E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërkombëtarët mbështesin të drejtën e kthimit të pronës



Lidhur me thirrjen e datës 10 Gusht 2010, që kryetari i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve, “Pronësi me Drejtësi” z. Rrapo Hajredin Danushi i ka drejtuar djemve të Dukatit, gjithë bregdetasve dhe Kryesisë së Shoqatës Bregdeti, që është pasqyruar më tej dhe në shtypin e datës 13 Gusht 2010, mbështesim plotësisht protestën e drejtë të Dukatit, që kërkon pronat sipas kufijve të kadastrës së para kolektivizimit komunist dhe pa përsëritur ato që janë bërë publike në gazetë ju drejtohemi të gjithë pronarëve të shpronësuar nga diktatura që të marrin shembull dhe ta mbështesin Dukatin në kërkesën e tyre të drejtë dhe të ndershme, për ti vënë fre pushtimit të pronave të të parëve tanë nga pushtetarët postkomunistë. Shprehim respekt dhe falënderim për ato familje të Dukatit, që refuzojnë tokën, që Qeveria ua ka falur me ligjin djallëzor 7501 dhe bashkohen me familjet e ndershme, që kërkojnë kthimin e pronave të të parëve të tyre. Të tilla familje, që po reflektojnë në parimet e ndershmërisë sa vijnë e shtohen në të gjitha fshatrat e zonës turistike.
Sqarojmë të shpronësuarit se ne kemi mbështetjen e shumë institucioneve ndërkombëtare. Nga shumë përgjigje që i janë kthyer shoqatës bëjmë publike përgjigjen e Ambasadorit të SHBA i cili ndër të tjera thotë: Ju falënderoj për letrën tuaj të datës 3 Maj (2010). Unë vlerësoj që ju më drejtoni mua këtë problem të rëndësishëm. Ashtu siç ju shënoni me korrektesë në letrën tuaj, SHBA po ndjekin nga afër problemin e kthimit të pronave në Shqipëri. Duke ditur se e drejta e pronës është shtylla e një shoqërie të lirë dhe demokratike, unë shqetësohem shumë për ato që përshkruani ju në letrën tuaj. Më tej Ambasadori Withes vazhdon: “Megjithatë, unë dhe të tjerë të ambasadës, në një numër rastesh, kemi theksuar me Qeverinë shqiptare, nevojën për një zgjidhje të drejtë për mijëra probleme të dukshme të pronës në Shqipëri.
Shqipëria është në rrugën e integrimit Evropian dhe të drejtat themelore siç është e drejta e pronës, do të jetë e dukshme në këtë rrugë. Ashtu siç ju përshkruani me kujdes në letrën tuaj, zgjidhja e problemit të pronës është themelore për zhvillimin e vazhdueshëm të ekonomisë dhe demokracisë në Shqipëri. Është kritike për Shqipërinë që ajo ta zgjidhi problemin e pronës në mënyrë transparente, të drejtë dhe në përputhje me ligjin. Unë ju falënderoj përsëri që ju sollët këtë shqetësim në vëmendjen time dhe unë mundem t’ju siguroj ju se Ambasada e SHBA nuk e nënvlerëson rëndësinë e këtij problemi, jo vetëm për ju por për të gjithë anëtarët e shoqatës tuaj dhe për të gjithë shqiptarët”.
E falënderojmë Ambasadorin Withers dhe besojmë në solidaritetin e Ambasadës së SHBA.
Të nderuar pronarë të shpronësuar! Ju lutemi t’a analizoni këtë thirrje, që po publikojmë dhe jepjani një pronari tjetër në qytet apo në fshatin tuaj, që të gjithë të shpronësuarit të informohen dhe të mos hezitojnë të mbështesin kërkesat e Dukatit, të shoqatës Bregdeti dhe shoqatës kombëtare Pronësi me Drejtësi, që ne pronarët të mos mashtrohemi dhe mos besojmë më në fjalët e bukura të politikanëve grabitqarë, që ne na quajnë ish pronarë dhe realisht janë kundër kthimit të pronës tek i zoti dhe kundër pronarëve të vërtetë. Krahas protestës së burrave të Dukatit, sot rikujtojmë burrërinë e 46 protestuesve të grevës së urisë trima të çartur të Malësisë së Madhe, pronarë të shpronësuar të Velipojës dhe të Shkodrës, të pronarëve të Lezhës, të Tiranës të vitit 1993, që u trajtuan mizorisht nga SHIK-u, sepse me grevë urie kërkonin të sensibilizonin qeverinë për kthimin e pronave tek i zoti; kujtojmë protestën e niviciotëve për Kakomenë dhe shumë protesta të tjera, prandaj ju bëjmë thirrje, jo vetëm bregdetasve, por të gjithë të shpronësuarve të zonave turistike nga Velipoja, Shkodra, e deri në Sarandë, që të marrim shembull nga Dukati se vetëm të bashkuar e drejta jonë do të fitojë. Në të kundërt, të gjithë i dinë ato vargjet e vjetra që thonë; “ Zjarr i madh në përrua, kur u ndez e kur u shua” Protesatet janë mjete demokratike me të cilat populli bëhet faktor për zgjidhjen e shpejtë të problemit të pronës.
