Shalsi: “Vokshi dhe Selmanllari, bashkëpronarë në një kompani ndërtimi”
Partia Socialiste ka publikuar fakte të reja që dëshmojnë lidhjen e deputetes Albana Vokshi me familjen Berisha me aferat korruptive. Nënkryetari i Grupit Parlamentar në PS, Eduard Shalsi, deklaroi dje se bashkëshorti i Vokshit, Arian Tartari, e ka në bashkëpronësi kompaninë “Vision Construction sh.p.k.” me Rahman Selmanllarin, mik i ngushtë i Shkëlzen Berishës. Selmanllari është një personazh i përfshirë edhe në afera të tjera korruptive, si në rastin e Gërdecit. Midis emrave të dyshuar nga prokuroria për shkaktimin e tragjedisë së Gërdecit ka qenë edhe emri i Rahman Selmanllarit. Gjykata ka nxjerrë një urdhër arresti për të, por ai nuk është paraqitur asnjëherë. Sipas selisë rozë, kjo është edhe një nga arsyet që kryeministri Berisha nuk reagon ndaj këtij korrupsioni, pasi është vetë i përfshirë në të. Partia Socialiste, nëpërmjet Shalsit, kërkon nga palët e përfshira në këtë aferë korruptive të japin shpjegime.
Deklarata
“Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen e publikut një biznes, ‘Vision Construction sh.p.k.’, kompani në bashkëpronësi të zotit Tartari dhe të një emri të njohur si për opinionin publik, ashtu edhe për kryeministrin. Rrahman Selmanllari, i njohur ndryshe si miku i ngushtë i djalit të Berishës, apo edhe si përfaqësuesi i interesave të biznesit të familjes Berisha, pra rezulton të jetë aksioneri tjetër i kësaj kompanie. Dhe këtu duket bashkëpunimi mes të dy aksionerëve”, - deklaroi Shalsi. Deputeti Shalsi sqaron se objekti i biznesit së kësaj firme është tregtimi i karburanteve dhe vajrave lubrifikuese, të cilat prodhohen nga fushat e naftës e gazit që i janë falur me koncesion nga Sali Berisha, Arian Tartarit, për llogari të firmës së tij “Stream Oil”.
Heshtja
Përballë gjithë kësaj anomalie, PS-ja ngre pikëpyetje dhe dyshime mbi heshtjen e kryeministrit Berisha. “Nuk mund të shmangësh dot pikëpyetjet në lidhje me bizneset e bashkëshortit të Vokshit me shokun e Shkëlzen Berishës. A i janë dhënë koncesionet Tartarit, apo është ai një fasadë për të fshehur përfshirjen e drejtpërdrejtë në biznese korruptive të anëtarëve të familjes në pushtet? Nga ana tjetër, ky fakt ngre gjithashtu shumë dyshime në lidhje me reagimin e munguar të Sali Berishës që nga publikimi i fakteve në lidhje me koncesionet për burrin e ish-këshilltares së tij”, - u shpreh Shalsi, duke shtuar: “A është heshtja e kryeministrit e detyruar nga përfshirja e drejtpërdrejtë e tij e familjes së tij në këto afera korrupsioni?”.
Partia Socialiste çdo ditë ka dalë me fakte të reja, që dëshmojnë lidhjen e deputetes demokrate, Albana Vokshi, me korrupsionin. PS-ja ka zbuluar se kryeministri Sali Berisha i ka falur 4 miliardë dollarë pasuri publike Vokshit, duke i krijuar lehtësira në marrjen e dy tenderëve kompanisë së bashkëshortit të saj, Arian Tartari.
Partia Socialiste, që në krye të herës ka akuzuar ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, se është i përfshirë në afera korruptive. PS-ja ka kërkuar që Prokuroria të vihet në lëvizje për të hetuar pasuritë e tij të padeklaruara. Socialistët i kanë kërkuar Priftit të japë llogari për pasurimin e tij brenda një viti me 2 miliardë e gjysmë lekë, i cili është shprehur se i ka fituar ato para nga shitja e aksioneve në kompaninë farmaceutike “Megafarma”. Ndërkaq, PS-ja është ndalur edhe në aferat korrupive të ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, ku nuk mbetet i paimplikuar sërish edhe ministri Prifti. Ka qenë deputeti socialist Eduard Shalsi që deklaroi se të dy ministrat kanë nxjerrë në proces privatizimi Fushën e Aviacionit. Ndërkohë që, nga ana tjetër, kryeministri Sali Berisha gjatë fushatës elektorale pati premtuar se do ta shndërronte atë në park publik.
