Frike nga regjistrimi
Pyetja “sa jemi?” është një pyetje që në vazhdimësi dominon debatin politik, ekonomik e social të Maqedonisë, që nga pavarësimi e deri më sot. Natyrisht, ky debat do të konsiderohej krejtësisht i panevojshëm sikur Maqedonia të ishte një shtet me një traditë të gjatë demokratike, me institucione funksionale e faktikisht të pavarura nga vullneti politik i elitave në pushtet. Ky debat do të ishte po ashtu i panevojshëm sikur Maqedonia të ishte një shtet homogjen për nga përbërja etnike, gjuhësore e fetare e tij dhe sikur të ishte ndërtuar si një shtet tipik nacional, me një komb të vetëm shtetformues. Por, meqenëse Maqedonia është një shtet me një traditë mjaft të shkurtër demokratike dhe është shtet shumë heterogjen për nga përbërja etnike, gjuhësore e fetare, debati mbi pyetjen “sa jemi?” duket se do të vazhdojë të jetë në qendrën e vëmendjes sonë politike edhe për një kohë.
Studiuesit me të drejtë pyesin nëse demokracia është vërtet e mundur në shtetet me diversitet kulturor, gjuhësor, etnik e fetar. Demokracia është definuar si pushtet i shumicës, por kush është shumica në shtetet me më shumë se një grup etnik? Është pikërisht kjo dilemë themelore e rregullimit demokratik që e sjell çështjen e regjistrimit në qendër të debatit. Sepse, pyetja “sa jemi?” është në varësi të drejtpërdrejtë me pyetjen “kush jemi?”, në kontekst të definimit të shtetit, të organizimit të tij, dhe në mënyrë të veçantë, në kontekst të ndarjes së pushtetit.
Prej këtu, është e qartë përse çështja e regjistrimit në shtetet multietnike ka një peshë të veçantë politike. Numrat në shtetet si Maqedonia janë treguesi themelor për atë se i kujt është shteti. Prandaj, procesi i regjistrimit në Maqedoni ka rëndësi të jashtëzakonshme për vendosjen dhe ruajtjen e balancës etnike në vend dhe nuk është e mundur që regjistrimi të shihet dhe trajtohet si një çështje thjesht teknike e evidentimit të banorëve e amvisërive. Regjistrimi është një çështje politike dhe duke qenë e tillë, shkakton frikë, dyshim e pasiguri.
Tradita e shkurtër demokratike e Maqedonisë dëshmon për kontroverset që e kanë ndjekur çështjen e regjistrimit dhe për mosmarrëveshje të theksuara mes shqiptarëve dhe maqedonasve në raport me regjistrimet e mbajtura para konfliktit të vitit 2001, i cili përfundoi me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit. Regjistrimin e parë në vitin 1991 shqiptarët e kishin bojkotuar me thirrje të klasës së atëhershme politike shqiptare. Arsyeja për këtë bojkot ishte pikërisht gjuha në të cilën duhej realizuar regjistrimi. Me kërkesë të komunitetit ndërkombëtar, në vitin 1994 u bë propozim për përsëritje të regjistrimit, ndërsa kjo gjë u kundërshtua nga një parti maqedonase, duke arsyetuar se nuk ka fare nevojë për regjistrim të ri dhe se qëllimi i vetëm i partive shqiptare kishte qenë destabilizimi i Maqedonisë. Me shpërthimin e konfliktit në vitin 2001, Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG), në raportin e publikuar lidhur me kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni, rekomandonte mes tjerash se “regjistrimi duhet të realizohet me ndihmë ndërkombëtare, për të përcaktuar realitetin demografik sa më saktë që është e mundur”.
Me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në shtet fitoi kuptim politik. Përdorimi i gjuhës shqipe, përdorimi i simboleve dhe përfaqësimi i drejtë në institucione, si tri shtylla themelore të këtij dokumenti, varen drejtpërsëdrejti nga rezultati i regjistrimit. Jo rastësisht komuniteti ndërkombëtar regjistrimin e ka radhitur pikërisht në masat për ndërtim të mirëbesimit ndërmjet komuniteteve dhe ka insistuar që ky proces të realizohet me monitorim ndërkombëtar.
Por, si do të realizohet regjistrimi në vitin 2011? Ligji i miratuar para pak kohe në Kuvendin e Maqedonisë ka provokuar shumë debat dhe ka krijuar konfuzion në opinion. Opozita shqiptare e ka kundërshtuar ashpër. Njëra parti ka bërë protesta, ndërsa tjetra ka paralajmëruar bojkot të procesit institucional dhe regjistrim paralel. Në argumentimet e tyre, të gjithë janë nisur nga frika për falsifikim eventual të rezultateve, bazuar në eksperiencat nga e shkuara dhe përfaqësimi i ulët i shqiptarëve në entin statistikor, si institucion bartës i këtij procesi. Por, për shqiptarët, që historikisht kanë pasur arsye për të kontestuar dhe për të mos besuar në qëllimin e regjistrimit, ligji krijon kornizë optimale për ndërtim të mirëbesimit ndaj procesit. Ky ligj ka si bazë parimet mbi të cilat u realizua regjistrimi i vitit 2002 dhe ato i avancon dhe ia përshtat kontekstit aktual në Maqedoni. Regjistrimi i vitit 2002 u realizua në muajt e parë, fill pas përfundimit të konfliktit dhe rrethanat asokohe kanë qenë shumë më të këqija, më të paqarta dhe më të dyshimta nga ç’janë aktualisht. Megjithatë, rezultati i regjistrimit u njoh dhe u pranua edhe nga shqiptarët, edhe nga maqedonasit, edhe nga komuniteti ndërkombëtar.
