E Diel, 1 Nëntor 2026

Devoll, bie breshër sa një kokërr arre, dëme në kulturat bujqësore-FOTO

DEVOLL-Breshëri i pazakontë në rrethin e Devollit ka shkatërruar sipërfaqe të konsiderueshme me të mbjella ndërsa ka arritur në 10 cm trashësi. Fermerët më të prekur nga stuhia e breshërit janë ata të Dobranjit, të cilët tregojnë se prej vitesh nuk kishin parë një breshër të tillë, madhësia e të cilit ishte sa një kokërr arre.

Të shokuar nga ajo që kanë parë, fermerët thonë se kulturat e tyre bujqësore u shkatërruan dhe po kështu dhe pemët frutore, ndërsa apelojnë për ndihmë, pasi siç thonë edhe vetë ata, bujqësia është i vetmi burim jetese.

"Është një breshër i pazakontë që nuk është parë prej dekadash në këtë zonë. Ka dëmtuar gjithçka, fasule, patate, grurë madje edhe pemtari. Ne nuk kemi të ardhura të tjera, jetonim me bujqësi, tani edhe këto të mbjella na u shkatërruan. Duam dëmshpërblim”, tha një prej fermerëve.

Zona njihet për prodhueshmëri të lartë të kulturave bujqesore, por pavarësisht kësaj duket se dhe këtë vit dhjetra familje do të përballen me probleme të mëdha. Aktualisht komuna Miras në Devoll ka ngritur grupe pune në terren për verifikimin e dëmeve.

Breshëri i pazantë ka përfshirë edhe shumë fshatra në rrethin e Korçës si Vashtëmi, Vloçisht, Symiz etj.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera FOTO: Devoll, breshëri 10 cm shkatërron të mbjellat

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›