E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasaportat biometrike, radhë të gjata në qendrat e aplikimit



Çdo ditë, në 200 qendrat e aplikimit në të gjithë vendin regjistrohen rreth 6 mijë aplikues për pasaportat biometrike. Ditët e fundit ky fluks është rritur ndjeshëm për shkak të ardhjes së shumë emigrantëve për pushime në Shqipëri. Që në orët e para të mëngjesit radha për të aplikuar bëhet e gjatë dhe pritja mund të zgjas orë të tëra. Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i aplikantëve në të gjithë vendin arrin në 6 mijë persona, ndërsa procesi deri me tani konsiderohet i suksesshëm. Burimet e Ministrisë së Brendshme thonë se janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit dhe se qendrat e aplikimit janë urdhëruar të punojnë me orar të zgjatur këto ditë, madje edhe gjatë fundjavës. Pajisja e shtetasve shqiptare me dokumentet biometrike të identifikimit konsiderohet si një prej kritereve më të rëndësishëm, për procesin e liberalizimit të vizave. Ndërkohë që qytetarët ankohen se u janë dashur ditë të tëra për të aplikuar për shkak të fluksit të madh të aplikantëve dhe mungesës së personelit në qendrat e aplikimit. Shpesh probleme u sjellin dhe ndryshimet e emrit që ata kanë bërë në vendin ku qëndrojnë ose ndryshimet e të dhënave personale në dokumentet e mëparshme. Mbas aplikimit ata duhet të presin deri në 10 ditë për të marrë pasaportën.

Reagimi

Të lodhur nga pritja për orë të tëra në qendrat e aplikimit dhe shpesh edhe nga problemet që punonjësit në këto qendra u nxjerrin, qytetarët shprehen të pakënaqur me menaxhimin e situatës nga ana e instancave përkatëse. “Kam që ditën e premte që përpiqem të aplikoj, prita aty rreth tre orë dhe kur më erdhi radha u detyrova të kthehesha përsëri te zyra e gjendjes civile sepse ata për shkak të papërgjegjshmërisë së tyre më kishin ngatërruar muajin e lindjes” tha Matilda Kasa. Kjo e fundit ishte informuar se edhe në fundjavë qendrat do ishin hapur, por në fakt punohej vetëm me një sportel dhe fluksi i aplikantëve ishte i madh. Kasa nuk mundi të aplikonte dhe u kthye në shtëpi pa kryer aplikimin. Edhe dje deri në orën 11 ajo ende nuk kishte mundur të kryente punë. “Ne kemi ardhur në Shqipëri vetëm për pak ditë, për të pushuar ndërkohë që po sorollatemi sa në një zyrë në tjetrën”, tha Kasa. Ajo ishte një nga shumë emigrantët që kishin ardhur nga Greqia apo vendet e tjera për të pushuar ndërkohë që siç tregojnë edhe vetë aplikimi për pasaportën biometrike po i’u merr shumë kohë. Qytetarët ankohen gjithashtu për sjelljen jo hijshme që sipas tyre kanë punonjësit e qendrës së aplikimit dhe të zyrës së gjendjes civile ndaj tyre. Gjithashtu ata bëjnë përgjegjës po këta punonjës për problemet që u dalin gjatë aplikimit. Sipas tyre punonjësit janë të papërgjegjshëm kur plotësojnë certifikatat e tyre të lindjes duke u krijuar atyre probleme në vazhdim.

Pajisja

Për t’u pajisur me pasaportën biometrike çdo personi i duhet fillimisht të blejë kuponin 6 mijë lekë të reja dhe së bashku me një certifikatë me fotografi të shkojë në qendrat e aplikimit për të plotësuar formularin me të dhënat personale. Deri tani sipas burimeve në Ministrinë e Brëncme janë prodhuar 850 mijë pasaporta biometrike ndërkohë që janë mbi 930 mijë persona që kanë aplikuar dhe presin të marrin pasaportën. Për shkak të rritjes së fluksit të aplikimit në këtë periudhë sezoni veror, ka edhe një zgjatje të afatit të tërheqjes së dokumenteve biometrike të prodhuar nga 7 në 10 ditë. Numri më i madh i aplikimeve konstatohet në qytetet kryesore, ndërsa parashikohet që tetori të ketë një ulje të aplikimeve nga emigrantet për shkak të çeljes së qendrave të aplikimit në 4 konsullatat tona në Rome dhe në Selanik.

