E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhe ngërçi vazhdon

ILIR KALEMAJ

Duket se nga të gjitha fushatat elektorale të mëparshme, ajo e vitit që vjen ka për të qenë më e mbarsura me antagonizëm të skajshëm, ku  manikaeizmi i armiqve politikanë duket se do të njohë zhvillime të reja, duke kulmuar ndoshta me një zhbërje dhe rindërtim të së pakut njërit krah, në varësi të rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme. Boritë e fundit që bien nga Brukseli (deklaratat e Fyles,  Martin Shultzit etj.) duket se vazhdojnë të theksojnë të njëjtën linjë,  në dukje të bërë bajate, por e qenësishme për mungesën e progresit në vend. Kryesore dhe mbi të gjitha është ngërçi politik, i cili është kthyer në ngërç institucional dhe që çon në bllokim të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe rifut procesin e handikapuar të demokratizimit në shinat e anormalitetit. Ky shkak kryesor ka sjellë, nga ana tjetër, mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë, ku sistemi gjyqësor ka nevojë për një terapi shok për tu reformuar dhe rifituar besimin e qytetarëve, probleme të theksuara me të drejtat pronësore që bllokojnë investimet e brendshme dhe të huaja, krizë likuiditeti që prodhohet si rezultat i ngërçit në investime e konsum dhe, si rrjedhojë, rritje ekonomike të ngadaltë në kufijtë e stanjacionit. Të gjitha këto fenomene, në dukje të shkëputura, në fakt kanë një linjë varësie mes tyre, duke ndjekur logjikën e mësipërme.
Lista e problemeve të tjera të ndërlidhura është e gjatë, por vlen të veçohen si të tilla cilësia në arsim, e cila prek të tria nivelet, por edhe dikotominë publik-privat, pra është një problem holistik, i cili ka nevojë për vazhdim të politikave strukturore për të disiplinuar dhe rritur cilësinë të paktën në parametra rajonalë. Nuk ngelet pas Shëndetësia, e cila gjendet në kushte skandaloze, çmime të larta, praktika korruptive që të ofrojnë pak besueshmëri dhe ku në dy dekada është bërë pak për të gjetur një zgjidhje afatgjatë, të qëndrueshme në këtë sektor kaq jetik për shëndetin e gjithsecilit. Lista e problemeve të tjera, nga mbytja e plehrave që qelbin anekënd vendit, degradimi dhe shkatërrimi pa kriter i natyrës, ku shpyllëzimi, erozioni, ndotja e ajrit, ujit dhe tokës janë në garë se cila shkakton më tepër dëme në jetën e banorit të këtij shkëmb graniti në këtë cep të Europës Juglindore.
Dhe lista vazhdon mandej me ngurtësimin dhe mosqarkullimin e elitave politike, politizimin e administratës publike, një fenomen konstant në këto vite të pluralizmit apo polipartizmit), të mosfunksionimit të shoqërisë civile, e cila është kthyer më tepër në trampolinë për politikë, zhvatje pa sens mase të financimeve dhe donacioneve ndërkombëtare me seminare dhe workshope në hotele luksoze për probleme reale njerëzish anekënd vendit. Natyrisht, përjashtime ka sa të duash, por këto veç përforcojnë rregullin ku zëri i saj i mekur nuk është aspak furnizues i ideve të reja, inovatore dhe rigjeneruese për klasën politike, apo të ishte makar reagues ndaj politikave të caktuara. Media ngelet ndër të paktët aktorë dhe faktorë që e marrë në tërësi mundohet të ruajë njëfarë ekuilibri dhe ti shërbejë rolit të pushtetit të katërt, gjithnjë brenda krahasimeve me stadin aktual të tanzicionit të ngecur shqiptar, por dhe krahasimit me vendet e rajonit, ndonëse ka plot raste mediash që vuajnë nga simptomat e identifikuara më sipër.
Kur e sheh për së jashtmi apo mundohesh të ruash një farë ftohtësie objektive në gjykim, zhvillimet politike shqiptare, të vjen çudi se si ka mundësi që nuk merren vesh xhanëm për ato punë nga të cilat përftojnë kapital politik të gjitha kahet. Në rast se vendi plotëson detyrat e shtëpisë, përmbyll kuadrin e reformave (strukturore, administrative etj.), arrin të përshpejtojë procesin e integrimit në BE dhe të ketë instrumente shtesë financiare në dispozicion. Nga ana tjetër, ai kah politik që sillet më luajalisht, performon më mirë dhe vë interesat e vendit mbi kalkulime të ngushta elektorale, mbart më pak kosto dhe ka për të pasur më tepër përfitime qoftë nga partnerët europianë, qoftë nga votuesit shqiptarë. Të luajturit në ekstrem të politikës, të përdorurit e një retorike të vrazhdë, të zbrazët nga ide përmbajtësore nga politika zhvillimore, nga debat konstruktiv, përfiton vetëm kategori të caktuara politikanësh apo sociale, por kurrsesi nuk mund të jetë përfaqësuese e moralit dhe integritetit shoqërore, përfaqësuese e interesave të përgjithshme të elektoratit dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›