I drejtohemi publikisht Z. Bamir Topi, Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, President i Republikës, garant i të Drejtave të Njeriut dhe i zbatimit të Kushtetutës, Kryeministrit z. Sali Berisha dhe gjithë deputetëve që në zbatim të nenit 81 të Kushtetutës, duke pritur reagimin e tyre, pasi anarkia e pronës është problemi më emergjent për popullin. Ky problem, mund të vihet në rrugën e zgjidhjes dhe të zgjidhet shumë shpejt, në mënyrë të drejtë, definitive të qëndrueshme dhe në përputhje me detyrimet Kushtetuese dhe kërkesat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (dok nr 11115 dt 20.12.2006), ose siç sugjeron Ambasadori Withers në mënyrë transparente, të drejtë dhe në përputhje me ligjin (ne kuptojmë ligj që përputhet me kushtetutën), dhe pa faturë financiare astronomike (në krahasim me variantin aktual të Qeverise). Zgjidhja mund të bëhet ,nëpërmjet miratimit me procedurë të shpejtuar nga Kuvendi i Shqipërisë, të një ligji. Ligjvënësve mund t’ju ofrojmë draftin e projektligjit dhe kërkojmë të jemi palë në diskutimin e tij. Ligji përfundimtar duhet të përcaktojë që:
1. Zgjidhja e problemit të pronës dhe reforma e pronës në përputhje me kërkesat e Këshillit të Europës, detyrimet kushtetuese dhe sipas titujve të mirëfilltë të pronësisë të pranohet me ligj si detyrimi i Qeverisë dhe i shtetit. Ligji të dallojë qartë dy faza të veçanta: kthimi dhe pas përfundimit të kthimit të fillojë kompensimi.
2. Ligji të detyrojë që Qeveria të ndajë dhe dallojë se cilat janë prona ku shteti gëzon ligjërisht titujt e pronësisë sipas parimeve të nenit 41 të Kushtetutës dhe cilat janë prona që Shteti i diktaturës ju grabiti pronarëve të ligjshëm dhe që duhet tu kthehen fizikisht të zotërve. (neni 181 i Kushtetutës), dokumente të cilat shteti i disponon.
3. Ligji të shpalli të pavlefshme të gjitha aktet me të cilat drejtuesit e institucioneve shtetërore, pas vitit 1991, pronën e subjekteve të shpronësuar, nuk e kanë kthyer në origjinë, por e kanë transferuar në persona të tretë.
4. ligji të përcaktojë një afat kohor për kthimin fizik (rikthimi i të drejtës së posedimit) të pronave të trashëguara, në kufijtë e vjetër sipas dokumenteve zyrtare të para vitit 1945. Kthimi ti bëhet trungut familjar të trashëgimlënësit, pronar i ligjshëm, grup pronarësh apo institucioni fetar. (kthim fizik pavarësisht nga zëri kadastral apo lloji i pronës: tokë bujqësore, kullotë, livadh, truall, pyll etj. siç bëjnë ligjet aktuale dhe kontradiktore dhe jo kthim të pjesshëm vetëm trashëgimtarit që jeton në fshat).
5. Ligji të përcaktojë që Pronarëve të truallit të shpronësuar nga diktatura tu kthehet plotësisht prona dhe e drejta e parablerjes së objekteve të ngritura mbi tokat e tyre dhe të privatizuara me mënyra të pa drejta ose korruptive nga Qeveritarët sipas interesave klanore.