Partia Socialiste ka depozituar pranë Prokurorisë jo pak, por nëntë padi ndaj ministrave dhe deputetëve të Partisë Demokratike. Shumica e padive përmbajnë akuzën e shpifjes ndaj deputetëve demokratë, ndërsa ministri i Ekonomisë, Prifti, akuzohet për korrupsion. Sipas PS-së, kanë shpifur dhe akuzuar padrejtësisht kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, të paditurit Sali Berisha, Sokol Olldashi, Aldo Bumçi, Ferdinand Poni, Gerti Bogdani, Florion Mima, Lajla Pernaska, Erla Mëhilli dhe Dritan Prifti.
Prifti: “Janë shtuar kërkesat për investime në fushën e energjetikës”
Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ka bërë dje publike kërkesat për investime në fushën e energjetikës nga kompani të huaja dhe private. Sipas tij, Ministria ka trajtuar 51 kërkesa për hidrocentrale të reja dhe 8 kërkesa për parqe të prodhimit të energjisë nga era. “Në 51 kërkesa për ndërtimin e hidrocentraleve, vetëm gjatë shtatë mujorit të parë të vitit 2010, janë lidhur 19 kontrata për 19 hidrocentrale dhe 32 të tjera janë në fazën e tenderimit apo të negocimit të kontratave. Vetëm për hidrocentralet parashikohet një investim prej 258 811 707 euro, me një fuqi të instaluar prodhimi 215 megavat. Prifti deklaroi se Ministria ofron certifikata jeshile, që është një stimul tjetër për të investuar në sektorin energjetik dhe nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit dhe reformës së muajve të fundit bërë nga qeveria, koha dhe licencat që janë për periudhën pas koncesionare janë shkurtuar në mënyrë maksimale. “Kemi informacione se Bashkimi Europian ka krijuar fonde të caktuara për të investuar në vende edhe si Shqipëria, për të mbështetur projekte në fushën e prodhimit të energjive të rinovueshme, nga era, nga biomasa, nga uji, nga dielli etj. Kompanitë shqiptare dhe të huaja që investojnë në Shqipëri kanë tashmë edhe mundësinë që të përfitojnë nga programe të Bashkimit Europian, apo programe të tjera europiane për të investuar në prodhimin e energjive të rinovueshme”, - bëri me dije ministri Prifti.
Ministri Prifti ka komentuar edhe akuzat e selisë rozë për pasurinë e tij. Ai i bëri thirrje PS-së dhe gazetave të saj të presin përgjigjen e Inspektorati të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive. “Janë vetëm dy gazeta me pronarë ndërtues. Të dyja ato kanë pronarë ndërtues, klientë të zotit Rama, pronarë të cilët kanë marrë leje ndërtimi nga zoti Rama dhe vazhdojnë të njëjtin refren, siç vazhdon dhe gazeta e Partisë Socialiste”, - u shpreh Prifti.
Reagim
Imeraj: “Ministri Prifti të japë shpjegime për 1.8 milionë eurot e tij”
Zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj, i ka kërkuar ministrit Dritan Prifti të japë shpjegime për pasurinë e tij dhe më pas të flasë për ekonominë. Reagimi i saj ka ardhur menjëherë pas deklaratës së Priftit për rritjen e kërkesave për investime në sektorin e energjetikës. “Ministri i Ekonomisë nuk mund të bëjë sikur asgjë s’ka ndodhur dhe të dalë e të flasë për ekonominë në një kohë kur ende nuk ka dhënë asnjë shpjegim për 1,8 milionë eurot e pasurisë së tij. 1.8 milionë euro të vëna në mënyrë korruptive gjatë një viti, në abuzim të hapur me detyrën. Ndërkohë që shqiptarët varfëroheshin, Dritan Prifti u pasurua me plot 2 miliardë e gjysmë lekë. Si e shpjegon Dritan Prifti këtë pasurim? Meqë dëgjuam ministrin të fliste për koncesione HEC-esh, a mund të na thotë Dritan Prifti se si i përfitoi kolegia e tij Albana Vokshi koncesionet e HEC-ve dhe naftës me vlerë rreth 4 miliardë dollarë? Para se të dalë përpara shqiptarëve e të flasë në tym, Dritan Prifti të japë shpjegime para shqiptarëve”, - u shpreh Imeraj.
17 Gusht 2010