Nis procesi gjyqësor, vrau katër policë, Dritan Dajti njihet me akuzat e Prokurorisë
TIRANË - Merr fund maratona me seanca të dështuara ndaj Dritan Dajtit, që akuzohet se ekzekutoi një vit më parë 4 oficerë policie. Dje, Gjykata e Krimeve të Rënda më në fund ka nisur procesin gjyqësor ndaj Dritan Dajtit, që akuzohet për vrasjen e katër punonjësve të Policisë së Shtetit në gusht të vitit 2009 në Durrës. Në këtë proces, Dajti, që nuk ishte i pranishëm në seancë, do të procedohet së bashku me dy të dyshuarit si bashkëpunëtorë të tij, kunatin e tij, Ergest Xhorxhi dhe ish-punonjësin e Policisë së Durrësit, Mariglen Muça. Dy prokurorët që ndoqën çështjen janë Ardian Nezha dhe Eugent Beci. Gjatë seancës së djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda, përfaqësuesi i Prokurorisë, Ardian Nezha, lexoi për afro 30 minuta kërkesën për procedimin e 3 të pandehurve, duke njoftuar akuzat e rënda të ngritura ndaj tyre. Prokurori Nezha prezantoi rezultatet e hetimit për ngjarjen e rëndë të 9 gushtit të 2009-s në Durrës, duke e akuzuar të pandehurin Dajti si autorin e vrasjes me armë zjarri të katër ish-oficerëve të Policisë së Shtetit, Festim Xhanin, Artur Duçkollarin, Altin Dizdarin dhe Kastriot Feskën. Më tej, prokurori Nexha tregoi akuzat e ngritura për dy të pandehurit e tjerë të procesit. Kështu, të pandehurin Ergest Xhoxhi e akuzoi për përkrahjen e Dajtit në tentativat e tij për t'iu shmangur forcave të rendit kur ishte në kërkim, si dhe për falsifikim dokumentesh. Ish-punonjësin e Policisë së Durrësit, Mariglen Muça, e akuzoi për "abuzim me detyrën", duke nënkuptuar ndihmën e dhënë prej tij ndaj Dajtit kur ai ishte në kërkim nga autoritet e Drejtësisë. Gjatë kësaj seance prokurori listoi edhe provat për të provuar fajësinë e të pandehurve, si dhe paraqiti listën me dëshmitarët që do të thërriten në këtë proces, që janë mbi 20 persona. Pjesëmarrës në këtë seancë ishin të pandehurit Mariglen Muça dhe Ergest Xhoxhi, ndërsa mungoi për arsye shëndetësore i pandehuri Dritan Dajti. Para hapjes së procesit gjyqësor, dy të pandehurit kërkuan veçimin e çështjes nga ajo e Dajtit, por kërkesa e tyre është kundërshtuar nga Prokuroria e më pas Gjykata me argumentimin se dëmtohet procesi.
29 Maj 2010