E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetim të rinjve, vodhën skrap në trenin që po lëvizte



SHKODËR - Grabitja e hekurit për skrap ka vënë në hetim një 15-vjeçar dhe në kërkim është bashkëpunëtori i tij. Policia e Shkodrës ka bërë të ditur se një adoleshent është ndaluar nga Policia e qytetit të Shkodrës i dyshuar si një nga grabitësit e trenit të mallrave të linjës Podgoricë-Shkodër. Vjedhja u shënua tri ditë më parë, ndërsa policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim grabitësin e dytë. Sipas policisë në Shkodër, adoleshenti Lorenc Rushaj, 15 vjeç, hetohet në gjendje të lirë, ndërsa është shpallur në kërkim Kristian Lumaj, 19 vjeç. Të dy nga fshati Ivanaj i rrethit Malësi e Madhe akuzohen se kanë hipur mbi tren në ecje e sipër dhe kanë shkëputur 7 vagonë, prej të cilëve kanë vjedhur materiale metalike skrap. Siç është bërë e ditur nga policia, në sasi e madhe skrapi është grabitur nga dy të rinjtë në aksin hekurudhor Han i Hotit - Shkodër, në trenin e mallrave që vinte nga Mali i Zi me destinacion Elbasanin. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 të tri ditëve më parë, në afërsi të fshatit Vukpalaj të komunës Kastrat në rrethin e Malësisë së Madhe.
Vjedhja
Në kilometrin 135 të hekurudhës, rreth 100 metra pranë kalesës së dytë, dy të rinjtë kanë hipur mbi vagonët e trenit që ishte në lëvizje, thanë burime nga policia. Nga 15 vagonë të trenit, të cilat ishin të ngarkuar me skrap me destinacion Elbasanin, 9 prej tyre janë shkëputur nga pjesa tjetër pasi personat që kanë hipur te vagoni i gjashtë kanë mundur të shkëputin pjesën metalike lidhëse mes vagonëve dhe lokomotiva me 5 vagonë ka vazhduar lëvizjen edhe për disa metra. Nga vagonët e ndaluar personat që kanë qenë të hipur në të kanë hedhur jashtë sasi skrapi që shkon deri rreth 7 tonë. Personeli i trenit është ndaluar dhe ka lajmëruar sallën operative të policisë dhe atë të hekurudhës, ndërsa nuk ka mundur të ndalojë personat që disa dhjetëra metra më tej hidhnin nga vagonët skrap. Personat që kanë kryer këtë veprim janë larguar duke e lënë skrapin e hedhur në dy anët e linjës hekurudhore, ndërsa policia ka shkuar dhe ka kryer veprimet përkatëse. Vendi ku ka ndodhur kjo grabitje është në mes të sipërfaqeve pyjore, në rrugë të ngushta dhe linja hekurudhore lakon jo larg banesave. Sipas drejtorit rajonal të Hekurudhave në Shkodër, Tonin Trupa, treni ka qenë i ngarkuar me rreth 1000 tonë skrap dhe nuk është hera e parë që ndodh vjedhja e skrapit nga trenat e mallrave.
Rastet
Vetëm gjatë dy javëve të fundit, në këtë segment të hekurudhës, thuajse çdo natë ka pasur vjedhje të skrapit nga trenat e mallrave, por jo në këto përmasa dhe jo duke e dëmtuar trenin. “Personat që e kanë kryer këtë veprim kanë rrezikuar shumë jetët e tyre, pasi kanë hipur ndërsa treni ishte në lëvizje, edhe pse shpejtësia e tij në këtë zonë është 10-15 km në orë për shkak të ngarkesës së madhe dhe pjerrësisë. Mendoj se kjo që po ndodh është e qëllimshme dhe jo e rastësishme”, - thotë një nga drejtuesit e Hekurudhave. Vitin e kaluar kanë pasur një periudhë ku skrapi merrej nga trenat e mallrave në segmentin Shtoj-Shkodër, por policia lajmërohej sapo treni me skrap nisej nga Bajza dhe uniformat blu patrullonin segmentin ku kishin ndodhur vjedhjet derisa kalonte treni.

