E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhe Rusia e bëri

SHTYPI BOTËROR

Kur një fitore nuk është e tillë? Nuk është fitore kur dëmton imazhin e vendit, tremb aleatët dhe të fut në një luftë që nuk mund të fitohet me një kundërshtar shumë më të fortë. Ky është parashikimi i zymtë për Gjeorgjinë këtë fundjavë, pas asaj që u duk një fitore e shpejtë ushtarake kundër regjimit separatist në Osetinë e Jugut. Sulmet e Gjeorgjisë erdhën pas javë të tëra provokimesh në rritje dhe shenjave për një përforcim të gjerë rus në rajon.

Falë ndihmës amerikane 18 mijë ushtarët e Gjeorgjisë janë më të trajnuarit dhe të armatosurit më mirë në gjithë Kaukazin. Por është një gjë të përballesh me rebelët në rajonin e vogël të Osetisë Jugore, popullsia e së cilës nuk i kalon të 70 mijë banorët, dhe tjetër gjë është që një vend me më pak se 5 milionë banorë si Gjeorgjia të përballet me Rusinë 142 milionëshe.

Kremlini po reagon ashpër dhe aeroplanët luftarakë rusë po qëllojnë caqe në Gjeorgji. Forcat shtesë janë dërguar. Nga ana tjetër propaganda e fuqishme e Rusisë është hedhur në veprim. Nuk kanë munguar as sulmet virtuale, ato kundër faqeve të internetit të Gjeorgjisë. Rusia e di se kjo luftë më shumë se në fushëbetejë do të fitohet nga ai që fiton luftën mediale. Rusia po e portretizon Gjeorgjinë si agresor, një vend i paparashikueshëm që kërkon të vendosë kontrollin e vet përmes mjeteve ushtarake dhe "pastrimit etnik". Një vend i paraqitur në mënyrë të tillë nuk mund të marrë mbështetjen e Perëndimit.

Duket se kjo strategji po funksionon. Udhëheqësit evropianë prej kohësh kanë qenë dyshues ndaj Mihail Sakashvilit, presidentit të Gjeorgjisë, i cili plot karizëm dhe i arsimuar në Shtetet e Bashkuara erdhi në pushtet pas revolucionit të purpurtë në vitin 2005. Atje ku mbështetësit e Sakashvilit shohin sharm dhe mendje, kundërshtarët e tij si kancelaria gjermane Angela Merkel sheh një udhëheqës kokëfortë.

Shumë nga kritikat ndaj Sakashvilit janë të gabuara. Gjeorgjia nuk është një vend i përkryer, por nuk është diktaturë dhe nuk është një vend ideologjik, si është Kremlini një përzierje e nostalgjisë sovjetike me shovinizmin e kohërave cariste.

Gjeorgjia ka një shoqëri civile aktive, një opozitë të artikuluar dhe synon të anëtarësohet në BE dhe në NATO. Por arsyet morale nuk janë të mjaftueshme për të mbështetur Gjeorgjinë kundër agresionit të Rusisë.

Në thelb të kësaj mbështetje është një interes jetik i Perëndimit. Kërcënimi më i madh që Kremlini paraqet për Evropën është monopoli i Kremlinit ndaj rrugëve të eksportit të energjisë drejt Perëndimit. Një nga rrugët që e thyejnë monopolin rus është transportuesi nga Azerbaxhiani i pasur me burime energjitike drejt Turqisë, përmes Gjeorgjisë. Nëse Gjeorgjia dështon, dështojnë dhe shpresat e Evropës për pavarësi energjitike nga Rusia.

Megjithë këtë Perëndimi është i ndarë dhe i shpërqendruar. Amerika do të zemërohet pa masë nëse konfirmohet i vërtetë informacioni se aeroplanët rusë kanë sulmuar caqet ku gjenden këshilltarët ushtarakë të Pentagonit në Gjeorgji. Në të njëjtën kohë një president në prag të largimit nuk do të rrezikojë Luftën e Tretë Botërore për Gjeorgjinë.

Aleatët e Gjeorgjisë në Evropë janë vende të vogla ish-komuniste si Lituania, të cilat lihen në hije nga fuqia e shteteve si Gjermania. Berlini i çmon marrëdhëniet me Rusinë mbi gjithçka tjetër. Duket se Rusia është gati të godasë fort, me shpresën që të dërrmojë të mbrojturin e Perëndimit.

Me pak fjalë duket sikur Gjeorgjia ka rënë në kurthin e armiqve të saj. Gabimi i madh u bë në takimin e NATO-s në Bukuresht, kur Gjeorgjisë nuk iu ofrua një shteg i qartë anëtarësimi në Aleancë. Sakashvili na tërhoqi vërejtjen se Rusia do të përfitonte nga çdo mosmarrëveshje, dobësi apo pavendosmëri e Perëndimit. Dhe Rusia e bëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›