Devolli: “Tirana për fitore në Shkodër”Mesfushori Bledar Devolli: "Ndeshja me Vllazninë do të jetë kthesa jonë e vërtetë"

Rrjetet sociale:
Tirana fitoi 2-0 me Teutën në javën e 8-të, duke u rikthyer te fitorja pas pesë javësh, qysh nga ajo kundër Gramozit (0-1) në transfertë në javën e tretë, duke kompensuar në një farë mënyre dhe humbjen në derbi me Dinamon (2-1).
Mesfushori potent Bledar Devolli, autori i golit të dytë në fitoren ndaj Teutës, deklaroi për emisionin sportiv “Ora Sport” të televizionit informativ “Ora News”: “Tirana tashmë e ka lënë pas momentin e veshtirë psikologjik. Me kthimin e lojtarëve të dëmtuar kjo skuadër do te kthehet aty ke e ka vendin”.
Tirana ka grumbulluar në tetë javët e parë vetëm 11 pikë, duke qenë për momentin 9 pikë larg Dinamos kryesuese.
“Sigurisht jemi ende në luftën për titullin kampion. Ndeshja me Vllazninë do të jetë kthesa jonë e vërtetë. Do të shkojmë në Shkodër për fitore. Ndeshja Vllaznia-Tirana për ne është njëlloj si derbi kundër Dinamos. Nëse do të fitojmë në “Loro Boriçi”, atëhërë Tirana nuk do të gabojë më”, - tha gjirokstriti i 24-herë kampionëve të Shqipërisë.
Kundër Vllaznisë – takimi luhet ditën e premte, ora 17:00 – Tiranës do t’i mungojë mbrojtësi Tefik Osmani dhe sulmuesi Arbër Abilaliaj, ky i fundit, me tre gola të realizuar, është dhe golashënuesi më i mirë i rekordmenëve absolutë në Shqipëri.
Mbrojtësi i fuqishëm Rrezart Dabulla vazhdon fazën e rikuperimit, ndërkohë që edhe golashënuesi më mirë i sezonit të kaluar, Migen Memelli, do të mungojë në sfidën kundër nënkampionëve të sezonit të kaluar.
Tirana dhe Vllaznia diskutuan titullin në edicionin 2008-2009 – Tirana fitoi në ndeshjen e fundit të kampionatit 2-1 – por këtë fillimsezoni të dyja nuk kanë pasur një ecuri mbresëlënëse.
Si Tirana ashtu dhe Vllaznia drejtohen nga trajnerët e dytë sezonalë, bardheblutë kryeqytetas pas largimit të kroatit Ilija Lonçareviç drejtohen nga Alban Tafaj, ndërsa kuqeblutë shkodranë pas shkarkimi të Hasan Likës kanë në bankinë Roland Luçin.
Vllaznia është në emergjencë për pikë pasi, me 7 pikë në tetë javë ndodhet në zonën kritike, dhe një dështim tjetër i radhës do të përkeqësonte edhe me shumë situatën te klubi 9-herë kampion i vendit.
Numri i klikimeve - 1265
E Merkure, 28 Tetor 2009