E Diel, 1 Nëntor 2026

Detyrim i ri cdo fature detyrim juridik

Problemet me shlyerjen e faturave dhe detyrimet prej disa miliona euro që kompanitë kanë në sektorin e energjisë ka detyruar ministrinë e linjës që të ndërmarrë disa nisma ligjore. Duke marë parasysh ankesat, por dhe situatën e krijuar në financat e kompanive KESH dhe OST, ministria e Energjetikës ka vendosur që t`i cilësojë të gjitha faturat e energjisë si titull ekzekutiv, duke i hapur rrugë kështu shlyerjes së menjëhershme. Gjatë kësaj jave është ndërmarrë dhe pregatitur ndryshimi ligjor ku do të vendoset që fatura tatimore e konsumit të energjisë elektrike të trajtohet si titull ekzekutiv.

Në komunikimin me mediat, ministria shprehet se titulli ekzekutiv ka rezultuar i suksesshëme në pagesat e faturave dhe ka rregulluar marrëdhëniet financiare të palëve kontraktuese. Burime në Albanian Screen në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare dhe në Operatorin e Sistemit të Transmetimit bëjnë me dije se të dy këto kompani kanë disa miliona euro për të marrë nga CEZ Shpërndarje për energjinë që kjo kompani ka hedhur në rrjet.

Mospagesa e detyrimeve për energjinë e blerë dhe transmetimin e saj ka krijuar një performancë të vështirë financiare të KESH dhe OST. Cilësimi si titull ekzekutiv i faturave të energjisë do tu shërbejë dhe kompanive të tjera që kanë hyrë, apo do të hyjnë në tregun e energjisë si prodhues, transmetues apo shitës.

Aktualisht në treg KESH-i është prodhuesi më i madh i energjisë, ndërsa rrugët e transmetimit nga hidrocentralet e mëdha apo nga kufiri shtetëror deri të nënstacionet e CEZ-it zotërohen nga Operatori i Sistemit të Transmetimit.

Aktualisht, KESH e shet me 1.48 lekë një kilovat orë, ndërsa Operatori i Sistemit të Transmetimit paguhet me 60 qindarka për çdo kilovat të transmetuar. Këto janë tarifat që Enti Rregullator ka miratuar për këtë vit, tarifa që nëse do të zbatoheshin do të plotësojnë kërkesat financiare të dy kompanive.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›