Për ajrin e përditshëm*
Deri në prag të viteve `90, Tirana ende klasifikohej si qytet i hijshëm europian, me blloqe ndërtimi të paqme e katror (ish blloku), me lagje, me vila elitare karakteristike (rreth RTVSH), me pallate të ulëta e të ujdisura me intuitën e arkitektëve gjeometër të asaj kohe (shallvaret, pallatet agimi), me lagje me shtëpi tipike Tiranase (kodra e kuqe) deri në lagje vakëf me shtëpi me qerpiç (varri i Bomit), me rrugë që nuk dalin dot boje qysh për 200 vjet e më tepër (bulevardi madh), por mbi të gjitha Tirana dominohej nga një gjelbërim i krahasueshëm me Berlinin, ku çdo Tiranasi, sikundër dhe një Berlinezi i binte për hise të kishte 15m2 blerim, dhe nëse do të përfshihesh dhe kurora e gjelbër e saj (vargu Selitë, Farkë, Dajt), Tirana mbetej model i bashkëjetesës njeri-natyrë.
Sot kemi mbi 6-7 vjet, që çdo tiranas thith zyrtarisht 73 kg pluhur në vit ose gjysmë bardhaku pluhur në ditë. Ende marrim ujë me racion (në atë masë sa të tjerët në vende të tjera rrëkëllejnë birra), jemi përbri faktit të OBSH, që kemi 4000 raste shtesë në vit të kancereve, rrugë si Komuna e Parisit me dendësi popullsie prej 1500 banorë/ha (Honkongu me 140 banorë merret për shembull negativ) etj. Pikërisht afër kësaj rruge sot flitet për një qendër të dytë për Tiranën.
Cili qytet në Evropë ka dy qendra me Down Town-e? Madje, ka qytete si Berlini, Parisi, Praga, Budapesti e pothuajse të gjitha qytetet e Evropës me jetëgjatësi sa Tirana, që nuk kanë lejuar as dhe një qendër down town-i për hir të konstitucionit arkitekturor të qytetit të vendosur nga intuita popull në kohëra historike. Ndërkohë që, Tirana ka me dhjetëra lagje, ku keqas bashkëjetojnë kullat 13 katëshe me vilat trekatëshe.
Sa për dijeni për qytetarët, ajri, sot në Tiranë hyn nga veriperëndimi, freskohet në liqenin e madh dhe në kodrat përreth dhe cirkon për të dalë po nga ajo anë, por tashmë duke freskuar qytetin. Megjithëse, për atë, që nuk di ku shkon nuk ka rëndësi drejtimi i erës. Që të bindeni pyesni tiranasit e vjetër, se si gjysma e bulevardit të madh nga treni deri tek sheshi “Skënderbe” ka temperaturë tjetër se ajo nga sheshi deri tek Korpusi. Po nesër, nëse do të kemi edhe 16 ngrehina nga 16 deri në 33 kate tek liqeni? Ç`do të bëhet me kondicionerin natyral tonin? Mund të sajohen dhe të blihen kondicionerë, që të freskojnë shtëpitë tuaja, por për ajrin jashtë, ku këta kondicionerë do të derdhin më shumë nxehtësi, kurrë nuk do të gjenden mjete sado të sofistikuara qofshin për ta freskuar atë.
Në projektin në fjalë zona e kompleksit të pishinave quhet e degraduar; zona e Kopështit Botanik cilësohet si zonë nën mungesën e një mirëmbajtje në vite (pavarësisht nga ngazëllimi që ajo iu sjell çifteve përgjatë ditës së dasmave, si i vetmi vend parajsë për atë ditë parajsë). Për Kompleksin Dinamo, me qenë se nuk gjejnë dot fjalë të mbrapshta, thonë se do ta marrin pronarët. (a thua se ky shtet po respekton pronarët?!). Aty mëson, se garda do të spostohet dhe së bashku me të edhe ca dhjetëra hektarë pyll i sotëm. Me qenë se, zona është e ndjeshme dhe investimi është pothuajse i nivelit strategjik do të pyesnim: E kemi studimin mjedisor? Po atë të vlerësimit strategjik mjedisor? Po studimin e leverdishmërisë ekonomike, për të vlerësuar realisht, nëse ia vlen të shembet kjo zonë apo të rimëkëmbet ajo?
