Gjinushi: Politikanët që u dhashë shkollën
“Hapja e Dosjeve, vazhdimi i luftës së klasave”
Kreysocialdemokrati shprehet se një pjese të mirë të politikanëve të sotëm i ka ndihmuar për të marrë shkollën apo për të fituar një vend pune
Gjinushi: Topallit dhe Patozit i kam dhënë shkollën
Ish-ministri i Arsimit në vitet 1987-1991, kryesocialdemokrati Skender Gjinushi, vlerëson se nisma e Partisë Demokratike për miratimin e një ligji të ri për hapjen e dosjeve nuk është gjë tjetër veçse një rikthim i luftës së klasave. Në një intervistë për “Shekullin” ai sjell raste konkrete se si politikanë të sotëm nga viktima të atij sistemi janë kthyer në persekutorë dhe zbatues të luftës së klasave.
Z.Gjinushi nisma e fundit e PD-së për hapjen e dosjeve përfshin dhe një nen ku kërkon që të konsiderohen të papranueshëm me moralin e nëpunësit të lartë shtetëror dhe të gjitha ata persona që në kohën e diktaturës kanë qenë titullarë institucionesh apo dhe zyrtar të lartë. E ndjeni veten të rrezikuar nga kjo kur dihet që keni qenë ish-ministër Arsimi për gati 3 vjet në atë kohë?
Kjo qeveri që vjen pas 15 vjetësh, pas rënies së komunizmit, në vend që të merret me qeverisjen e vendit, pas dështimit në të gjitha aspektet, pas krimit shtetëror të Gërdecit, përsëri kërkon të nxjerrë një ligj për të ringjallur përsëri të njëjtin mentalitet dhe për të përdorur të njëjtin kalë beteje, pra rrezikun që ka demokracia nga njerëz të inkriminuar nga regjimi i mëparshëm. Prandaj qëllimisht tani para zgjedhjeve ajo kërkon që të nxjerrë një ligj me anë të të cilit të penalizojë apo të ndalojë të kandidojnë individë të caktuar. KE në kriteret themelore të saja për këtë çështje nuk ngatërron dosjet me qëndrimin që mbahet ndaj ish-funksionarëve të lartë apo që presupozohen të inkriminuar nga regjimi i mëparshëm, sepse dosjet kuptohet që kanë pjesën e fshehtë dhe prandaj flitet për hapje, pra është ai aktivitet që është ushtruar nga një individ i caktuar dhe që nuk dihet nga publiku. Ndërsa pjesëmarrja apo roli që ka luajtur një individ i caktuar në sistemin e mëparshëm, duke qenë në një pozicion të lartë publik, është diçka e ditur dhe nuk ke se çfarë të hapësh për ta. Ky është dallimi.
Sipas logjikës së mazhorancës, pikërisht këta zyrtarë të lartë kanë udhëhequr dhe kanë hartuar politikat e atij sistemi. A mbajnë ata faktikisht përgjegjësi për to?
Ai sistem ishte monopartiak dhe si i tillë po të flitet për implikime, po të flitet për denoncime, po të flitet për rolin që mund të ketë luajtur x apo y në bërjen e luftës së klasave nuk i dihet se kush ka luajtur rol më të madh dhe më të vogël. Kjo nuk varej shpesh nga funksioni, por varej edhe nga zelli që kishin individë të caktuar. Dhe konkretisht ka punonjës partie siç është Sali Berisha që kanë denoncuar, demaskuar dhe kanë kontribuar më shumë në atë kohë për pastrimin e partisë dhe shoqërisë nga armiqtë e klasave, sesa disa individë që mund të kenë qenë bashkëpunëtorë dhe të kenë treguar se si në kooperativë vidheshin patate apo sesi njerëzit ishin të pakënaqur, se si në dyqane kishte radhë të gjata. Në këtë drejtim mund të them se po të krahasojmë dosjen e një bashkëpunëtori të sigurimit të shtetit me dosjen e Berishës si sekretar partie do të shohim që është shumë më e thellë dhe e ngarkuar dosja e këtij të fundit.