Denoncimi në polici
Dhuna ndaj Maks Velos, hetim biznesmenit, reagon dhe KSHH-ja
TIRANË - Shpëtim Dama, agresori i biznesmenit Maks Velo, është lënë i lirë pas marrjes në pyetje nga policia. Dosja e tij i ka kaluar tashmë për hetim Prokurorisë së Tiranës, ndërkohë që do të hetohet në gjendje të lirë. Sipas burimeve pranë uniformave blu, 50-vjeçari rezulton të ketë pranuar debatin që ka pasur me Velon, ndërsa ka mohuar të ketë qenë autor i ndonjë sulmi të dhunshëm ndaj tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur afër stadiumit "Qemal Stafa", kur Velo kthehej nga krahu i kodrave të Liqenit Artificial. Sipas kallëzimit penal, Velo pretendon të jetë goditur me grushte dhe mjete të forta në kokë. Ndërsa policia ka kërkuar ekspertimin e mjekut ligjor për të përcaktuar shkallën e dëmtimit nga goditja. Dje, Komiteti Shqiptar i Helsinkit reagoi ndaj dhunës së ushtruar nga një biznesmen ndërtimi mbi inxhinierin arkitekt dhe publicistin Maks Velo, pas një shkrimi që ky i fundit botoi më parë. KSH e cilëson ngjarjen "një akt brutal që duhet ndëshkuar". Ngjarja e rëndë, sipas vetë Velos, lidhet me një shkrim në formë komenti të kryer prej vetë atij në një të përditshme, ku përcaktonte 9 objekte që, sipas tij, kishin arkitekturën më të shëmtuar në Tiranë. Personi i shoqëruar, biznesmeni Shpëtim Dama, është bashkëpronar në ndërtimin e një objekti që ndodhet përballë hyrjes së stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë. “Veprimet e mësipërme përbëjnë një sjellje të kundërligjshme, së pari sepse cenojnë integritetin fizik të një shtetasi dhe, së dyti, janë një tentativë për të ndalur ushtrimin e të drejtës së lirisë së shprehjes”, - thuhet në një komunikatë për shtyp të shpërndarë nga KSHH. Mësohet se përfaqësues të kësaj organizate janë takuar vetë me zotin Velo dhe i kanë sugjeruar ndjekjen e çështjes në rrugë ligjore, duke i ofruar dhe asistencën e tyre, por ai hezitoi për shkak të mosbesimit të tij ndaj organeve të Drejtësisë. “Me keqardhje konstatojmë se raste të tilla ngurrimi nga shtetasit kohët e fundit nuk janë të pakta. KSHH i bën thirrje gjithë opinionit shoqëror për t’u bashkuar me reagimet e shumta ndaj një sjelljeje të tillë, e cila nuk u shkon për shtat synimeve tona, mbarëkombëtare, për një shoqëri demokratike e me të drejta njerëzore. Heshtja është me pasoja për të gjithë, për sot dhe për të ardhmen tonë”, - mbyllet deklarata e KSHH-së.

Vajza e zhdukur, policia kërkon shtëpi më shtëpi
KUKËS – Në ditën e shtatë të zhdukjes së 6-vjeçares nga Kukësi, policia ka nisur kërkimet për të shtëpi më shtëpi, në të gjithë zonën. Duket se ky kërkim vjen pas akuzave të fundit të bëra nga i ati i vajzës se ajo mund të jetë rrëmbyer për trafik organesh. Më herët është folur edhe për një telefonatë anonime në drejtim të familjes Mata, që ka shërbyer si sinjalizim që të çon të mendosh për një rrëmbim të mundshëm, por babai i vogëlushes mohon të ketë marrë telefonatë. Për këtë fakt, Prokuroria e Kukësit ka nisur hetimin e tabulateve telefonike. Vogëlushja Blerina Mata është zhdukur pasditen e 22 majit teksa kulloste bagëtitë. Banorët gjetën xhupin e saj në lëndinën rreth 500 metra sipër fshatit.

Policia, masa shtesë për sezonin turistik

TIRANË - Fluksi i pushuesve që pritet të vizitojnë Shqipëri nëgjatë sezonit turistik është paraprirë nga një plan i detajuar masash, të ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Do të ketë shtim të personelit në pikat e kalimit kufitar, shkurtim të procedurave në kufi si dhe parandalimi të trafiqeve. Burime nga policia kanë shpjeguar se të gjitha strukturat policore dhe veçanërisht ato të shërbimit të kufirit, do të jenë të angazhuara në përballimin e numrit të madh të pushuesve që pritet të mbërrijnë në vend, kryesisht nga pikat e kalimit në Kapshticë, Kakavijë, Morinë, Muriqan, Porti i Durrësit dhe Aeroporti i Rinasit.

29 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›