Opozita shqiptare ka problematizuar periudhën kur do të mbahet regjistrimi. Muaji prill është përzgjedhur në bazë të sugjerimeve të ekspertëve ndërkombëtarë që kanë ndihmuar në përpilimin e ligjit. Opozita ka shprehur frikë se ky afat do t’i përjashtojë nga regjistrimi të gjithë shqiptarët që përkohësisht jetojnë jashtë Maqedonisë, sepse muaji i vetëm kur ata kthehen në vendlindje është muaji gusht, prandaj dhe regjistrimi duhet bërë në gusht. Por, e vërteta nuk është kështu. Sepse në vitin 2002 për shembull, regjistrimi u mbajt në gjysmën e dytë të muajit nëntor, dhe shqiptarët u mobilizuan për të udhëtuar drejt vendlindjes dhe për t’iu përgjigjur thirrjes për regjistrim. Veç kësaj, deri më tani asnjë cikël zgjedhor nuk është mbajtur në gusht, e megjithatë shqiptarët rregullisht kanë ardhur për të realizuar të drejtën e tyre demokratike për të votuar.
Ekipet e regjistrimit, të cilat do ta zbatojnë procesin në vitin 2011, do të jenë etnikisht të përziera dhe ato do të reflektojnë realitetin etnik në Maqedoni, ndërsa zyrtarisht do të përdoret edhe gjuha shqipe. Në periudhën deri në mbajtjen e regjistrimit, enti statistikor do të punësojë mbi 50 kuadro shqiptarë, që do të ndihmojë dukshëm në përfaqësimin e drejtë dhe në realizimin e një procesi të pranueshëm edhe për shqiptarët. Njëkohësisht, ligji parasheh themelimin e Komisionit Shtetëror për Regjistrimin, një trup i përbërë nga akademikë, ekspertë statistikorë, hulumtues e veprimtarë të tjerë, me prejardhje të ndryshme etnike, dhe ky trup, në bashkëpunim me Entin Shtetëror të Statistikës, do të menaxhojë me procesin dhe me përpunimin e të dhënave. Ky komision ka për detyrë të eliminojë dyshimet e shqiptarëve në punën e Entit.
Të gjithë shqiptarët që përkohësisht jetojnë jashtë shtetit, me ligjin e miratuar mund të regjistrohen nga një anëtar i familjes së tyre që do të jetë në shtëpi në momentin e regjistrimit, duke prezantuar një dokument të vetëm për këta anëtarë. Anëtarët e familjes që jetojnë jashtë mund të dërgojnë dokumentet e tyre të identifikimit përmes postës dhe në regjistrim mund të prezantohet çdo lloj dokumenti i identifikimit, që nga pasaporta, letërnjoftimi dhe certifikata e lindjes.
Faktori kryesor që do të kontribuojë në rritjen e besimit ndër shqiptarë ndaj procesit të regjistrimit, është pikërisht prezenca ndërkombëtare. Prandaj, qeveria përmes Entit Shtetëror të Statistikave, fton që tërë procesin e regjistrimit ta monitorojë Enti Europian i Statistikave, EUROSTAT. Ashtu si në vitin 2002, edhe në vitin 2011, institucionet e shtetit do ta realizojnë procesin me një monitorim të theksuar ndërkombëtar. Përveç kësaj, edhe misioni i Bashkimit Europian në Shkup, edhe ekspertët e EUROSTAT, kanë qenë të kyçur në përgatitjen e ligjit dhe në negociatat politike brenda koalicionit qeveritar, për të hartuar një ligj sa më të mirë për regjistrimin.
Në fund, ligji për regjistrimin e popullsisë krijon kornizën juridike për të garantuar një proces fer, të drejtë dhe transparent, me pak mundësi për manipulime. Ajo që ngelet si përgjegjësi e klasës politike shqiptare në Maqedoni, si në pushtet dhe në opozitë, është që ta marrim mbi vete detyrën tonë qytetare për të kontribuar në suksesin e këtij procesi. Organizimi shoqëror e politik i shqiptarëve në Maqedoni pas vitit 2001 është ngritur përtej politikave të bojkotit dhe paralelizmave, dhe sot ai bazohet pikërisht mbi pjesëmarrjen në institucione. Marrëveshja e Ohrit është marrëveshje e cila dialogun shqiptaro-maqedonas e vendos në institucione dhe nuk e lë atë në margjina, siç ishte në vitet e para pas pavarësimit. Përveç kësaj, me regjistrimin e vitit 2002 u vendos një standard i njohur dhe i pranuar nga të gjithë dhe i cili thotë se shqiptarët në Maqedoni janë mbi 25 për qind. Ky standard nuk mund të rrënohet, por ama gjithsesi mund të avancojë. Prandaj, nga të gjithë ne bashkërisht pritet që të ndihmojmë që fjala për rëndësinë e regjistrimit të arrijë në çdo shtëpi, në çdo familje, te secili individ, brenda ose jashtë shtetit. Sepse, vetë ne më së miri dhe më së shumti mund të ndihmojmë që pyetja “sa jemi?” të marrë përgjigjen e duhur.
Autorja: Deputete e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Maqedoni