Parkimi me pagesë, qytetarët ankohen për tarifa të shtrenjta nga ana e Bashkisë së Tiranës

Nisi dije projekti pilot i Bashkisë së Tiranës për parkimin me pagesë. Ky sistem fillimisht po zbatohet në parkimet përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit", duke filluar nga kryqëzimi mes dy Ministrive, deri tek Ura e Madhe e "Dajtit", Bulevardi "Gjergj Fishta", nga Ura e madhe e "Dajtit", deri tek Ura "Dëshmorët e 4 Shkurtit" dhe që nga kryqëzimi i rrugës "Myslym Shyri" me rrugën "Dëshmorët e 4 Shkurtit", deri tek Ura e Re e Bllokut. Gjithashtu, zona tjetër është zona përpara stadiumit "Qemal Stafa", që është sheshi "Italia", me të gjithë rrethimet e tij, si nga krahu lindor, krahu verior dhe nga krahu perëndimor. Sipas Bashkisë të Tiranës ky projekt u realizua për të lehtësuar trafikun e rënduar të kryeqytetit dhe për t’i shtyrë qytetarët të përdorin më shumë transportin urban sesa atë privat. Bileta është 1 orëshe, 2 orëshe dhe 3 orëshe ka të gjithë elementët e sigurisë brenda, është e ndërtuar në mënyrë të thjeshtë dhe është lehtësisht e përdorueshme nga çdo qytetar. Ato kushtojnë 100, 200 dhe 300 lekë dhe duhet të vendoset në një vend të dukshëm, në pjesën e brendshme të xhamit të makinës, për të qenë lehtësisht e identifikueshme nga kontrollorët. Dje, drejtues të shumtë shprehën pakënaqësinë e tyre pikërisht për çmimin e biletës. Sipas tyre kjo tarifë është shumë e lartë dhe e papërballueshme nga vetë ata. Drejtuesit e mjeteve i bëjnë apel Bashkisë të Tiranës të rishikojë vendimin dhe të marri masa duke ulur tarifat. Ndërsa punonjësi i Bashkisë së Tiranës, Përparim Goxhaj shprehet se qytetarët kanë treguar interes për këtë projekt të Bashkisë dhe se ky sistem ka rezultuar i suksesshëm që ditën e parë të tij. “Qytetarët vijnë, presin biletën për kohën që do të rrinë këtu dhe bëjnë procedurat përkatëse duke gërvishtur në krahun anësor muajin që jemi, vitin që jemi, orën dhe minutat. Nga momenti që aktivizohet bileta është e pranueshme për aq kohë sa ai paguan. Nëse qytetari kalon afatin ka procedura të tjera. Ai mund të gjobitet nga organe të tjera si policia bashkiake, në bazë të ligjit deri në 3 mijë lekë të reja ose marrje të makinës me karroatrec”, tha Goxhaj. Sipas deklaratave te autoriteve te Bashkisë,ky projekt pritet që të shtrihet shumë shpejt edhe në zona të tjera të Tiranës.

Rriten ndjeshëm çmimet e produkteve ushqimore, si ato të importit edhe ato vendase

Ditët e fundit po vihet re një rritje e dukshme e çmimeve të produkteve ushqimore si dhe e fruta-perimeve. Blerësit ankohen për abuzimin e shitësve ndërkohë që këta të fundit ua vënë fajin firmave dhe kompanive prodhuese. Sipas tyre çmimi është rritur edhe në tregun e shumicës.
Çmimet Mielli Sheqeri Kafe Vaji Orizi Veza Makaronat
ishin 100 120 100 220 130 10 150
janë 120 135 120 245 150 13 170
Ditë më parë u shtegtua buka me 10 lekë ndërkohë që rritje në çmim kanë pësuar edhe produktet e bulmetit, produktet e drithërave, uji, produktet e mishit, frutat dhe perimet. Rritje kanë pësuar dhe produktet vendase. Sipas prodhuesve ata janë të detyruar të rrisin çmimin. Tregtarët e pakicës thonë se duke u referuar nga të dhënat e tregtarëve të shumicës dhe prodhuesve edhe në muajt në vijim çmimet e produkteve ushqimore do të vinë duke u rritur. Por ata që do ta vuajnë më shumë rritjen e çmimeve janë konsumatorët e përditshëm, të cilët edhe më përpara ankoheshin për çmimet e larta të produkteve ushqimore që ata konsumojnë çdo ditë.

17 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›