Ju z.Gjinushi keni drejtuar një nga ministritë më të rëndësishme siç ishte ajo e Arsimit ku natyrisht kriteri ideologjik, veçanërisht në përzgjedhjen e studentëve apo rekrutimi në administratë ka qenë parësor. Si keni vepruar ju në zbutjen e këtij kriteri apo sa përgjegjës e ndjeni veten për ato të drejta studimi që u janë refuzuar të rinjve vetëm dhe thjesht se baballarët apo familjarët e tyre nuk ishin në rregull me ideologjinë?
Në fillimet e demokracisë më është bërë shumë herë pyetja që si ka mundësi që përkrahni proceset demokratike në një kohë që keni qenë një funksionar i lartë i asaj kohe. Dhe përgjigja ime ka qenë e prerë: e kam për mburrje që kam qenë ministër Arsimi. Unë më parë kam qenë pedagog, dhe sigurisht pedagogu i matematikës nuk ka asnjë implikim ideologjik, pra rrjedhimisht aktiviteti im i marrë si intelektual ishte profesional dhe nuk kam pasur asnjë funksion partiak në atë kohë, pra s’kam qenë as sekretar rinie dhe nuk jam zgjedhur në asnjë strukturë tjetër. Nuk kam qenë si Sala që ka qenë qejfli i madh për këto punë. Pra unë s’i kam borxh askujt as në aspektin propagandistik dhe as në atë moral. Në vitin 1987 u bëra ministër i Arsimit dhe ky ishte vërtetë një moment prove, pasi kur ke një pushtet të caktuar atëherë njeriu kupton se nga cili krah mban dhe mund të tregosh nëse ke për prirje konsolidimin e asaj që gjen apo je për ndryshim. Në këtë drejtim nuk është e tepërt të them se reforma që është ndërmarrë në arsimin në 1987-1990 është e para dhe e vetmja reformë demokratike në këtë fushë. Këtu ndikoj dhe era e ndryshimeve në lindje. Pra ne ndërmorëm nismën për ta kthyer shkollën nga një shkollë revolucionare në një shkollë moderne, kur dihet që kjo fjalë nuk pranohej as për veshje. Pra me këtë dua të them se kontributi i gjithsecilit në atë sistem varej dhe nga vullneti i tij personal. Dhe mua m’u dha mundësia të provohesha në pozicionin e ministrit të Arsimit në një periudhë kur ndryshimet ishin prezente. Por megjithatë qëndrimi im liberal nuk mund të justifikohet thjesht me erën e ndryshimeve demokratike që po frynte, pasi dhe në fazën përfundimtare diktatura është e rrezikshme, sepse ende ka dhembe.
Ju vetë personalisht si ministër Arsimi, si keni mundur të përballoni presionin që vinte për shkak të vijës ideologjike që aplikonte ai sistem me kërkesat e shumta që kishin nxënës të ndryshëm për të vazhduar studimet, pavarësisht se mund të konsideroheshin me “njollë” në biografi?
Kjo është një temë që përsëri lë vend për debat. Duhet të kuptohet në radhë të parë që politikën nuk e bënte thjesht ministri dhe në rastin konkret ministri i Arsimit. Bilës do të thosha se në përgjithësi qeveritë e asaj kohe kanë qenë teknike, pasi politika bëhej nga Byroja dhe Komiteti Qendror. Ndërsa qeveria ishte në duart e teknokratëve dhe zbatonte vetëm vendimet përsa i përket planit politik. Në këtë aspekt një nga kriteret e pranimit në shkollë, siç e dini ka qenë dhe kriteri ideologjik si një nga filtrat me më pasoja për të rinjtë. Por këtu kishte të bënte shumë mentaliteti që kishte gjithkush për liritë dhe të drejtat e njeriut.
Me këtë doni të thoni se keni qenë demokrat i asaj kohe?