Tirana i ka pasur mundësitë për të zhvilluar realisht qendra të reja, si në qytezat përkatëse, Kombinat, Laprakë, Kinostudio, Kamëz, ndoshta dhe për të zhvilluar qytete të reja si “Tirana e re”, sikundër Beogradi i ri, në zonat Sauk, Bathore, Paskuqan, Autostradë. Por jo. Na duhet një emër i madh (qendër).
Në këtë “qendër urbane”, me rreth 25 hektarë do të ndërtohen rreth 400,000m2 sipërfaqe banimi, ku do të vijnë të jetojnë të kurthuar rreth 4000 familje ose 16,000 banor, të ndjekur nga 6-7000 makina. Pra, në vend se kjo zonë, përfshirë pjesë të parkut pyll artificial, gjithë kopshtin botanik, kompleksin e gjelbëruar e sportiv Dinamo, etj., të ripërtërihej në identitetin e saj për 1500 banorët/ha të lagjes pranë, si Komuna e Parisit, zihet edhe më, pikërisht me 800 banor/ha, duke e bërë këtë lagje të rrethuar nga betone gri, nga tarraca me depozita uji gri, nga pallate me saçe gri, dhe duke e dënuar përjetësisht këtë lagje me mesataren më të lartë në botë për banorë për hektarë, përpos një jetesë pa gjelbërim, pa sheshe shplodhjeje, me probleme parkimi, me kabllo telefoni e vizioni tebdil hava (sepse dihet që në Shqipëri një kokërr mollë fut mbreti në gurmaz, sejmenët shkulin pemën nga pas).
Po mirë mund të thotë dikush. Çfarë u bë nëse vijnë 16 grataçielat? Bëhet shumë! Dihet se çdo person thith 8,000-10,000cm3 ajër me oksigjen, mundësisht me ozon për 24 orë. Mirëpo, ajri për hektarë është pothuajse sasi konstante, që do të thotë se ky oksigjen në vend që të përpjesëtohet për maksimum 100 njerëz/hektarë do të shkojë për 1500 të tillë/ha, pra mua si qytetar më është sekuestruar lënda e parë bazë për të jetuar O2 ose O3.
Shto këtu fshirjen e zonave të gjelbra, (oksigjen më pak e CO2 më tepër), shto këtu tarracat pa çati (estetikë vrastare, rrezatim më i lartë, temperaturë me e lartë), shto këtu zhdukjen e pasqyrave ujore (lagështi më pak), shto këtu betonizimin (freski më pak) e kurorës së gjelbër (Selitë, Farkë, Dajt). Atëherë llogaritet që të ndjejmë temperaturën mbi 10 gradë më tepër, që nuk është pak mbi një maksimum të mundshëm (mesatarisht 360-380) të saj gjatë stinës së beharit.
Por edhe Tirana, nëse lejohet kjo “qendër” dënohet, sepse do të hapet sipari për 21 qendra të tjera ekzistuese sportive në Tiranë. Detyra nuk është thjesht luks qytetar drejt një jetë më të mirë, nuk kërkon as veprim të çastit, por një trimëri shkencore e përgjegjësi të matur qytetare. Për ajrin e përditshëm.
*SHËNIM I REDAKTORIT:
Dy artikujt e faqes së sotme të opinioneve janë gjykime pro e kundër mbi projektin e publikuar ditët e fundit për urbanizimin e pjesës skajore të Tiranës pranë Liqenit Artificial. Janë vlerësime prej një arkitekteje dhe një ambientalisti. Faqet e komenteve janë të hapura për këtë debat që na përket të gjithëve si banorë të kryeqytetit