6. Të llogaritet masa për zhdëmtim ose sipas rastit vlerësim financiar, personave të tretë, që pas vitit 1991 i kanë përfituar padrejtësisht dhe po i shfrytëzojnë pronat e pronarëve të shpronësuar nga diktatura dhe pronat e shtetit.
7. Nga pronat e shtetëzuara nuk kthehen tek i zoti, por kompensohen ato prona që janë tjetërsuar për ndërtime banimi para vitit 1991 ose vazhdojnë edhe sot të shfrytëzohen për nevoja publike konform ligjit.
8. Pas përfundimit të kthimit të fillojë faza e kompensimit. Kompensimi të bëhet me prona të mirëfillta të shtetit, që sipas të dhënave zyrtare përbëjnë 52% të pronës . Kompensimi në zbatim të parashikimit të Kushtetutës për shpronësimet për interes publik bëhet i menjëhershëm, me vlerën e tregut dhe me prona të shtetit.
9. Kompensim të parashikohet vetëm për pronat që vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike, si dhe ato prona që nga viti 1944 deri 1991 janë tjetërsuar për godina banimi. Këto nuk përbëjnë asnjë problem sepse janë shumë pak dhe Shteti që është pronar me 52% të pronave i del dhe i tepron të kompensojë shumë herë më tepër nga sa janë nevojat reale, pa krijuar deficite financiare për të cilat me platformën aktuale të kompensimit dhe të legalizimeve absurde që janë veçse tymnajë dhe mashtrim, të gjithë shqiptarët duhet të paguajnë për më shumë se 1000 vjet.
Një ligj i këtij tipi detyron qeveritarët të kthejnë pronat që kanë fituar padrejtësisht ose pronat që janë vjedhur, korrigjon gabimet e ligjit 7501, që e çon Shqipërinë në gropë dhe jo në Evropë . Ky ligj kthen Shqipërinë në identitet, sepse shmang konfliktet e krijuara për probleme pronësie brenda familjes dhe midis familjeve, korrigjon demagogjinë e zgjatur të pseudo të majtëve dhe pseudo të djathtëve, bën kalimin nga shteti social komunist dhe anarkist dhe prezantohet e quhet pluralist në shtet me themel demokratik, pasi respektimi i të drejtës së pronës është gur prove i demokracisë dhe i politikanëve demokratë. Ky ligj plotëson të gjitha qëllimet pozitive të idesë së ligjit të propozuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj, por që me të drejtë nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës.
Veç sa më sipër sqarojmë të gjithë institucionet e interesuar se platforma e deritanishme Berisha – Nano ka keqpërdorur fondet e USAID, FMN dhe B. Botërore të dhëna për rregullimin problemit të pronës dhe regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Korrigjimi i gabimeve me pronën mund të fillojë edhe me ZRPP duke shtuar në regjistrat aktualë një rubrikë të re që të përcaktojë origjinën e pronës para kolektivizimit komunist. Pastaj shteti të shpalli të pavlefshme ato pjesë të atyre akteve sipas të cilave prona nuk i është kthyer trungut familjar të pronarit por është transferuar pa të drejtë tek persona të tretë. Shteti i disponon të gjitha dokumentet dhe institucionet që të përcaktojë se e kujt ka qenë prona para kolektivizimit komunist. Në rastet kur pronarit që i kthehet prona, ka kontestime, ai ka të drejtë ti drejtohet gjykatës.
Vetëm kur prona do të kthehet tek i zoti , atëherë do të mbyllet ky burim i madh i korrupsionit politik dhe ekonomia e vendit shpëton nga një faturë dhe barrë e papërballueshme ekonomike.
Ne shpresojmë në ndihmën konstruktive që mund të japin komisionerët e Këshillit të Evropës, USAID, FMN, Bankës Botërore dhe institucioneve ndërkombëtare me të cilat kemi komunikuar, se ato, ashtu siç bënë me Maqedoninë dhe vendet e tjera ish-komuniste, do ta kushtëzojnë edhe Qeverinë Shqiptare për zbatimin e të drejtës më themelore të njeriut atë të gëzimit të pronës private të trashëguar si një prej parimeve themelore për çdo vend demokratik. Bota demokratike nuk mund ta tolerojë më gjatë këtë situatë jo normale kur financimet e tyre, kultivojnë korrupsionin pushtetar dhe bëhen vrasëse për të drejtat themelore të njeriut dhe për demokracinë.

17 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›