Njeriu nuk është demokrat kur kërkon liritë dhe të drejtat e veta, por është demokrat kur di të kërkojë dhe të mbrojë liritë dhe të drejtat e të tjerëve, madje kur rrezikon edhe mbi veten për këto të drejta. Liritë dhe të drejtat e veta i kërkon edhe diktatori. Bilës në mënyrë figurative edhe kafsha më e egër përsa kohë është e mbyllur në kafaz kërkon të dalë, por ama sapo del kërkon të hajë të tjerët. Pra në këtë kuptim nuk mund të vlerësojmë demokratët, ata që luftuan për liritë dhe të drejtat e tyre dhe kur i arritën këto harruan liritë dhe të drejtat e të tjerëve, dhe kërkuan që t’i shtypnin me këmbë. Në këtë kuptim unë do të thosha se duke përfituar edhe nga liberalizimi i situatës jam munduar mesa kam patur mundësi, ndoshta ndonjëherë edhe duke rrezikuar veten që të ndihmoj ata individë që e meritonin të shkolloheshin apo dhe të zinin një vend të caktuar pune konform dijeve të tyre, individë që për ironi të fatit sot ndodhen në politikë dhe kërkojnë të kufizojnë liritë e të tjerëve për të njëjtën arsye, biografinë.
Mund të përmendni emra të njerëzve që keni ndihmuar në këtë detyrë dhe që sot janë të njohur për publikun?
Ka shumë. Por duhet thënë se i kam ndihmuar pa i njohur, kjo pasi për shkak të detyrës Ministri nuk mund të njohë të gjithë nxënësit që kërkonin të vazhdonin studimet e larta, apo mësuesit që kërkonin të ndryshonin pozicion apo të fillonin një punë të caktuar. Tani që këta individë janë bërë persona publikë natyrisht që i njoh dhe vetë ata e kanë pranuar se i kam ndihmuar.
Z.Gjinushi pavarësisht se ju insistoni për të mos u marrë me emra të veçantë, unë doja t’ju pyesja për emra konkret që ju keni ndihmuar dhe që sot bëjnë një jetë të njohur publike. Çfarë do të thotë për ju rasti Kastriot Islami?
Në rast se do të rimë dhe bëjmë listë emrash do të dalin se mbi çereku i politikanëve të sotëm në një farë mënyre apo në një tjetër kanë qenë në telashe përsa i përket të drejtave të tyre të studimit apo të punësimit. Dhe në këtë kuptim do të thosha se në ushtrimin e detyrës time si ministër i Arsimit jam munduar që t’i ndihmoj, por gjithmonë pa i njohur se cilët ishin në të vërtetë. Dhe njerëzit me probleme biografike në atë kohë mund të ndaheshin në njerëz me biografi të vjetra që ishin ata që kishin qenë ballistë apo kulakë, dhe njerëz me biografi të reja që ishin ata që kishin qenë pjesë e atij pushteti, por që ishin shpallur armiqtë me kalimin e kohës si grupi i ushtarakëve, Mehmet Shehu etj. Dhe rasti që ju përmendni ka të bëjë pikërisht me biografitë e reja. Unë Islamin e kam njohur që më parë. Ai kishte mbaruar studimet në Francë dhe kërkonte të vazhdonte atje një specializim, por megjithëse i kishte dalë kjo e drejtë atij nuk i jepej leja apo viza siç quhet ndryshe. Kjo për shkak se një xhaxhai i tij ishte shpallur armik si implikuar në grupin e ushtarakëve. Pushteti refuzonte t’i jepte vizë pasi nuk kishte garancinë biografike dhe për ta marrë këtë të drejtë i duhej përkrahja e dikujt për ta kaluar këtë pengesë. Është dashur insistimi ynë si Ministri dhe garancia personale e imja që të mundësohej vajtja e tij jashtë shtetit. Mua si ministër i Arsimit m’u tha nga Ministria e Brendshme që të bëhesha garant për të. Dhe unë në bazë të njohjes që kisha pranova që të dilja garant. Me këtë m’u duk pak e çuditshme që mjaftonte një fjalë për të kaluar një pengesë të tillë, megjithëse nuk arrija të kuptoja se çfarë do të thoshte garanci dhe çfarë do të ndodhte në rast se vetë z.Islami do të vendoste të mos kthehej më, pra të arratisej.
