E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhe çka tash?



Hashim Thaçi, Kryeministri i Qeverisë së Kosovës dhe Shefi i të gjitha institucioneve të Kosovës (ama njëmend i të gjithave), është ithtar i teorive politike që njohin si koncepte themelore të tyre Fillimin dhe Fundin, pa pasur aspak në konsideratë kontinuitetin historik, vendimmarrjen demokratike politike, dhe përballjen me realitetin politik dhe ekonomik.
Me Thaçin dhe politikanët afër tij, ndodh Fillimi i Historisë së çlirimit të Kosovës. Gjë prej gjëje nuk ka pasur më parë. Me Thaçin dhe politikanët rreth tij, ndodh Fundi i Politikës në Kosovë. Gjë prej gjëje nuk do të ketë në politikën kosovare pa ta.
Pa Thaçin dhe politikanët që i qëndrojnë pranë, Republika e Kosovës bëhet hi dhe pluhur. Gjë prej gjëje s’mbetet në Kosovë. Dhe prej Kosovës.
Shembujt konkretë të sjelljes së këtillë të Kryeministrit Thaçi dhe të vartësve të tij, janë renditur një pas një, kohëve të fundit.
Ngadhënjimi i Kosovës, i të gjithë qytetarëve të saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), është monopolizuar prej tij. Nuk ka pasur përpjekje më të vogël që gjendja e krijuar në Kosovë dhe rreth Kosovës, pas 22 korrikut (ditës së vendimit të ICJ-së), të trajtohet si do të duhej në një shtet demokratik. Së pari, duke thirrur një sesion të veçantë të Kuvendit të Kosovës, ku do të iniciohej debati se çfarë masash dhe veprimesh duhet ndërmarrë tash e tutje Prishtina zyrtare që të materializojë fitoren e Hagës, në dobi të krijimit të rrethanave më të volitshme për anëtarësimin e Kosovës në OKB, në vjeshtën e vitit 2011. Së dyti, duke ftuar në takime liderët e opozitës parlamentare në Kosovë, me synim të krijimit të një konsensusi brendakosovar për temën e njohjeve të reja të shtetit të Kosovës dhe për zbatimin e Strategjisë për veriun e Kosovës. Së treti, duke harmonizuar me faktorët vendorë dhe ndërkombëtarë agjendën e përgatitjes së Kosovës për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në të cilën pritet një përplasje e re e Prishtinës dhe Beogradit.
Sjellja e udhëheqjes së Kosovës, pas 22 korrikut, 2010, ka qenë po ajo sikurse pas 17 shkurtit të vitit 2008, kur Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë. Edhe atëherë, edhe tash, në përputhje me Teorinë për Fundin, tek Hashim Thaçi, Kryeministri i Qeverisë dhe mbështetësit e tij, mori hov bindja që gjithçka mori fund, që Serbia u gjunjëzua, që tash e tutje çdo gjë do të ecën mirë dhe mbarë në Kosovë, në të gjitha drejtimet e mundshme, sikurse në atë parullën e kohërave të perënduara: Për çdo ditë të lume, në çdo aspekt të mundshëm, po përparojmë gjithnjë e më tepër!
Po historia dhe politika nuk funksionojnë dot në këtë mënyrë. U pa pas 17 shkurtit të vitit 2008 dhe tani, pas 22 korrikut të vitit 2010.
Atëherë, ju kujtohet, Kryeministri Thaçi na tha që Kosova do të njihet rrufeshëm prej 100 shteteve anëtare të OKB-së, gjë që me siguri (po të ndodhte), do të çelte rrugë që
Kosova pa bërë një vit të ekzistimit si shtet, ta çojë flamurin e saj në East River (selinë e OKB-së). Deri më tash, Kosova është njohur prej 69-të shteteve anëtare të OKB-së.
Para dhe veçmas pas shpalljes së qëndrimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Kryeministri Thaçi dhe Shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, folën për 35-50 shtete që presin ta njohin Kosovën së shpejti. Paralajmërohej valë e re e madhe, madje, u përdor edhe një nocion i gjithëfuqishëm (Cunami i njohjeve).
Deri këtë të hënë (me 16 gusht), nuk patëm asnjë njohje të vetme. Mbase ka një mori arsyesh pse kemi ngecje të kësisojtë atëherë kur prisnim shtimin e numrit të shteteve që kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, por ato nuk po na paraqiten fare neve, qytetarëve të Kosovës. Realiteti politik dhe diplomatik mund të ndryshohet në dobi të Kosovës, nëse pranohet si i tillë, e jo nëse tutje vazhdojmë që me parulla dhe me deklarata që i përngjajnë një fushate parazgjedhore, t’i kundërvihemi atij. Nëse ka shqetësime tek lidershipi i Kosovës për këtë temë (e cili lidership në botën demokratike nuk ka shqetësime dhe nuk provon t’i shoqërorizojë me maturi ato me opinionin e vet), për temën e njohjeve pra, atëherë, rendi është të flitet hapur me kosovarët, e jo që ata të trajtohen thuajse nuk marrin vesh gjë prej këtyre punëve.
E lidershipi i tashëm kosovar, veçmas në javët e fundit, po trajton edhe faktorin ndërkombëtar në Kosovë dhe në Perëndim, thuajse ai është krejtësisht injorant. Ndryshe, nuk ka si të shpjegohet nisma e Prishtinës zyrtare për zëvendësimin e Rezolutës 1244 (të Këshillit të Sigurimit të OKB-së), me një tjetër, apo, qëndrimi i Kryeministrit Thaçi që pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës i ka ardhur Fundi, veçmas në segmentin e kompetencave ekzekutive të Misioneve ndërkombëtare në Kosovë. Pa këto kompetenca, ta zëmë, EULEX nuk mund dot ta luftojë korrupsionin.
Ai qytetari anonim kosovar, i cili është skajshmërisht i politizuar, për shkaqe fare mirë të njohura për të gjithë ne, e di mirë që Kosova tutje do të ketë telashe të mëdha me Serbinë, dhe që duhet bërë edhe shumë punë për të mbërritur tek porta e OKB-së, e më pas, edhe në Bruksel, në selinë e Paktit NATO dhe të Bashkimit Evropian.
Ky kosovari mesatar, e di që nuk mund dot të ndryshohet Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, derisa Federata e Rusisë e ka qëndrimin krejtësisht refuzues ndaj pavarësisë së Kosovës.
Dhe ky kosovar, pos që e ka të qartë që s’është rendi i përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur, (të cilën gjë na paralajmëron Kryeministri Thaçi), e di fare mirë që shoqërisë dhe shtetit të Kosovës, tutje i duhet prania civile dhe ushtarake perëndimore, sepse ndryshe nuk do të mund ta fuqizojmë këtë shtet.
Po del që ky kosovari mesatar merret më shumë vesh në politikë dhe në diplomaci sesa kreu i Kosovës. Apo jo.

Blerim Shala është nënkryetar i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo opinion është shkruar dhe botuar në gazetën Express

17 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›