E Shtunë, 31 Tetor 2026

Devis Xherahu: “Si arrij të bëj para në buzukët e Greqisë”



Në errësirën e natës këndohen vetëm serenata, ndaj këngëtari Devis Xherahu e ka titulluar kështu singell-in e tij të parë me tri këngë. Këngëtari i lindur në një familje korçare artistësh dhe që po bën karrierë prej dhjetë vitesh në Greqi tregon në këtë intervistë për paratë, martesën dhe miqësinë me artistët grekë. Pas duetit me Eranda Libohëvën në këngën “Parandjenjë” është duke menduar për duetin e radhës dhe një koncert recital për Shqipërinë:
Udhëtoni shpesh drejt Tiranës, do të sillni diçka të re këtë verë?
Po, isha në Shqipëri para një jave sepse përfundova diskun tim të parë single-in me tri këngë që pritet të dalë shumë shpejt në treg dhe që titullohet “Në errësirën e natës”. E kam titulluar kështu pasi në errësirën e natës këndohen vetëm serenata. Ndërkohë që në fund të korrikut do të jem sërish në Tiranë për të realizuar xhirimet e një klipi veror.
Keni menduar të jepni një koncert tuajin për publikun shqiptar?
Po kam shumë kohë që e mendoj dhe them se do t’ia arrij së shpejti. Koncertin e fundit e mbajta në Korçë në vitin 1998. Më pas kam pasur shumë koncerte dhe kam qenë i ftuar në klube nate si këngëtar, por s’kam mbajtur recitale të mirëfillta. Aktualisht jam angazhuar me koncerte në Greqi dhe jashtë saj, ndërsa këndoj në disa buzukë prej katër vitesh me këngëtarin grek Lefteris Pantazis. Lefteris Pandazis e kemi dëgjuar të këndojë shqip bashkë me ju këngën “Rrukullisni kadet”. Ishte e vështirë të bindnit një këngëtar grek të këndojë shqip?
Kënga është realizuar një vit më parë dhe e kam kënduar për herë të parë në koncertin që bëmë bashkë me Pandazis në Sarandë. Kur njeriu e di mirë nga vjen dhe ku shkon si në rastin tim konkret që vij nga një qytet si Korça dhe familje serenatash, vështirësia është relative. Sepse në këtë rast ishte vetem problemi i gjetjes së kohës për realizimin në studio.
Keni miqësi me shumë këngëtarë grekë, cilët janë ata?
Pozicioni im më lidh me artistë të tillë si; Stamatis Gonidhis, Lefteris Pandazis, Vasilis Karas, Anxhela Dhimitriu, Notis Sfakianakis.
Kush jeni ju për publikun grek në momentet që po flasim?
Jam një këngëtar shqiptar që diti të fitojë zemrat e publikut grek, sepse është vetvetja.
është e vërtetë që keni fituar shumë para si këngëtarë në buzukët grekë. Sa i pasur është Devis Xherahu?
Pasuria me e madhe imja është ajo shpirtërore, të tjerat janë kalimtare. Për pyetjen që më bëni nuk mund të përmend vlera, thjesht ju them se jam i pasur aq sa të jetoj i qetë.
Dhe po jetoni një martesë, jeni ju ai tipi i vështirë në familje si shumë artistë të tjerë?
Unë përshtatem kudo me lehtësi. Jam i martuar prej shtatë vitesh me një muzikante, pedagoge pianoje në një nga fakultet më në zë të Athinës. Martesa po shkon shumë mirë, jam i lumtur, ndërsa po shijoj pushimet në Vjenë.
Bëhet xheloze bashkëshortja juaj, po ju jeni xheloz apo shpërfillës?
Njeriu që dashuron nuk i shmanget dot xhelozisë, por gjithmonë në kushte normale. Ndërsa unë për vete do thosha që jam shumë romantik...
Jeni një burrë besnik, apo tradhtar?
Jo tradhtar sepse nga momenti që vihet kurora në kishë, respekti për njeriun që do fiton në çdo situatë tundimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›