Gjithashtu z.Gjinushi më parë jeni shprehur se ka dhe shumë raste në të djathtë, që për shkak të biografisë kanë patur vështirësi për të marrë të drejtën e studimit apo dhe për të zënë një vend pune...
Në të djathtë ka shumë raste të tilla. Kuptohet që të gjithë politikanët e sotëm që kanë bërë shkolla në ato vite dhe që kanë patur pengesa biografike kam patur rastin që t’i ndihmoja me aq sa mundej dhe me aq sa mund të ndikonim. Qoftë për marrëdhënie personale, por edhe për shkak të vendit shpesh arrija të influencoja tek komiteti i partisë për t’i dhënë të drejtën e studimit shumë individëve dhe lista është shumë e gjatë, sidomos në të djathtën e sotme. Për hir të së vërtetës janë ata vetë që ma kanë thënë këtë fakt pasi unë si njihja në atë kohë. Por ajo që më duket e papranueshme sot është qëndrimi që mbajnë këta individë në demokraci dhe që në atë kohë kanë patur probleme të tilla. Një i tillë kur ma ka kujtuar i kam thënë: Ne në atë kohë kemi shkelur një kriter të kohës duke dhënë një të drejtë që mohohej padrejtësisht, por që ama mund ta paguaje shtrenjtë, ndërsa tani në demokraci kur duhet të jesh krejtësisht i çliruar nga kriteri biografik PD vazhdon e merret ende me të.
E keni fjalën për Tritan Shehun?
Po bëhet fjalë pikërisht për të, i cili është një nga ata individë që e kam ndihmuar në atë kohë për të zënë një vend pune.
Cili ka qenë problemi që ka patur Tritan Shehu në kohën e diktaturës?
Z.Shehu ka pasur një pengesë. Ai ka qenë pedagog dhe mjek në spital. Ai nuk kishte marrë penalizimin maksimal për refuzimin e të drejtës së studimit, përkundrazi ai kishte marrë një emërim të lartë si pedagog dhe mjek. Ndërkohë, pasi kishte nisur punë atij i ka dalë një problem biografik, pasi kishte dikë që punonte tek “Zëri i Amerikës” dhe për këtë nuk deshën ta promovonin si shef pavijoni. Ai atëherë është mbrojtur me cilësitë që tregonte nga ana profesionale dhe intelektuale dhe ne e kemi mbështetur.
Mund të na thoni emra të tjerë të cilët në atë kohë kanë qenë preh e kritereve absurde dhe që sot propagandojnë të njëjtat kritere?
Po të bësh listën e PD-së nga origjina do të shohim se është gjysma e kryesisë së PD-së që nga viti 1991 e këtej, përfshi tre apo katër nënkryetar, një ish-kryetar, një kryetar grupi, si edhe kryetar Kuvendi.
Bëhet fjalë për kryetaren aktuale të Kuvendit, Jozefina Topalli?
Ajo e ka thënë vetë që unë e kam ndihmuar për shkollën, se unë as që e kam njohur në atë kohë. Në fakt ajo shkollën e ka bërë në ato vite që unë kam qenë ministër Arsimi. Ndërsa tani që ia do nevoja ka filluar ta mohojë një gjë të tillë, por 15 vjet e ka pohuar. Pra edhe në rastin e Topallit unë kam dalë mbi kriterin e kohës dhe e kam favorizuar, megjithëse nuk e njihja.
Kur shpreheni se keni ndihmuar edhe kryetarin e grupit parlamentar të PD-së e keni fjalën për z.Patozi?
