërtojmë një xhami të re, që do të plotësojë nevojat e këtij komuniteti si për nga madhësia ashtu edhe për sa i përket programit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›