Nuk dua t’i marr emrat me radhë, por meqë ju këmbëngulni tek to mund të them që për sa i përket kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, pra Astrit Patozit, di vetëm që i kam dhënë shkollën, pra që e kam ndihmuar. Kjo më është thënë më pas se unë nuk e njihja në atë kohë dhe e kam marrë vesh më vonë që Patozi ka qenë një nga emrat e shumtë që kam ndihmuar për t’i dalë shkolla e lartë.
Gjithashtu një histori të tillë ekziston dhe me ish-kreun e PD-së së Tiranës, sot ambasadorin e Shqipërisë në Greqi, Vili Minarolli apo edhe kryetarin e grupit parlamentar republikan Arian Madhi...
E ritheksoj edhe një herë se lista e këtyre individëve që atëherë janë ndihmuar në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e atij sistemi është shumë e gjatë. Por meqë ju më përmendni rastin e Minarollit dua të them se atë e njihja që më parë, sepse ai ka qenë në gjimnaz tre vjet përpara meje, pra ai ishte viti i katërt, unë tek i pari. Minarolli njihej në shkollë si një nxënës i mirë dhe që ka pasur qejf matematikën. Megjithatë e njihja nga larg dhe jo se kishim njohje direkt. Dhe ironia e fatit e dha që ai për arsye biografike pas studimeve e çuan mësues në Berat dhe nuk e linin që të kthehej në Tiranë pasi vlerësohej nga ai sistem se nuk kishte besueshmërinë e duhur. Pas ndërhyrjeve të familjarëve të tij kam mundur që të kontribuoj në këtë transferim të merituar për shkak të profesionalizimit të tij. Ai me urdhrin tim është emëruar në institutin pedagogjik, megjithëse komiteti i partisë së Tiranës ka qenë totalisht kundër. Pra ne morëm një vendim kundër qëndrimit dhe urdhrit të komitetit të partisë. Ndërsa për rastin e z.Madhi mund ta konsideroj një rast i vogël të cilit i kemi dhënë thjesht shkollën.
Për Islamin
“ Ai kishte mbaruar studimet në Francë dhe kërkonte të vazhdonte atje një specializim, por megjithëse i kishte dalë kjo e drejtë atij nuk i jepej leja apo viza siç quhet ndryshe. Kjo për shkak se një xhaxhai i tij ishte shpallur armik si implikuar në grupin e ushtarakëve”
Për Shehun
“Ai nuk kishte marrë penalizimin maksimal për refuzimin e të drejtës së studimit, përkundrazi ai kishte marrë një emërim të lartë si pedagog dhe mjek. Ndërkohë pasi kishte nisur punë atij i ka dalë një problem biografik, pasi kishte dikë që punonte tek “Zëri i Amerikës” dhe për këtë nuk deshën ta promovonin si shef pavijoni”
Për Topallin
“Ajo e ka thënë vetë që unë e kam ndihmuar për shkollën, se unë personalisht nuk e kam njohur në atë kohë. Në fakt ajo shkollën e ka bërë në ato vite që unë kam qenë ministër Arsimi. Ndërsa tani që ia do nevoja ka filluar ta mohojë një gjë të tillë, por 15 vjet e ka pohuar”
Për Patozin
“Astrit Patozit di vetëm që i kam dhënë shkollën, pra që e kam ndihmuar. Kjo më është thënë më pas se unë nuk e njihja në atë kohë dhe e kam marrë vesh më vonë që Patozi ka qenë një nga emrat e shumtë që kam ndihmuar për t’i dalë shkolla e lartë”
Për Minarollin
“Ironia e fatit i dha që ai për arsye biografike pas studimeve e çuan mësues në Berat dhe nuk e linin që të kthehej në Tiranë, pasi vlerësohej nga ai sistem se nuk kishte besueshmërinë e duhur. Pas ndërhyrjeve të familjarëve të tij kam mundur që të kontribuoj në këtë transferim të merituar për shkak të profesionalizimit të tij”
Për Madhin
“Për rastin e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Republikane, Arian Madhi, mund ta konsideroj një rast i vogël të cilit thjesht i kemi dhënë shkollën. Edhe ai për shkaqe biografike i ishte mohuar padrejtësisht një e drejtë’